Tregtarët e “5 Majit” mes hirit dhe gjobave

Tregtarët e “5 Majit” mes hirit dhe gjobave

Katër muaj pasi zjarri shkatërroi dhjetëra magazina në tregun e “5 Majit”, shumë tregtarë vazhdojnë të punojnë mes strukturave të improvizuara, pa dëmshpërblim dhe pa një afat të qartë për rikthimin në normalitet. Disa thonë se, pasi kërkuan ndihmë, u përballën me gjoba dhe kontrolle tatimore.

Më 8 janar, flakët shkrumbuan gjithçka që tregtarët e “5 Majit” kishin ndërtuar me dekada. Sot, katër muaj pas asaj nate, hiri i zjarrit është zëvendësuar nga “hiri” i harresës institucionale. Midis rrënojave që pastrohen ngadalë dhe faturave të gjobave që vijnë në vend të dëmshpërblimeve, tregtarët e ish-Uzinës Dinamo nuk po luftojnë më me pasojat e zjarrit, por me falimentimin dhe një shtet që u ktheu kurrizin në ditën e tyre më të vështirë.

“20 milionë lekë dëme, por nuk kam marrë asnjë shpërblim. Përkundrazi, mora një gjobë 150 mijë lekë kur kërkova rivlerësimin,” thotë kokulur një tregtar, ndërsa sistemon me duart që i dridhen ato pak mallra të reja. Magazina e tij ishte një nga dhjetërat që u shkrumbuan në tregun e ish-Uzinës Dinamo.

Sot, ai dhe kolegët e tij vijojnë të punojnë në ambiente të improvizuara, vetëm pak metra larg kapanonit të djegur ku rindërtimi ecën me ritme të ngadalëta.

“Kishim 7 vite në atë magazinë, i kemi me djersë lekët. Na thanë që kapanoni mbaron për 3 muaj, por punimet ecin shumë avash” thotë ai me dëshpërim.

Për këtë tregtar, ironia e shtetit ishte më e rëndë se zjarri. Sapo kërkoi rimbursim për humbjen, u përball me kontrolle tatimore: “Kërkuam rimbursimin dhe morëm gjobën mbrapsht. Filluan kontrollet. ‘Ke bërë një gabim’ na thanë, duke gërmuar në vitet e shkuara. Gjoba 150 mijë lekë të reja. Si mund të më vësh gjobë kur sapo më është djegur gjithçka?”

Heshtja vret më shumë se flakët
Në të njëjtën situatë ndodhen dhjetëra tregtarë të tjerë. Një tregtare e pajisjeve elektroshtëpiake, që dikur furnizonte me shumicë gjysmën e vendit, tashmë përdor ironinë si mjetin e vetëm të mbrojtjes.

“Dëmet kanë qenë kolosale. Për momentin s’kemi marrë asgjë. Kush do na e japë ndihmën? Ndoshta do ta japin, por pak më vonë…” thotë ajo me buzëqeshje të hidhur.

Për të, mungesa e informacionit është po aq e rëndë sa dëmi ekonomik.

“Nuk dimë asnjë afat. M’u dogj i gjithë malli, asgjë nuk shpëtoi dhe askush nuk na thotë kur do të kthehemi në punë normalisht.”

Një tjetër tregtar shton se premtimet shtyhen çdo muaj: “Këtu jemi përkohësisht, nuk dimë sa do qëndrojmë. S’kemi fare informacion. Kemi pasur dëme të mëdha. As bonus, as ndihmë, asnjë lloj premtimi deri tani. Çdo muaj na thonë në fund të muajit, por po bëhen katër muaj.”

Kronika e një tragjedie të paralajmëruar
Mbrëmjen e 8 janarit 2026, flakët shkrumbuan rreth 50 magazina në pronësi të “Dinamo sh.a.”. Veshmbathje, plastikë, kozmetikë dhe enë kuzhine u kthyen në lëndë djegëse që e bënë zjarrin të pamundur për t’u kontrolluar.

Ekspertiza e Prokurorisë doli në përfundimin se gjithçka nisi nga një shkëndijë elektrike në njërën nga magazinat, e cila në pak minuta u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve plastike dhe tekstile të magazinuara në kapanone. Për neutralizimin e flakëve u angazhuan forca zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vora, Elbasani dhe Forcat e Armatosura.

Megjithatë, dëshmitë e tregtarëve në terren flasin për një realitet tjetër: Atë të një ndërhyrjeje jo efektive. “Zjarrfikësit ishin jashtë standardit. Do të hyjmë në Evropë me makina të viteve ‘80. Shumë magazina mund të shpëtonin nëse ndërhyrja do të ishte efikase” akuzoi një tregtare në atë kohë.

Por, përtej dëmeve ekonomike, tragjedia ka ngritur pikëpyetje të forta mbi përgjegjësinë institucionale dhe standardet e sigurisë në tregjet e mëdha të kryeqytetit. Ekspertët ngrenë shqetësimin se një aktivitet i tillë ekonomik ka funksionuar prej vitesh pa masa minimale mbrojtëse ndaj zjarrit, pa sisteme profesionale sigurie dhe pa kontrolle efektive nga institucionet përgjegjëse.

Eksperti Fatjon Softa shprehet: “Masat e sigurisë për parandalimin e zjarreve janë zero. Zona e tregjeve nuk ka asnjë element sigurie. Të gjitha tregjet janë me probleme sepse masat e sigurisë për parandalimin e zjarreve mungojnë. Duhet të merren patjeter masa në mënyrë që mos të kemi ngjarjen e radhës”.

Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç thotë se shumica e tregjeve në vend nuk plotësojnë kushtet teknike të sigurisë.

“Nëse do ishte në dorën time, pjesa më e madhe e tyre duhet të mbylleshin sot. Ka mbipopullim, kabuj të varur si rrjeta merimangash, nuk ka sensorë, nuk ka elementë sigurie. Këtu mendojnë se parandalimi bëhet me atë bombolën e kuqe. Shpeshherë edhe ajo është e skaduar. Duhet sistem profesional” nënvizon ai.

Nëse problematikat kanë ekzistuar prej vitesh, mbetet e paqartë nëse janë kryer kontrolle periodike, nëse janë konstatuar shkelje dhe çfarë masash janë marrë për parandalimin e një tragjedie të tillë.

Përgjegjësia jetime
Pyetja që mbetet pa përgjigje është: Pse nuk po dëmshpërblehen tregtarët?

Shumë prej tyre tregojnë se kompanitë e sigurimeve refuzonin t’i merrnin në mbrojtje për shkak të kushteve teknike të ndërtimit. Pa sigurim privat dhe pa një skemë shtetërore emergjence, tregtarët kanë mbetur në mëshirë të fatit. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) nuk ka dhënë informacion nëse ka kryer inspektime para zjarrit. Ndërsa, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Ndaj Qytetarit, në Bashkinë e Tiranës bën të ditur për “Sinjalizo” se ndjek procedurën e vlerësimit dhe dhënien e dëmshpërblimit vetëm për rastet e dëmeve në objektet e banimit të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

“Pas shqyrtimit të rasit në fjalë dhe kuadrit ligjor në fuqi, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në biznese trajtohen vetëm në rastet kur është shpallur zyrtarisht gjendja e emergjencës civile. Duke qenë se në këtë rast nuk kemi qenë në kushtet e shpalljes së emergjencës civile, sipas procedurave dhe akteve ligjore në fuqi nuk kemi patur kompetencë për t’a trajtuar më tej” thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Ndaj Qytetarit.

Sot, tregu i “5 Majit” është një skena me e qartë e pasigurisë teknike dhe papërgjegjshmërisë zyrtare. Ndërsa kapanoni i ri premtohet “nga muaji në muaj”, tregtarët punojnë mes frikës nga një tjetër shkëndijë elektrike dhe faturave që nuk presin. Pyetja nuk është më “pse ra zjarri”, por kush do t’i mbrojë këta qytetarë kur shteti, në vend të ndihmës, u dërgon inspektorët e gjobave? Deri atëherë, tregtarët e “5 Majit” do të vazhdojnë të shesin në ambiente të pasigurta./ Ida Ismalaj, acqj.al

Share it :