Vrasja me sëpatë/ 13 faktet që dënuan përjetë me burg Yzeirajn, të riun që vrau për dashurinë

 

Emiljano YzeirajnGjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka dënuar me burg përjetë Emiljano Yzeirajn, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Lazajt, ngjarje e ndodhur në datën 13 janar 2014

 Gjykata e Fierit ka dënuar dje me burgim të përjetshëm Emiljano Yzeirajn, 20-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e 33-vjeçarit Jetmir Lazaj 13 janarin e 2014-ës në fshatin Kalenjë të Mallakastrës. Kjo ishte edhe kërkesa e Prokurorisë e cila kishte faktuar se Yzeiraj vrau Lazajn me paramendim për shkak se autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e të ndjerit, dhe e shikonte Lazajn si pengesë për vijimin e kësaj marrëdhënieje.

 

 Vendimi i Gjykatës së Fierit:

Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe dënon me burgim të përjetshëm shtetasin Emiljano Yzeiraj, i akuzuar për vrasje me paramendim të shtetasit Jetmir Lazaj, ngjarje e ndodhur në datë 13.01.2014, në fshatin Kalenjë të Mallakastrës. Sipas hetimit dhe gjatë gjykimit, ka rezultuar se viktima është qëlluar me sëpatë, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Shkaku i vrasjes ka qenë fakti që autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës dhe ai (viktima) ishte pengesë për vijimin e kësaj lidhjeje.

Argumentet në mënyrë të përmbledhur në të cilat bazohet prokuroria e Fierit

Sa më sipër,

  1. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj ka kërkuar që të takojë shtetasin Jetmir Lazaj më datë 13 Janar 2014;
  2. Fakti që ky shtetas e ka mohuar faktin që e njeh shtetasin Jetmir Lazaj dhe që të jetë takuar me këtë shtetas më datë 13 Janar 2014;
  3. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj ka njoftuar shtetasen Marsela Lazaj se kishte ardhur “budallai” në Aranitas, duke shfaqur përçmim ndaj tij;
  4. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj pasi ka kryer veprën penale, i ka fshirë të gjitha fotografitë dhe mesazhet e dërguara nga shtetasja Marsela Lazaj;
  5. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj pasi ka kryer veprën penale, nga ora 17.49 e në vijim nuk ka komunikuar më me shtetasen Marsela Lazaj;
  6. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj kërkonte vazhdimisht besimin e shtetases Marsela Lazaj, që ajo të martohej dhe të kryenin marrëdhënie seksuale;
  7. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj shprehej se do ta rregullonte ai këtë punë apo muhabet, pasi shtetasja Marsela Lazaj i shprehej se ajo ishte e martuar dhe me fëmijë;
  8. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj është parë nga shtetasi Isa Avdulaj rreth orës 14.40 në vendin e quajtur “Thana e Vogël”, ku do të kalonte më pas shtetasi Jetmir Lazaj;
  9. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shtetasin Isa Avdulaj që po afrohej drejt vendit ku ndodhej ai dhe ka shpejtur hapat që ky shtetas të mos e arrinte;
  10. Fakti që shtetasi Flatun Behaj ka parë dy persona të cilët njiheshin dhe po bisedonin, ku personi që po ecte në këmbë mbante në dorë një sëpatë jo shumë të madhe, kishte lëkurë të bardhë, flokë të zeza, me balluke të ngritura lart, mbante veshur një bluze me ngjyrë jeshile të zënë, i cili ishte më i ri se shtetasi Jetmir Lazaj rreth 19-20 vjeç dhe kishte një gjatësi rreth 170-175 centimetra, të dhëna të cilat përputhen plotësisht me karakteristikat e shtetasit Emiljano Yzeiraj;
  11. Fakti që nga akti i ekspertimit traseologjik rezultoi se plagët janë shkaktuar nga një sëpatë, si dhe përmasat e plagëve përputhen me të dhënat teknike të sëpatës së sekuestruar në banesën e shtetasit Bledar Yzeiraj, e cila nuk ndodhej në banesën e këtij shtetasi në orën 15.30 të datës 13 Janar 2014;
  12. Fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj jo vetëm që ka kërkuar të takohej me shtetasin Jetmir Lazaj, por ka improvizuar edhe një situatë normale bisedash dhe gallate (lojë),[1] ndërkohë që e përçmonte, tregon karakterin kriminal dhe qetësinë shpirtërore paraprake të një vrasësi gjakftohtë;
  13. Fakti që shtetasi Bilbil Beqiraj para se të afrohej tek vendi ku ka gjetur të vdekur shtetasin Jetmir Lazaj, ka parë një djalë duke ikur me vrap në drejtim të fshatit Aranitas, ku banon shtetasi Emiljano Yzeiraj, tregon jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm të nderuar gjyqtarë se shtetasi Emiljano Yzeiraj, është autori i vrasjes së shtetasit Jetmir Lazaj. Është ky shtetas i cili, kishte interesin, mundësinë, mjetet, kohën, qetësinë e nevojshme shpirtërore dhe përçmimin për të goditur me sëpatë në kokë, jo një herë, jo dy herë, por tre herë shtetasin Jetmir Lazaj.

 

Merr lekët për pensionet e fshatit Rukaj, ikën në Itali postieri

Gjykata e Matit ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me dy vjet burg shtetasin Skënder Xhomara, ish-agjent postar i Postës Shqiptare sh.a, i akuzuar se ka vjedhur paratë që u takonin për muajin nëntor 2014 rreth 90 personave në formën e pensionit të invaliditetit. Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 5 vite burgim. Nga hetimi i prokurorisë së Matit, ka rezultuar se shtetasit Xhomara, në muajin nëntor 2014, pasi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të reja nga filiali i postës Mat për t’i shpërndarë tek përfituesit që banonin në fshatrat e komunës Rukaj, është larguar drejt Italisë me shumën e parave të vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumente dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës. Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri. Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Posta Shqiptare sh.a, Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Ndaj të pandehurit është në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.

 

E pabesueshme! Gjykata liron babain që vrau foshnjën e tij

Mbrëmjen e 30 qershorit 2012 do të trondiste kryeqytetin dhe mbarë vendin me krimin e tij makabër. Personi që shihni në këto pamje, do të vriste fëmijën e tij të sapolindur duke e hedhur nga kati i 4-t i maternitetit “Koço Glozheni”. Më 27 mars 2013, Gjykata e Tiranës do ta mbyllte ata në Spitalin Psikiatrik, pasi nga hetimet ai rezultoi i çmendur, version ky i deklaruar para kamerave dhe prej të afërmve të tij gjatë caktimit të masës së sigurisë në 2012. Por, mbyllja e babit vrarës në çmendinë do të zgjaste për më pak se 3 vite, pasi me dy ekspertiza mjekoligjore dhe një vendim të Gjykatës së Tiranës dhënë më datë 17 qershor 2015 ai ka fituar lirinë duke u rikthyer në shoqëri i rehabilituar. Por vendimi i pabesueshëm është dhënë dhe dy pyetjet e gjykatës: Cila është gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba dhe nëse ky shtetas vuan nga ndonjë sëmundje psikike, çfarë mase mjekësore rekomandohet? Eksperti mjekësor u përgjigjet si më poshtë: Gjendja aktuale psikike e shtetasit Hysen Biba, është përmirësuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore për shkak të sëmundjes, theksoj vuan nga çrregullimi deluzional. Mënyrë më e mirë e kurimit të shtetasit Hysen Biba, është ajo e kurimit të detyruar ambulator, tek Qendra Kombëtare e Shëndetit mendor nën kujdesin e një të afërmi. Me këto dy përgjigje eksperti mjekoligjor, i cili në këtë vendim gjykate nuk identifikohet, tre gjyqtarët Bujar Krasniqi, Kreshnik Omari dhe kryesuesi Altin Abdiu janë bindur të rikthejnë në liri babanë që vrau fëmijën e tij foshnje të sapolindur. Gjykata, në vendimin e saj shkon dhe më tej duke caktuar si person që duhet të kujdeset për kurimin ambulator të Bibës, bashkëshorten e tij të cilës 3 vite më parë ai do t’i rrëmbente nga gjiri fëmijën duke ia hedhur nga kati i 4-t i maternitetit. Këtë vendim gjykata e argumenton se, ka pyetur bashkëshorten e Hysenit, Lule Bibën e cila sipas gjykatës është përgjigjur: “Marrëdhëniet me Hysenin, i kemi të mirë, ai reagon mirë, e takoj shpesh te spitali i burgut. Unë aktualisht jetoj në banesën e tij së bashku me mamanë dhe vëllanë e tij, kam një fëmijë tjetër me të, i cili është i moshës 5 vjeç. Marr për sipër të kujdesem për mjekimin ambulator të tij. Gjykata tashmë duket e bindur që Hysen Biba pavarësisht nga krimi makabër që ka bërë vetëm tre vjet përpara, tashmë nuk paraqet më asnjë rrezikshmëri, as për familjarët e vet as për pjesën tjetër të komunitet ku ai ka rifilluar të jetojë në gjendje të lirë.

Share it :