Ne ndihme te SPAK! Qeveria luan Sudesh/ Merr 120 mln dollarë borxh nga arabët për t’ja u dhënë sërish arabëve pa tender

Klodian Tomorri

Instrumentat financiar që sajon qeveria shqiptare nuk rreshtin së të surprizuari. E fundit në radhë është një skemë më arabët, e cila u vë qytetarëve shqiptarë një borxh të rëndë në qafë.

Këtë të martë, qeveria dërgoi për miratim në Parlament projektligjin për ratifikimin e një kredie prej 118 milionë dollarësh, që Shqipëria do të marrë nga Fondi i Abu Dhabit. Borxhi, me afat shlyerje 15 vjet dhe interes 4 për qind në vit, po merret për të shkuar sërish në Abu Dhabi.

Sepse 118 milionë dollarët do të shkojnë për të paguar një kompani nga Abu Dhabi, e cila do të realizojë projektin e monitorimit të trafikut me kamera në 20 qytete të vendit. Kontrata 118 milionë dollarëshe do të jepet pa tender dhe pa asnjë lloj gare, por me marrëveshje direkte.

Pra, e thënë më thjeshtë. Qeveria shqiptare do të marrë 118 milionë dollarë borxh nga arabët për t’ja u paguar sërish arabëve, ndërsa qytetarëve shqiptarë u mbetet barra e shlyerjes së borxhit. Këto janë instrumentat financiarë inovativë, që shpik kryeministri nga pelegrinazhet e tij në botën arabe, kur viziton sulltanët e Lindjes. 

Në Shqipëri, këtë skemë e kanë bërë vetëm mashtruesit e mikrokredive. Ata u jepnin qytetarëve borxh, por vetëm në letër. Sepse paratë e borxhit kalonin sërish menjëherë në llogarinë e kompanisë së mirkokredive. Nga gjithë ky operacion qytetarët viktima nuk preknin asnjë lekë, por kishin vetëm një efekt. U rritej borxhi që duhet të shlyenin.

Ministri i Brendshëm kandidat për ngrënës dardhash 
Por teksa marrëveshja e kredisë po kalon me ligj në Parlament, procedura që do të çojë kontratën tek arabët i është besuar ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.

Një javë më parë, ministri i Brendshëm njoftoi se firmosi me Sulltan Al Jaber, Letrën e Angazhimit për projektin inovativ “Smart City – Qyteti Inteligjent”, mes Ministrisë së Brendshme dhe “Presight Al Ltd”. Sulltani është drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Presight AI. Kompania Presight AI është ajo që do të realizojë kontratën.

Pa tender, pa garë dhe pa asnjë procedurë. Pra 120 milionë dollarë vetëm me firmën e ministrit të Brendshëm. Kjo është një punë me risk të lartë për tym pas disa kohësh. Por tashmë ky është një film i parë. Nëse ajo kohë vjen, ministri i Brendshëm bëhet zyrtarisht kandidat për ngrënës dardhash, ndërkohë që SPAK-ut i përmirësohen edhe më shumë statistikat.

118 milionë dollarë për çfarë? 
Por çfarë është projekti Smart City? Projekti përfshin sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, përveç një qendre të avancuar kontrolli.

Kompania do të instalojë 2239 kamera ANPR, që bëjnë njohje automatike të targave si dhe 2602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve. Paralelisht do të vendosen 3 816 kamera trupi për policinë, siç i pati vendosur dikur Sajmir Tahiri, të cilat do të lidhen me një sistem të centralizuar për mbikëqyrje dhe reagim të shpejtë.

“Për të përmirësuar sigurinë në rrugë dhe autostrada do të instalohen 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për të monitoruar shpejtësinë dhe sigurinë e trafikut. Ky projekt do të mundësojë monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore, të cilësuara me interes prioritar për Policinë e Shtetit, si dhe në të gjitha pikat e kontrollit kufitar,” thuhet në relacionin e projektligjit.

Paralelisht kompania do të ofrojë dhe shërbimet profesionale dhe të mirëmbajtjes për katër vjet.

Sa frëngu pulën
Por si do të shpenzohen në detaje 118 milionë dollarët për realizimin e këtij projekti. Në marrëveshjen e borxhit, qeveria ka listuar dhe komponentët e kostos. Plot 31 milionë dollarë do të paguhen për liçencat e softëare-ve të programeve që do të përdoren. Pajisjet hardëare dhe infrastruktura do të kushtojnë 62 milionë e 400 mijë dollarë.

Tetë milionë dollarë do të shkojnë për shërbime profesionale dhe pjesa e mbetur prej 17.1 milionë dollarësh është mirëmbajtja për katër vjet.

Ky është një projekt me inflacion kostosh të jashtëzakonshme. Tetë milionë dollarë vetëm shërbime profesionale dhe 62.5 milionë dollarë për të blerë 8 mijë kamera ANPR dhe PTZ. Këto të fundit gjenden lehtësisht në treg me çmime që variojnë nga 500 deri në 1500 dollarë copa.

Por sa herë që nuk ka garë kostot e inflatuara janë të pritshme. Ky është një biznes shumë i madh, ndoshta i ideuar dhe dakortësuar në darkat e pelegrinazheve arabe të kryeministrit. Qytetarët tani do të mbajnë në kurriz dhe do të paguajnë deri në qindarkën e fundit 118 milionë dollarët borxh plus interesin 4 për qind në vit për 15 vjet. 

Para e madhe dhe pazar i madh.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news