Skandal te ISUV! Gjysma e laboratorëve pa akreditim, tendera të dyshimtë me ‘flamuj të kuq’
Një nga institucionet përgjegjëse për sa i përket ushqimit në Shqipëri është edhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili kryen edhe analiza rreth mykotoksinave.
Kështu, ky institucion i lindur nga një vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 2006 “Për ristrukturimin e instituteve kërkimore – shkencore, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë”, është i cilësuar si laborator kombëtar reference.
Ky laborator kombëtar ka si funksion monitorimin për sëmundje të ndryshme virale, diagnostifikimin e tyre, prodhimin e biopreparateve veterinare, kontrollon pjesën mikrobiologjike të produkteve dhe nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore, qofshin këto të prodhuara në vend apo të importuara, si dhe bën kontrollin e mbetjeve të substancave.
Megjithatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim rreth këtij institucioni në vitin 2024, rreth pasqyrave financiare dhe përputhshmërisë. Grupi i auditimit kishte konstatuar 22 gjetje, 16 prej të cilave janë masa organizative dhe 4 masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, eficence dhe efektivitet të fondeve publike.
Sipas tyre, në aspektin e menaxhimit financiar dhe kontrollit, ISUV nuk ka hartuar plan strategjik dhe plane veprimi, nuk ka ngritur Grupin e Menaxhimit Strategjik i cili duhet të mblidhet katër herë në vit dhe nuk ka rregullore të brendshme. Po ashtu, u konstatua se nuk ka strategji për menaxhimin e riskut dhe nuk ka hartuar regjistër risku në nivel institucional apo në nivel drejtorish.
Një problem tjetër qëndron me laboratorët që disponon ky institucion. ISUV ka gjithsej 41 laboratorë, përfshirë 3 laboratorë për shërbime të brendshme. Nga 38 laboratorë funksionalë, vetëm 19 kanë teste të akredituara, ndërsa rreth 50% e laboratorëve janë të paakredituar.
Nga 1,909 analiza të akredituara në total, 93.1% janë të përqendruara në Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve, ndërsa departamente kyçe si Mikrobiologjia dhe Monitorimi i Ujërave, Monitorimi i Mbetjeve dhe Shëndeti i Kafshëve kanë përqindje minimale, duke nisur nga 1 e deri në 5 për qind. Sektori i barnave veterinare dhe ai i diagnostikimit të dëmtuesve të bimëve nuk kanë asnjë test të akredituar.
“Nuk ka mekanizma të formalizuar që të kenë në thelb bashkëpunimin mdisi klinicistëve apo institucioenve që kontrollojnë sigurinë ushqimore apo institucione që merren me politika të shëndetit publik. Gjë të formalizuar nuk ka, e cila sinjalizon dukuri epidemologjike ose t’i adresojnë ato në mënyrë sistematike. Nuk ka të tilla”, shprehet Klejdia Mati, mjeke onkologe.
ISUV është furnizuar me kite me vlerë gati 20 milionë lekë për periudhën kohore 2022–2024. Furnizimet janë shpërndarë menjëherë në laboratorë pa qëndruar në magazinë qendrore. Përdorimi i tyre nuk është dokumentuar me procedura të miratuara, mungonte një sistem për monitorimin e skadencave si dhe një sistem sinjalizues në prag skadence, ndërsa administrimi bëhej manualisht. Mbetjet laboratorike nuk regjistroheshin në regjistra të posaçëm dhe nuk ruheshin në ambiente të dedikuara. Magazina qendrore nuk plotësonte kushtet teknike për ruajtjen në zinxhir të ftohtë.
Po ashtu, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar shkelje në hartimin e specifikimeve teknike, mungesë argumentimi teknik, mos përfshirje specialistësh fushe, ndarje e pajustifikuar në lote, vendosje kriteresh të paargumentuara dhe mosverifikim i plotë i dokumentacionit gjatë zbatimit të kontratave.
Në disa raste nuk janë administruar certifikata kalibrimi, nuk është verifikuar stafi i autorizuar për servis, dhe nuk janë dokumentuar të dhëna të rëndësishme si origjina dhe skadenca e mallrave.
Përsa i përket analizave të kryera jashtë vendit, për periudhën 2022–2024 janë shpenzuar rreth 1,880,000 euro, pra rreth mesatarisht 627, 000 euro/viti, për laboratorin “C. Group” në Belgjikë. Përfshirja e TVSH-së në vlerën gati 21% në fatura ka sjellë një kosto shtesë prej afërsisht 298 mijë euro ose ndryshe gati 33 milionë lekë. Kjo është konsideruar nga KLSH-la si përdorim i fondeve pa ekonomicitet. Po ashtu, procesi i përzgjedhjes së laboratorëve të huaj është kryer pa urdhrin përkatës të ministrit dhe pa studim të mirëfilltë krahasues.
“Kështu që nuk e kam parë atë prioritet, siguria ushqimore dmth. Institucionet përgjegjëse, Ministria e Bujqësisë, e ushqimit, institucionet e tjera, më duket sikur janë vetëm në pozicion pasiv. Dmth ndodh problemi dhe ata janë të detyruar të evidentojnë ose të prononcohen, por jo që të jenë pararojë apo zgjidhjes së problematikave. Ky është mendimi im ndoshta”, shprehet më tej profesori pranë FSHN-së, Dritan Topi.
Ndërkohë më 3 tetor të vitit 2025, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi një vizitë në ambientet e ISUV-it, ku sipas tyre, laboratorët janë riakredituar dhe janë zgjeruar kapacitetet analitike të institutit sipas standardit ndërkombëtar dhe se numëronte rreth 1900 teste të certifikuara.
Megjithatë, disa tenderë që janë njoftuar në po të njëjtën periudhë kohore tetor 2025 nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, kanë rezultuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence dhe skualifikim i ofertës më të ulët, sipas openprocurement.al.
Këto katër tendera kanë të bëjnë ose me servis-kalibrim të pajisjeve laboratorike për analiza të avancuara ose blerje materialesh apo reagentësh. Shuma e këtyre tenderave niste nga 432 mijë lekë të reja e deri në gati 27 milionë lekë të reja.
Tenderi për “blerje reagentësh” u njoftua më 1 tetor të vitit 2025 dhe fituesi u shpall 30 ditë më vonë. Ndërkohë që konkurronin gjashtë kompani, ky tender iu dha “KRIJON” sh.p.k, në pronësi të Piro Zogës. Ky i fundit njihet si i përfshirë në aferën e përfitimit të tenderave fiktivë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Kujtojmë se persona të stafit të UBT-së kanë përgatitur të dhëna jo të vërteta të projekteve, në bashkëpunim me “Krijon” sh.p.k., dhe dy kompani të tjera. Këta kanë përfituar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit prej 90 milionë lekësh të reja.
“Ky transformim është rezultat i profesionalizmit të burimeve njerëzore, investimeve të qëndrueshme në kapacitetet laboratorike dhe mbështetjes së politikave tona zhvillimore. Sigurojmë cilësi për konsumatorin, besim për fermerin dhe besueshmëri për produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, është shprehur në tetor të vitit 2025, ministri i Bujqësisë, Andis Salla./ Emisioni Vetting




