Këlliçi: Opozita ka plan të qartë aksioni politik dhe protesta të vazhdueshme
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se opozita ka një plan të mirëpërcaktuar dhe të detajuar për aksionin e saj politik, i cili do të vijojë me protesta periodike.
I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, Këlliçi tha se protestat janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme opozitare dhe se ato do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë në periudhën në vijim, përfshirë edhe tubimin e paralajmëruar për të premten.
Sipas tij, reagimet e opozitës në rrugë dhe në parlament janë të domosdoshme dhe ndikojnë në vëmendjen ndërkombëtare ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Ai theksoi se, në mungesë të këtij aksioni politik, qeveria do të vazhdonte pa kundërshtime të forta publike.
Këlliçi shtoi se kallëzimet e bëra në SPAK nga ana e Partisë Demokratike janë pjesë e veprimeve konkrete të opozitës në raport me institucionet e drejtësisë, duke theksuar se ato nuk janë të rastësishme, por rezultat i një qasjeje të organizuar politike.
‘Sigurisht që po dhe kemi dhe një plan shumë të qartë. Jo më kot kemi folur edhe për një plan të mirëpërcaktuar, të mirëdetajuar të aksionit opozitar, të aksionit tonë politik, që ka, ka të bëjë me nisjen e sezonit të protestave, me protestat e pandalshme, periodike për momentin. E tillë është edhe ajo që do të ndodhë ditën e premte. Shpesh hasim edhe kritika për pse organizohen protestat, protestat janë rutinore. Jo.
Dhe kjo do t’i shërbente dhe ky do ishte një shërbim për qeverinë. Pra nëse ne nuk do të reagonim, nëse ne nuk do të protestonim, nëse ne nuk do të ishim kryelajm botëror në çdo media botërore, ku për herë të parë dhe mediat e majta më të mëdha të Amerikës, të Italisë, të Gjermanisë, të Francës, të Hollandës, të Belgjikës i kanë bërë jehonë protestave në Shqipëri.
Patjetër, është një plan i detajuar dhe është një komunikim i detajuar i opozitës dhe është një aksion i detajuar që opozita e di ku do të mbërrijë në fund. Por, duhet të kuptojmë diçka, nëse nuk do të kishte qenë ky aksion politik i opozitës, nëse nuk do të ishin këto protesta, nëse nuk do të ishin këto reagime edhe në parlament, edhe kudo nga ana e opozitës dhe e Partisë Demokratike, Edi Rama do të bënte atë që bën çdo ditë.
E bëri sot, hera e fundit ka qenë sot, kur foli në samitin e diasporës dhe foli për faktin që Shqipëria sot ka një drejtësi të pavarur, e cila godet majtas-djathtas pa asnjë lloj problemi. Dhe ndërkohë hiqet sikur 12 marsi, një muaj e dy ditë më përpara, nuk ka ndodhur. Sikur para një muaji ky nuk e ktheu parlamentin në bunker me 82 vota për të mbrojtur zv/kryeministren, për të mbrojtur veten e tij.
Nëse ne nuk do të reagonim, nëse nuk denonconim, nëse nuk do të bëhej lajm botëror, nëse nuk do të shkonin raporte në Bashkimin Europian, nuk do të shkonin në kancelari europiane, PD-ja nuk do të fliste. Nëse PD-ja, pikë së pari Adi se harrojmë diçka kryesore, nëse nuk do të kishte bërë PD-ja kallëzimet, se ato kallëzimet në SPAK nuk kanë, nuk kanë ardhur nga qielli, i ka bërë PD-ja ato. Dhe Rama do të thonte këtu janë të gjithë dakord’, tha ndër të tjera, Belind Këlliçi në SYRI TV.




