Qeveria shqiptare ka transferuar 88.5 hektarë tokë shtetërore në Vlorë në dispozicion të kompanisë RAMS Albania, e cila do të ndërtojë aty një zonë të lirë ekonomike. Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit, transferimin e sipërfaqes shtetërore të tokës në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.
“Pasuritë e paluajtshme shtetërore vihen në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, nga subjekti investues “Rams Albania”, sh.p.k., me NUIS M42427018I,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Në shkurt të këtij viti Komiteti i Investimeve Strategjike i dha këtij projektin statusin e Investimit Strategjik. Sipas vendimit, vlera e investimit të projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone” parashikohet të jetë 100 milionë dollarë dhe në të pritet të punësohen rreth 10 mijë vetë.
“Projekti i investimit propozohet të zhvillohet si një ekosistem industrial logjistik dhe inovativ, i cili do të përfshijë ndër të tjera teknologjinë industriale, automatizim dhe inteligjencë artificiale. Përpunim mekanik të lehtë të metaleve duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jo-ndotëse dhe energjinë e rinovueshme,” thuhet në vendimin e KIS.
Kompania
Rams Albania zotërohet nga Mehmet Faruk Burbul, i cili është njëkohësisht edhe pronari i korporatës Rams Global. RAMS Global është një kompani ndërkombëtare shumësektoriale me seli në Almaty, Kazakistan, me origjinë nga pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi.
Grupi, drejtori ekzekutiv global i të cilit është Faruk Bülbül, operon në shtatë vende – duke përfshirë Kazakistanin, Turqinë, Tajlandën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – dhe është gjithashtu sponsori kryesor i stadiumit të futbollit Galatasaray S.K. në Stamboll (Rams Park).
Imazhi i kësaj kompanie është aktori turk Burak Özçivit, i cili nga publiku shqiptar njihet si Osmani për shkak të rolit në serialin e famshëm turk. Në qershor të vitit ta kaluar aktori i famshëm turke erdhi pikërisht në Vlorë ku u prit edhe nga kryebashkiaku i atëhershëm, Ermal Dredha.

Në media u tha se aktori i famshëm kishte zgjedhur Vlorën për të kaluar pushimet, por me sa duket vizita ka patur edhe motive biznesi, teksa RAMS ka qenë në negociata me qeverinë për projektin.




