U duk sikur u tërhoq, por u kthye me armën në dorë drejt deputetit, momenti kur efektivi qëllon Kliti Hotin me plumb gome

Një episod i rëndë është regjistruar gjatë protestës së opozitës në Tiranë, ku deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, u qëllua me plumb gome nga një efektiv policie në një distancë shumë të afërt.

Në pamjet e siguruara nga gazetari i News24, Osman Stafa, shihet se si fillimisht dy kolegë të efektivit ndërhyjnë për ta larguar atë nga protestuesit. Efektivi duket se tërhiqet dhe largohet nga situata, por vetëm pak çaste më vonë kthehet sërish dhe qëllon me armën me plumba gome në drejtim të deputetit Hoti.

 

Plumbi e ka prekur deputetin në shpinë, pranë shtyllës kurrizore. Distanca e afërt nga e cila është kryer qitja e bën edhe më shqetësues këtë episod, për shkak të rrezikut që mund t’i ishte shkaktuar shëndetit të tij.

Pamjet dokumentojnë momentin e goditjes dhe veprimet e efektivit pak para dhe pas incidentit. Ngjarja ngre pikëpyetje mbi rrethanat e përdorimit të armës dhe proporcionalitetin e forcës së ushtruar ndaj protestuesve dhe përfaqësuesve politikë.

 

Share it :