Deputeti Saimir Korreshi denoncon një situatë alarmante mjedisore në Savër të Lushnjës, ku një hapësirë është kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh, të cilat digjen në mënyrë të pakontrolluar duke krijuar një ‘bombë’ ekologjike.
Në pamjet e publikuara, Korreshi e quan “batërdi”, një zonë e stërmbushur me mbetje të të gjitha llojeve, nga gomat e makinerive, mbetje inerte, plastike, e deri te pajisje hidrosanitare dhe mobilie të hedhura pa asnjë kriter.
Videoja tregon qartë kamionë që shkarkojnë mbeturina, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi ngrihen nga vatra të shumta zjarri, ku plehrat digjen në qiell të hapur.
“O Bela, o bashkia, o të gjithë çfarë jeni! Urdhëroni si digjni mes Lushnjes,” shprehet deputeti me tone të ashpra, duke iu drejtuar autoriteteve vendore.
Ai ironizon faktin se qytetarët paguajnë taksa për pastrim, gjelbërim e madje edhe për incinerim, por në realitet përballen me një “incenerator” të hapur që ndot ajrin dhe tokën.
Sipas tij, kjo katastrofë ndodh në zemër të Myzeqesë, pranë “Lumit të Zi” që vadit tokat bujqësore të zonës dhe fare pranë autostradës kryesore.




