Nesho: Lidhjet e Ramës me McGonigal dhe Ron Yeffet rrezik për sigurinë kombëtare dhe interesat e Shqipërisë
Ish ambasadori Agim Nesho, i ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, theksoi se pas një sërë lidhjesh konkrete të kryeministrit Edi Rama me figura të diskutueshme ndërkombëtare, si Charles McGonigal dhe shtetasi izraelit Ron Yeffet, po del në pah një model i rrezikshëm qeverisjeje i mbështetur te ndërmjetësit dhe skemat e paqarta.
Ai u shpreh se, këto lidhje nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një zinxhiri që nis nga kontaktet personale dhe vizitat e diskutueshme, si ajo në Florida, dhe shtrihet deri te projekte strategjike në sektorë të ndjeshëm si industria e armatimit.
Nesho theksoi se përdorimi i figurave të tilla si ndërmjetës, në vend të marrëveshjeve të drejtpërdrejta shtet me kompani, ngre dyshime serioze për transparencën dhe ligjshmërinë e këtyre proceseve, ndërsa rrezikon të cenojë edhe sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me aleatët. Ai paralajmëroi se ky model, i shoqëruar me precedentë dhe afera të mëparshme, po kthehet në një praktikë të qëndrueshme që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e Shqipërisë.
Pjesë nga deklarata:
Disa vite më parë, kur ishte fillestar si kryeministër dhe sapo kishte filluar t’i shijonte këto marrëdhënie personale, bëri një vizitë në Florida. Ne dhe opinioni publik u njohëm me faktin se ai shkoi dhe ndoqi pothuajse nga radhët e para të fushës një ndeshje basketbolli të NBA-së, me çmime të jashtëzakonshme.
Një nga arsyet pse shkoi në Florida për tre ditë ishte për të takuar babanë e një biznesmeni që merrej me rregullimin e çative, por për të cilin kryeministri shqiptar ishte shumë i interesuar, jo vetëm për bashkëpunim, por edhe që ky dhe një grup tjetër qytetarësh shqiptaro-amerikanë të investonin në Karaburun ose në disa pjesë të Shqipërisë, apo në Peshkopi, ku ishte origjina. Ai thoshte se i bëri një vizitë sepse babai i tij ishte shumë i sëmurë. Por ky nuk çan kokën, sikur t’i bjerë bomba në mes të shtëpisë së tij, për pjesëtarët e vet, jo më për babanë e një njeriu që e ka njohur para dy vitesh. Kjo është e para.
Konkluzioni është se ai lidhet vetëm për të afruar njerëz të tillë dhe unë jam plotësisht dakord me analizën e mikut tim, Tonit, për mënyrën se si e ka ndërtuar këtë për Ramën. Por dua të them një gjë: është aq profesionist dhe njëkohësisht aq i nivelit të ulët, sepse nuk ka vizion për drejtimin e shtetit apo për asgjë tjetër, por është mjeshtër në këto mënyra. Nëse e shikon, ky është i vetmi që pranon këdo në zyrë. Ky është i vetmi që takoi i pari McGonigal. Dhe McGonigal i përcakton edhe skemën se si duhet të fitojë.
Tani merret me Ron Yeffet. Nëse shikon gjithë shkrimet ndërkombëtare dhe analizat që bëhen, thuhet se edhe në shtete ku korrupsioni është i madh dhe mafia vepron, si në Serbi me Vuçiçin, kur vjen puna për marrëveshje në ushtri, për shkak të seriozitetit, ato bëhen drejtpërdrejt dhe paguhen shuma të mëdha, rreth 350 milionë në vit, për bashkëpunim me izraelitët. Ndërsa këtu futen ndërmjetës. Ky gjen Ronin dhe pastaj thotë se do të bëjë zhvillimin e industrisë së armatimit në Shqipëri, sepse ky është përfaqësuesi. Kjo është skandal.
Këtu kemi të bëjmë me një njeri jo vetëm të papërgjegjshëm, por një njeri që është bërë një kërcënim për interesat dhe ekzistencën e Shqipërisë. Ka edhe raste kur NATO e ka bllokuar. Është përmendur edhe Michael Filderman, një multimiliarder izraelit. Në këto raste bëhen kontrata të rregullta shtet me kompani, drejtpërdrejt, jo me ndërmjetës siç është bërë këtu. Sepse kur shikon skemën, nuk e kupton dot sa kompani shqiptare janë përfshirë, ku në të gjitha del një përqindje prej 20% për “Kaio”, që është një ndërmarrje shtetërore, të cilën ai e justifikon si gjithmonë si pjesë të investimeve, përfshirë edhe atë të Alabarit në Durrës, duke thënë se kemi edhe ne një përqindje si shtet. Në fakt, kjo paraqitet si ruajtje e interesave.




