Disa nga arsyet e thella pse Rama nuk duhej të pritej në Kosovë

Disa nga arsyet e thella pse Rama nuk duhej të pritej në Kosovë

Nga Ndricim Kulla

Në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur momente kur politika ka arritur të ngrihet në nivelin e misionit kombëtar dhe ka pasur momente kur ajo është shndërruar në një ushtrim të ftohtë interesi personal, karriere dhe pazari diplomatik. Prania ose mungesa e një kryeministri shqiptar në Kosovë nuk është kurrë thjesht çështje protokolli; ajo është akt simbolik, mesazh politik dhe shenjë orientimi moral. Pikërisht për këtë arsye, vizita e Edi Rama në Kosovë nuk mund të trajtohet si një ngjarje neutrale, por si një akt që mbart mbi vete një barrë të rëndë përgjegjësie historike dhe politike.

Është tashmë e qartë se kryeministri shqiptar nuk udhëhiqet nga ndjeshmëria kombëtare për të përcaktuar se ku shkon dhe ku nuk shkon. Ai nuk udhëton për respekt institucional, as për detyrim moral ndaj një pjese të kombit shqiptar që ka kaluar nëpër sakrifica ekzistenciale për liri dhe shtetësi. Ai shkon vetëm atëherë kur halli personal, nevoja për imazh, ose interesi politik e shtyn të trokasë në një derë që në rrethana normale do ta kishte lënë të mbyllur. Kosova, për fat të keq, ka qenë për të më shumë një skenë sesa një kauzë, më shumë një instrument sesa një ideal.

Ndjeshmëria e tij ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë e kushtëzuar dhe e përkohshme. Ajo është shfaqur vetëm në momentet kur Kosova kishte fituar tashmë lirinë, pavarësinë dhe njëfarë faktorizimi ndërkombëtar, pra kur rreziku ishte kaluar dhe lavdia mund të ndahej pa kosto. Në fazat më delikate të ndërtimit të shtetit, kur Kosova kishte nevojë për mbështetje të pakushtëzuar, për zë të fortë në kancelaritë perëndimore dhe për lobim serioz, kryeministri shqiptar ka zgjedhur heshtjen, relativizimin ose edhe pozicionimin e dykuptimtë.

Në këtë kuptim, marrëdhënia e tij me Kosovën ngjan me ato marrëdhënie që historia shqiptare i ka njohur si marrëdhënie tradhtie: një afërsi formale, por me një thelb armiqësor. Krahasimi me figurën e Hesat Pashës nuk është thjesht retorik; është metaforë politike për një qëndrim që sakrifikon interesin kombëtar për rehati personale dhe mbijetesë politike. Ashtu si atëherë, edhe sot kemi të bëjmë me një elitë që e sheh kombin si barrë dhe jo si mision.

Një nga arsyet më të rënda pse Edi Rama nuk duhej të pritej në Kosovë lidhet me rolin e tij në projektet që kanë cenuar integritetin territorial të shtetit kosovar. Me ndihmën e Tony Blair dhe në bashkërendim me Hashim Thaçi, janë hedhur hapa konkretë drejt normalizimit të idesë së ndarjes së veriut të Kosovës. Edhe kur kjo ide nuk u artikulua hapur, ajo u legjitimua përmes heshtjes, ambiguitetit dhe mbështetjes indirekte, duke i dhënë Serbisë dhe aleatëve të saj një avantazh strategjik në negociata.

Një tjetër goditje serioze ndaj interesave të Kosovës ishte projekti i ashtuquajtur “Ballkani i Hapur”, sot i dështuar, por dje i promovuar me ngulm nga Rama në sinkron të plotë me presidentin serb Aleksandar Vučić. Ky projekt, i paraqitur si nismë ekonomike dhe rajonale, në thelb e la Kosovën në pozicion inferior, duke e detyruar të zgjedhë mes izolimit dhe nënshtrimit. Në vend që të ishte mburojë politike për Kosovën, kryeministri shqiptar u shndërrua në presion shtesë, duke i kërkuar asaj të përshtatej me projekte që nuk i shërbenin as sovranitetit, as sigurisë së saj.

Në mënyrë personale dhe hakmarrëse, Edi Rama dhe qeveria e tij ndërmorën edhe hapa që mund të përshkruhen si embargo politike dhe ekonomike ndaj Kosovës, thjesht sepse qeveria e Albin Kurti nuk pranoi të bëhej satelit i politikave të tij. Ky akt nuk ishte vetëm i paprecedentë në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, por edhe moralisht i pajustifikueshëm: një kryeministër i shtetit amë që ndëshkon Kosovën sepse ajo ruan pavarësinë e vendimmarrjes së vet.

Në korridoret e errëta të diplomacisë ndërkombëtare, Rama ka shfrytëzuar gjithashtu lidhjet e tij me rrjete dhe klane të fuqishme, përfshirë rrethin e George Soros, për të krijuar pengesa të vazhdueshme për qeverinë kosovare. Në vend që këto lidhje të përdoreshin për të zbutur presionin serb dhe për të forcuar pozitën e Kosovës, ato shpesh janë shndërruar në mjete për ta bërë Kosovën më të prekshme dhe më të izoluar në tryezat ndërkombëtare.

Një tjetër fakt i pamohueshëm është mungesa totale e një lobimi serioz dhe të investuar nga ana e Ramës për njohjen e Kosovës nga vende të tjera anëtare të OKB-së. Në kundërshtim me traditën e paraardhësve të tij, të cilët e kishin këtë si prioritet kombëtar, ai e trajtoi këtë çështje si barrë dytësore, duke e lënë Kosovën të përballet e vetme me një betejë që kërkon mbështetje të vazhdueshme shtetërore.

Së fundi, miqësia e tij e hapur dhe demonstrative me Vuçiçin ka dhënë një mesazh të rrezikshëm: se stabiliteti i Kosovës është i negociueshëm dhe se shqetësimet e popullit kosovar mund të relativizohen për hir të “paqes rajonale”. Kjo miqësi karshillëku nuk ka sjellë as siguri, as respekt për Kosovën, por vetëm ka inkurajuar provokime dhe tensione të reja.

Për të gjitha këto arsye, prania e Edi Ramës në Kosovë nuk është as e mirëpritur, as e justifikueshme. Ajo nuk përfaqëson unitet kombëtar, por krizë morale; nuk simbolizon mbështetje, por instrumentalizim. Kosova ka nevojë për miq të sinqertë, jo për vizitorë të interesit. Dhe historia, si gjithmonë, do të dijë ta ndajë qartë se kush qëndroi në anën e kombit dhe kush e përdori atë si dekor për pushtetin e vet.

Share it :