Kush janë maskarenjtë pas maskave?
Nga Lutfi Dervishi
Ministri i Brendshëm tha sot se teknologjia po e ndihmon policinë të identifikojë fytyrat e personave të maskuar.
Kjo është një mrekulli teknologjike!
Një sugjerim modest: meqë teknologjia qenka kaq e përparuar, të mos kufizohet vetëm te protestuesit.
Le ta përdorin edhe për të identifikuar:
Personat e maskuar që dolën me hunj nga selia e PS-së. Teknologjia mund të na ndihmojë të kuptojmë kush ishin dhe çfarë pune kishin aty.
2.Personat e maskuar që, sipas denoncimeve, shkuan të terrorizonin studentët në Qytetin Studenti. Të zbulohet jo vetëm kush ishin, por edhe kush i dërgoi. Të nesërmen aty u shfaq zv/kryeministrja me një mesazh shumë interesant.
3.Personat e maskuar që thyen xhamat e disa bankave. Të identifikohen autorët, jo të fajësohen në bllok protestuesit.
4.Personat e maskuar që dëmtuan biznese private. Të identifikohen dhe të përgjigjen individualisht për dëmet.
5.Personat e maskuar që ushtruan dhunë ndaj protestuesve. Nëse teknologjia njeh fytyrat nën maskë, me siguri njeh edhe fytyrat nën skafandër.
6.Personat me fytyrë të mbuluar që, sipas raportimeve, dolën nga Ministria e Brendshme dhe kaluan mes policëve. Të sqarohet kush ishin dhe përse ndodheshin aty.
7.Personat pa uniformë dhe pa shenja identifikuese që shoqëruan me forcë protestues. Të zbulohet identiteti i tyre dhe kush i kishte autorizuar.
8.Policët që goditën persona të ndaluar, edhe kur këta nuk bënin rezistencë. Këtu teknologjia e ka punën më të lehtë: fytyrat, uniformat dhe kolegët janë të regjistruar.
Dhe një sugjerim të fundit:
Teknologjia që zbulon fytyrat është një arritje e madhe, por teknologjia që zbulon kush jep urdhrat do të ishte një revolucion! Dhe këtu ndoshta ka pak punë prokuroria!




