Krerët e shtetit votuan dje duke dhënë njëkohësisht mesazhet e tyre për ditën e zgjedhjeve. Për Presidentin e Republikës Bujar Nishani, komisionerët dhe numëruesit janë gjykatësit, qeveritarët dhe menaxherët e vullnetit të qytetarëve shqiptarë. “Puna e tyre është një përgjegjësi e madhe dhe kontribut real, më së shumti vullnetar, për vendin dhe demokracinë e vendit. Sot të gjithë qytetarët, që nga Presidenti i vendit, por edhe të gjithë qytetarët nga Vermoshi në Konispol, kanë të njëjtën fuqi përmes votës së tyre.”, tha ai. Ndërkaq pas hedhjes së votës, kryeparlamentari Meta bëri thirrje për qetësi duke deklaruar se mazhoranca do të distancohet nga cod lloj forme tensioni. “Të gjithë duhet të kontribuojnë që zgjedhjet të arrijnë standardin më të lartë europian. U bëj thirrje të gjithëve të distancohen nga çdo lloj tensionimi artificial dhe të punojnë të gjithë bashkë, komisionerët e më pas numëruesit, që të respektohet vota e çdo qytetari të vendit tonë, që duhet të shprehet në mënyrën më sovrane. U bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo lloj incidenti dhe tensionimi, e secili të shkojë e të votojë i pandikuar nga askush, e të shprehë vullnetin e tij”, tha ai. Nga ana e tij, kryeministri Rama votoi dje për herë të parë në Surrel, në banesën e re atje ku tha se kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet. “Pavarësisht se për kë votojnë, kushdo që voton janë qytetarë të mirë dhe që meritojnë respekt. Kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet”, u shpreh kryeministri. I pyetur se si u ndje që votoi në Surrel, kreu i qeverisë me batutë tha se,: “Si katundar me fat, sepse nuk ka më katundarë dhe qytetarë, por janë të gjithë qytetarë të barabartë, nga qendra e Tiranës e deri në fshatin më të largët”.




