“Mazhoranca është tërhequr pjesërisht nga marrëzia e saj dhe nga skenari i saj për të rrëmbyer Parlamentin”, u shpreh nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili në një intervistë për Syri Tv, duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes pozitës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve.
Deputeti i Partisë së Lirisë tha se opozita i ka dhënë një shuplakë kësaj mazhorance, duke krijuar edhe një ndjeshmëri të madhe publike për mënyrën se si Edi Rama e kishte kthyer Parlamentin.
Vasili tha se nuk do të mungojë dëshira e mazhorancës për të miratuar ligje që nuk i shërbejnë qytetarëve, pasi kjo mazhorancës është peng i trafikantëve dhe krimit.
Ai tha se opozita njihet nga votat e popullit, pasi po të ishte në dorën e Rilindjes nuk do të kishim kurrë opozitë dhe opozitarizëm në Shqipëri.
Lidhur me deklarimet nga Edi Rama se në zgjedhjet e ardhshme mund të shkohet me Kodin actual Zgjedhor, Vasili u shpreh se tashmë iu dha fund një Komisioni të Reformës Zgjedhore që është një faqe turpi në historinë e Kuvendit.
“Edi Rama tentoi të emëronte anëtarët e opozitës në këtë komision, një akt mafioz politik, që në 32 vite askush nuk guxoi ta bënte një veprim të tillë”, tha Vasili. Ai shtoi se struktura e re do të definohet, do të jetë një mekanizëm permanent, i cili do të trajtojë ligjet apo nismat që kërkojnë miratimin me mbi 84 vota, dhe kjo strukturë e re do të zëvendësojë ato komisionet ad-hoc, që ngriheshin për çështje të veçanta.
“Është një strukturë që do të ketë numër të njëjtë anëtarësh pozitë-opozitë, që kanë të drejtë të bllokojnë njëri-tjetrin, në kuptimin e mirë të fjalës”, tha Vasili.




