Investigimi/ The Albania Files’, Edi Rama ‘Kumbari’, Shqipëria plaçkë për trafikantët e drogës
Mirëmbrëma!
Po fillon PLUG!
Prej gati një muaj, shqiptarët janë ngritur në protesta të përditshme. Shkëndija e protestës, ishte projekti në Zvërnec, që më pas do të shndërrohej në flakët që do të kërkonin djegien e çdo projekti, që ishin produkt i aferave të qeverisë.
Pas një periudhe heshtje, dhe kur protesta kaloi në kërkesa të qarta për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë nën akuzë për korrupsion dhe shitjen e vendit kryeministri Edi Rama nis kundërsulmin.
Në vazhdën e mbrojtjes, Edi Rama për herë të parë do të publikonte “ALBANIAN FILES”.
Libri “Dosjet Shqipare” që kryeministri e tundi me krenari në CNN, është një përmbledhje e çdo projekti që sot po kundërshtohet nga shqiptarët, e jo për shkak të investimit, apo siç i pëlqen kryeministrit, ta cilësoj kundër zhvillimit, por për shkak se ky libër është me të vërtët një dosje shqiptare e gatshme për SPAK.
Emisioni Plug ka arritur të sigurojë një kopje të “ALBANIAN FILES”, libri sekret që mban autorësinë dhe parathënien e Edi Ramës.
Dhe nga ajo që kemi arritur të shohim është se shqiptarët duket se nuk kanë parë gjë akoma. Shitja e pasurisë kombëtare dhe pastrimi i parave të drogës, duket se janë vetëm fillimi i një projekti, që siç vetë Edi Rama e konfirmon, ka nisur që prej vitit 2013.
Deri në këtë moment për shqiptarët libri rozë “ALBANIAN FILES” ishte një sekret, e detajet e tij qytetarët i shikonin vetëm kur kullat apo projektet luksose kalonin fazën e themeleve. Pas kësaj interviste një prej kopjeve të librit, Edi Rama ja jep gazetarëve të huaj, të cilët nisin zbardhjen e detajeve, që edhe nga ata cilësohen skandaloze.
Përballë kritikave, që tashmë nuk vinin vetëm nga shqiptarët e ngritur në protestë, por edhe nga institucionet ndërkombëtare e mediat e huaja, kryeministri arrtiti derisa të shante protestuesit, pasi sipas tij nuk ishte ai Kumbari!
Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, i njohur për investigimet e tij mbi Shqipërinë dhe raportimet për lidhje të pushtetit me sektorin e ndërtimit, ka ngritur akuza të forta në një intervistë ekskluzive në SYRI TV.
Gazetari holandez u shpreh se, arkitektura ndërkombëtare është përdorur si ‘fasadë’ për investime ku janë pastruar paratë e drogës, ku çdo gjë vendoset nga vetë kryeministri Edi Rama.
Një kopje të ‘ALBANIAN FILES’ e kanë siguruar edhe gazetarët e emisionit Plug. Libri mban autorësinë dhe parathënien e vetë Edi Ramës, i cili ndër rreshta konfirmon se qëndron pas gjithçkaje.
Madje për joshjen e arkitektëve të huaj, Edi Rama shkruan se në Shqipëri nuk ka “JO” dhe gjithçka është e mundur, me mungesë të rregulla dhe sigurisë ligjore.
E për realizimin e të gjithë kësaj, kryeministri nuk e konsideron Shqipërinë si vendet e tjera, për respektimin e vlerave, autorësisë apo pronësisë, por si një tokë që mund integrohet në këto projekte, qëndrim për të cilin shpesh kryeministri ëshët akuzuar se po përdor Shqipërinë si çiflig personal.
Edi Rama:
…Diçka ende e lirë nga rehatia mbytëse e mbirregullimit dhe sigurisë së parapërgatitur. Ose, siç e tha një nga anëtarët e ArchArmy-t të fuqishëm, një liri nga “jo”-ja në të gjitha format e saj….
Po, ky libër mbledh arkitektë të njohur. Por këto dosje nuk kanë të bëjnë me ta. Ato kanë të bëjnë me atë që ndodh midis tyre dhe Shqipërisë. Ato kapin atë që tërheq, provokon, shqetëson dhe frymëzon në një aventurë ku asgjë nuk është zgjidhur plotësisht, dhe për këtë arsye gjithçka mbetet e mundur.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që disa nga arkitektët më vizionarë të kohës sonë, nga Evropa, Amerika, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina, kanë zgjedhur ta përqafojnë Shqipërinë në këtë moment ripërtëritjeje. Jo si vëzhgues të largët. Jo si yje të vetmuar. Por si pjesëmarrës në një eksperiment të përbashkët, duke ndërtuar jo vetëm në një vend, por me të….
Shqipëria sot nuk është më thjesht një skenë. Është një katalizator. Jo vetëm një vendndodhje, por një bashkëpunëtor. Dhe në një botë të fiksuar pas ikonave, autorësisë dhe pronësisë, ajo që po zhvillohet në heshtje këtu ndihet pothuajse subversive: krijimi i diçkaje vërtet të zakonshme, por megjithatë si asgjë tjetër.
Pas parathënies dhe vizionit të Edi Ramës, libri bazohet në thënie të arkitektëve, të cilët zbulojnë edhe detaje, se si asgjë nuk është rastësore, por një projekt i mirmenduar që kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013. Që në këtë kohë janë vendosur piketat, se cilat janë ato prona publike që u zhdukën si të tilla për t’i hapur rrugë betonizimit e pastrimit të parave.
‘ALBANIAN FILES’:
Rama më në fund u zgjodh me një fitore të thellë në vitin 2013 dhe filloi një epokë e re. Pas fitores së tij, ai filloi të hartonte një axhendë për mandatin e ardhshëm. Ishte një moment frymëzues; ne ishim në dhomën ku po zhvilloheshin strategji dhe kishte një interes të vërtetë për mendimin tonë, jo vetëm për çështjet e arkitekturës dhe planifikimit, por edhe për një pikëpamje më të gjerë strategjike.
Meqenëse përvojat tona me vendin deri në atë pikë ishin kufizuar kryesisht në punën në Tiranë, ne gjithashtu e shfrytëzuam vrullin dhe filluam të eksploronim më shumë.
Disa muaj më vonë, së bashku me Joni Babocin dhe Paul Gerretsen të Vereniging Deltametropool dhe të mbështetur nga Adelina Greca e AKPT/Atelier Albania, udhëtuam nëpër vend nga veriu në jug dhe u takuam me kryetarë bashkish, planifikues urbanë dhe sipërmarrës vendas. Njerëzit dhe peizazhet që hasëm ishin frymëzuese, por kudo gjetëm një mjedis të ndërtuar që po luftonte.
Siç për projektet ashtu edhe për paratë, kryeministri Edi Rama duket se ka qenë i qartë që në atë kohë për financimin, pasi siç rrëfen një tjetër arkitekt, Rama përzuri edhe Bankën Botërore duke mos marrë këshillat e tyre, që më pas të financohej.
Dhe siç shqiptarëve, të njëjtën shprehje u përdori edhe përfaqësuesve të bankës Botërore “FUCK OFF”, largohuni…
‘ALBANIAN FILES’:
Para mbërritjes sonë, Edi Rama, një artist me profesion, kishte aktivizuar fondet e ndihmës për të shpërndarë skicat e tij të polikromit nëpër banesat gri të stilit socialist. Një strategji e shkëlqyer që e bëri gestaltin e qytetit një çështje publike. Banka Botërore u përgjigj – “ne financojmë vetëm fasada të bardha ose gri” – për të cilën kryebashkiaku raportoi në një darkë në restorantin e tij të preferuar të paligjshëm se ai “i tha Bankës Botërore Eff Off”.
Për këtë sjellje dhe për atë që i atribuon vetes në drejtimin e Tiranës si Kryebashkiak, në librin e shkruar në gjuhën angleze, Edi Rama e ka shpallur veten edhe si Hero Kombëtar.
“ALBANIAN FILES”:
“Pas rënies së komunizmit, parqet publike dhe gjithashtu brigjet e lumit Lana ishin mbushur me struktura të paligjshme, rreth pesë kate të larta. Kryebashkiaku i kishte shembur të gjitha, duke i dhënë qytetit përsëri hapësirat e tij publike, për këtë ai u bë Hero Kombëtar dhe në një moment edhe “Kryebashkiaku i Vitit në Botë”.
Por nuk mjafton me kaq, ata që shqiptarëve u shiten si arkitektë të huaj e me famë botërore, Edi Rama I trajton njëlloj si patronazhistët, jo vetëm për thurjen e lavdeve ndaj tij, por edhe për shtrembërimin e fakteve historike dhe sulmeve politike ndaj opozitës. Skandali arrin deri aty, saqë Partia Demokratike që përmbysi diktaturën hoxhiste cilësohet pasardhëse e komunizmit dhe Partia Socialiste në thelb Partia e Rinovuar Komuniste speifikohet si anti-komunistja.
‘ALBANIAN FILES’:
‘Kur, në Parlamentin e Shqipërisë, Partia Demokratike e opozitës (ish-komunistët) akuzoi Partinë Socialiste të Edi Ramës se kishte shkatërruar Korçën me këtë kullë të hollë, Kryeministri u përgjigj me pyetjen: “Ky është mendimi i parë estetik që kam dëgjuar ndonjëherë nga partia juaj’
Teksa ‘ALBANIAN FILES’ e cilëson Edi Ramën hero kombëtar, një tjetër pasazh jep alarmin se projektet nuk janë thjesht arkitekturore, por një strategji e pastër, ku Edi Rama kërkon pushtetin e përjetshëm, e kjo e e theksuar në Librin e Edi Ramës, nën emrin e një prej arkitektëve. Bëhet fjalë për korrespodencën e një prej arkitektëve të njohur ndërkombëtarë, Reinier de Graaf, I cili i drejtohet kryeministrit Edi Rama duke shprehur shqetësimin se ndryshimi i pushtetit mund t’i japë fund “epokës së artë” te projekteve per kulla e resorte.
Në shqetësimet e tij ‘madhore’ personale, ai shkruan se zgjedhjet do të ishte “më mirë të anuloheshin” dhe se, pas një mandati të pestë, Rama mund të vazhdonte si “president i përjetshëm – ndoshta edhe mbret”.
“‘ALBANIAN FILES’
Reinier de Graaf: Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme thjesht të anuloheshin. Madje do të shkoja edhe një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbrojtëse e ndritur e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më zgjedhje. Dhe nëse ti, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, do të vazhdoje thjesht si president i përjetshëm – ndoshta edhe si mbret.”
Për sa më sipër, ndokush mund ti cilësoj si përshtypje të arkitektëve, që projektojnë Edi Ramën si Hero Kombëtar apo Mbret.
Por qartësisht në këtë libër, del se nuk janë thënie arkitektësh, por një vision i Edi Ramës për Shqipërinë dhe veten, kjo fal arkitektëve personal infratrukturor dhe atyre politikë.
Libri për herë të parë u bë publik nga Edi Rama, mbase edhe një shkujdesje në momente presioni, me parathënie të tij, e me gjurmë të tij në çdo detaj.
Është vetë kryeministri që ka firmosur çdo paragraf dhe detaj të këtij libri. Në shumë episode të Librit, kryeministri Edi Rama ka futur veten si pjesë të historisë, e jetëzuar kjo në projektet publike.
Në një tjetër projekt ndërtimor, të kullave në kryeqytet, arkitektët janë bazuar në zhgarravinat e kryeministrit Edi Rama në një fletë të bardhë, që më pas janë jetëzuar prej arkitektëve në 3 kulla betoni, e në fund të këtij projekti është firmosur dhe sigluar nga vetë kryeministri Edi Rama.
Por jo vetëm ky rast, në thuajse çdo projekt ka shënime të kryeministrit, apo është jetëzuar mënyra e tij të të bërit art, format apo ngjyra.
E këto projekte janë marrë më pas për tu detajuar nga ana e arkitektëve të trajtuar nga Edi Rama si patronazhistë.
Pas publikimit të Librit në CNN dhe para gazetarëve të huaj, kryeministri Edi Rama në funksion të propagandës dhe matjes së reagimit heshti për 10 ditë, e kur situata doli jashtë kontrolli doli vetë për të përgënjeshtruar gjithçka.
Fillimisht, u përpoq të të mohojë se shprehjen ‘FUCK YOU!’ ua kishte thënë shqiptarëve, por veç atyre që e akuzojnë si Kumbari.
Prej një muaji ata që e akuzojnë si Kumbari janë shumica e shqiptarëve, që janë derdhur në sheshe e çdo rrugë për të kërkuar dorëheqjen e tij, si përgjegjës për gjithçka përfshirë edhe projektet e tij në këtë libër.
Nga tundës i veprës së tij, Edi Rama u tërhoq, duke pohuar se as nuk e kishte lexuar përmbajtjen e Librit.
Edhe njëherë kryeministri tregoi fytyrën tjetër të gënjeshtrës dhe mohimit sa herë zihet ngushtë. E para, ai është publikuesi i kësaj vepre, e madje morri përsipër edhe reklamimin e saj në mediat e huaja.
E dyta, Edi Rama ka firmosur parathënien përshkruese e përmbledhëse të këtij Libri, madje tregon vizionin e këtij libri e këtyre projekteve, që më pas u rijetëzuan në projektë që mbajnë autorësinë direkte të tij. pra nuk ka asnjë mundësi, që një person që nuk e ka lexuar dhe nuk ka dijeni për përmbajtjen të jetë autor i parathënies.
Por jo vetëm kaq, Edi Rama prej ditësh shfaqej publikisht si autor i kësaj vepre, i Dosjeve Shqiptare. Një nga rastet më konfirmuese është ai me gazetarët e huaj, ku si autor i Librit shpërndau edhe autografe.
E di i madh e i vogël, që autografet në një libër nuk i bën një lexues, që as nuk e ka lexuar por autori i tij. E madje kryeministri, nuik ngurojë që tu fliste për përmbajtjen e tij.



