Zonat e pa-mbrojtura dhe mongolët

Nga Grigels Muçollari

Cili është mendimi i parë që ju vjen, kur dëgjoni fjalën mongol?

Unë e kam hasur rrugëve në jo pak raste. Përdoret si fyerje për prejardhjen ose intelektin e dikujt. Ndoshta për shkak se është një vend shumë larg nesh. Ndoshta se ka një tingëllim nënçmues, pak a shumë si “çeçen” apo “Zimbabëe”, fjalë që nxirren nga goja pa kujdes, për të fyer dikë të ndryshëm në pamje, dialekt apo sjellje. I kureshtuar nga kjo “njollë” rruge, nisa të lexoj për Mongolinë.

Përpos historisë së pasur me pushtime e dyndje, mongolët njihen për rezervën më të vjetër biosferike në botë. Quhet Bogd Khan Uul dhe ndodhet në jug të kryeqytetit të vendit.

Në vitin 1778 qeveria mongole mori vendimin për ta mbrojtur këtë zonë, për ta patur të paprekshme nga dora e gjatë e lakmisë. Në atë vit Shqipëria s’ishte bërë ende shtet. Por, sot që është shtet, dhe shtet kandidat për BE, Shqipëria rishikon ligjin për zonat e mbrojtura, pas një kërkese zyrtare të 12 deputetëve të partisë që qeveris.

Nuk do i bëj biografinë 12 deputetëve, se me gjasë, do thonë se nisem nga pozicionimi si kundërshtar politik, mirëpo nuk ma mban goja të mos shpreh së paku habinë se plot 12 deputetë, të cilët të marrë së bashku nuk kanë folur 12 minuta për zonat e tyre zgjedhore, u zgjuan të alarmuar e i kërkuan qeverisë të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Nuk do të ndalem në emra të përveçëm, pasi për mua nuk ka rëndësi nëse ligjvenesi quhet Anduel apo Edona, Bujar apo jo; madje nuk ka rëndësi fare nëse ky apo kjo deputet/e ka në zonën e vet zgjedhore një zonë të mbrojtur me ligj.

Unë gjykoj nxitimin, mënyrat dhe skemën e organizimit që do i heqë Shqipërisë një zonë të mbrojtur për t’ia dhënë “në mbrojtje” një ndërtuesi, një hotelieri apo një biznesi çfarëdo qoftë. Për të përligjur këtë lëvizje të koordinuar, justifikimi vjen i gatshëm nga qendra e Tiranës: “Do të lejojmë zhvillimin e pronës private”.

Opinioni publik e ka të vrarë veshin nga ky togfjalësh. E përdor pa kursim kryebashkiaku i Tiranës sa herë i lipset të mbrojë të pambrojtshmen, batërdinë me kulla në qendrën historike të Tiranës, dikur e mbrojtur me ligj si “Ansambël Monumental Historik”.

Ligji u zhbë dhe përbri Sahatkullës dhe xhamisë disashekullore të Et’hem Beut u ngritën vrik shumëkatësha betoni. Te njetin fat pati Teatri, dhe shenjat janë që edhe Muzeu është në atë trajektore. Edhe kjo në emër të zhvillimit.

Dyshimi i arsyeshëm më shtyn të mendoj se ky model po importohet nga Bashkia e Tiranës drejt skajeve të vendit, ku zona arkeologjike identitare dhe shëndeti i nënës natyrë sa vjen e rrezikohet nga pangopësia për t’i shtënë në të njëjtat duar që betonizuan Durrësin e lashtë, Vlorën dhe bregdetin e saj të lakmueshëm.

Mongolia është ca larg, prandaj le të krahasohemi me një fqinj të mirë, të cilit qeveria e gjindshme e Ramës po i ofron Gjadrin si strehë. Italia ka 843 zona të mbrojtura tokësore dhe detare për një sipërfaqe të mbrojtur prej mbi 3 milionë hektarësh, e barabartë me 10.5% të sipërfaqes së vendit. Domethënë fqinjët tanë në 10,5% të territorit të tyre nuk mund të shkulin një lule.

Dorën “ta pret” ligji për zonat e mbrojtura. Ndodh që brenda një zone të mbrojtur të ketë një pronë private, ashtu siç ndodh që e gjithë zona e mbrojtur e ka patur ose e ka një pronar, sepse tokë pa zot nuk ka. Pronari nuk gëzon asnjë atribut për ta tjetërsuar apo “zhvilluar” pronën e tij, pasi qeveria ka përparësuar natyrën dhe peizazhin mbi njeriun.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara COP15 në vitin 2022 shprehu domosdoshmërinë që brenda vitit 2030, planeti Tokë të jetë në 30% të sipërfaqes zonë e mbrojtur. Objektivi 30×30 e quajtën. Në Shqipërinë tonë për 2030-n partia e të gjitha pushteteve mban kongrese lavdie.

Kryeministri i vendos target partisë së tij për të shtrirë kohëqëndrimin në pushtet deri në 2030-n, duke planifikuar që deri atëherë ta ketë tuteluar vendin në 100% të shtrirjes së vet. Që ish-komunistët e Shqipërisë do ia mbërrinin ditës të shfaqeshin me parrulla të tipit “Të zhvillojmë pronën private”, këtë nuk ia priste mendja kujt. Në Perëndim do gajaseshin. Do të ishte një perlë e satirës politike.

Turrja drejt zonave të mbrojtura, pasi mbaruan me të pambrojturat, është sipari i Fundit të Shqipërisë. Prej themelimit të shtetit shqiptar, kalimi i zonave të mbrojtura nën mbikëqyrjen e KKT-së, është ligjërim i vrasjes së natyrës, i okultimit të bukurive të saj, i shqyerjes për interesa individuale.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk përfitojnë asgjë nga ky ligj i ndryshuar. Nuk përfiton turizmi e as kureshtarët e huaj, të cilët kanë dëgjuar për Vjosën, Butrintin dhe Karaburunin. Nuk përfiton as bota e egër shtazore, bimësia autoktone dhe shpendët migratorë. Përfitojnë vetëm disa krijesa dykëmbëshe me dy xhepa në vend të mushkërive. Nuk janë barbarë, nuk janë as çeçenë, rusë, serbë, grekë apo mongolë. Janë shqiptarë, prandaj vetëm shqiptarët mund t’iu tregojnë vendin.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.