Transparency International: Në Shqipëri u rrit korrupsioni gjatë 2025

Transparency International: Në Shqipëri u rrit korrupsioni gjatë 2025

Kosova është vlerësuar me 43 pikë në Indeksin e Perceptimit e Korrupsionit për vitin 2025 të organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), duke shënuar një rënie për një pikë krahasuar me vitin paraprak.

Vlerësimi i ri bën që Kosova të renditet e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende dhe territore, apo tri pozita më poshtë se më 2024.

Sipas TI, vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik nga zero (që do të thotë se një vend është jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (një vend i pastër nga korrupsioni), ndërkaq renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij relativ krahasuar me vendet e tjera.

Kosova mori vlerësimin më të mirë më 2024 (44 pikë), duke zënë vendin e 73-të në botë. Kjo pasi shënoi një përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit krahasuar me vitin 2023, kur ishte vlerësuar me 41 pikë.

Kosova përfshihet në këtë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Që atëherë, vlerësimin më të keq vendi e kishte pasur më 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vjet rresht ishte vlerësuar me 33 pikë.

Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë (njësoj si herën e kaluar), Maqedonia e Veriut me 40 (njësoj si herën e kaluar), Shqipëria me 39 (ka shënuar përkeqësim nga 42 pikë sa kishte në indeksin e kaluar), Bosnje e Hercegovina me 34 (ka shënuar rënie, pasi herën e kaluar kishte 33 pikë) dhe Serbia me 33 (ka shënuar rënie pasi herën e kaluar kishte 35 pikë).

Në pjesën për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, organizata tha se indeksi tregon se institucionet e dobëta dhe ngecjet në demokraci po e nxisin korrupsionin dhe po ngushtojnë hapësirën për shoqërinë civile.

Përqendrimi i pushtetit, ndikimi në gjyqësor dhe presioni ndaj shoqërisë civile po nxisin kthim prapa të demokracisë dhe po dobësojnë mekanizmat e kontrollit duke reduktuar mbikëqyrjen publike, tha organizata.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, mungesa e transparencës në vendimmarrje për projekte të mëdha investuese është një dobësi e zakonshme”, u tha në raport.

“Pezullimi i rregullave për transparencë dhe kompetencat diskrecionale po i ekspozojnë fondet publike ndaj rrezikut të korrupsionit dhe në të njëjtën kohë po e dëmtojnë besimin e publikut”, u shtua në pjesën për Ballkanin Perëndimor.

Raporti përmend Bosnje e Hercegovinën dhe Shqipërinë sa i përket çështjeve mjedisore.

TI tha se mungesa e procedurave konkurruese ka çuar në “shfrytëzim të pakontrolluar të burimeve natyrore në Bosnje” dhe ka çuar në “rrezik për degradim mjedisor në rastin e ishullit të Sazanit në Shqipëri”, si dhe “i ka mundësuar Qeverisë së Serbisë të nënshkruajë një marrëveshje sekrete me një investitor të huaj dhe në mënyrë të paligjshme të anulojë mbrojtjen e një monumenti kulturor për ta zëvendësuar atë me një hotel luksoz”.

Sa i përket Sazanit, Shqipëria në fund të vitit 2024 i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë të dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort turistik në ishullin e Sazanit në afërsi të Vlorës.

Statusi i investitorit strategjik, kompanisë së Kushnerit i është dhënë për periudhën 10-vjeçare.

Planet e tij për investim në Shqipëri ishin përballur me kundërshtime në këtë shtet, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare, sidomos për zonën e Zvërnecit.

Ndërkaq, sa i përket heqjes së mbrojtjes së monumentit kulturor në Serbi, që përmend TI-ja, bëhet fjalë për ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, ku Kushner kishte planifikuar të ndërtonte një hotel.

Por, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, u raportua se Kushner është tërhequr nga ky investim.

TI tha po ashtu se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përgjigja e dobët e gjyqësorit vlerësohet si një nga pengesat kryesore për luftën e suksesshme kundër korrupsionit, “teksa gjyqtarët dhe prokurorët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i sulmeve nga qeveritë”.

Në këtë drejtim, organizata përmend Serbinë ku thuhet se pas hetimeve për abuzime të dyshuara nga anëtarë të Qeverisë, Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi “po përballet me presion në rritje, përfshirë fushata denigruese të udhëhequra nga Qeveria, pengimin e bashkëpunimit me policinë dhe ndryshime ligjore që dobësojnë aftësinë e saj për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”.

Duke folur për Serbinë, organizata tha se ky shtet bën pjesë në mesin e vendeve që janë vlerësuar dobët në indeks dhe ku më 2025 ka pasur rritje të protestave nga gjenerata e re, pasi të rinjtë në këto shtete, “protestuan për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë e tyre”.

Në vitin e kaluar, Serbia u përball me protesta të mëdha, përmes së cilave qytetarët kërkuan përgjegjësi për vdekjen e disa personave nga rrëzimi i një strehe betoni në një stacion hekurudhor dhe më pas kërkesat e tyre u zgjeruan, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Ndërkaq, në rastin e Bosnjës, Transparency International tha se ndikimi politik mbi emërimet në sistemin gjyqësor “është aq thellësisht i rrënjosur, saqë përpjekje të shumta për ta rregulluar atë në mënyrë efektive kanë dështuar, pavarësisht faktit se kjo përbën një pengesë serioze për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

Në raportin e publikuar, TI tha se mesatarja globale e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit ka pësuar rënie në më shumë se një dekadë, në vetëm 42 nga 100.

“Shumica dërmuese e shteteve kanë dështuar që ta mbajnë nën kontroll korrupsionin: 122 nga 182 shtetet janë vlerësuar me nën 50 pikë në indeks”, tha Transparecy International.

Po ashtu, numri i shteteve që vlerësuar me mbi 80 pikë ka rënë nga 12 sa ishin një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit.

“Në veçanti, një trend shqetësues i përkeqësimit i korrupsionit në demokraci – nga Shtetet e Bashkuara (64), Kanadaja (75) dhe Zelanda e Re (81), e deri në disa pjesë të Evropës, sikurse Mbretëria e Bashkuar (70), Franca (66) dhe Suedia (80)”, u tha nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Sipas indeksit të këtij viti, në krye të tij është Danimarka, Finlanda dhe Singapori, sikurse ishin edhe vitin e kaluar. Ndërkaq në fund të listës, të renditura më së keqi janë Venezuela, Somalia dhe Sudani.

Transparency International thotë se të dhënat që përdoren për përpilimin e indeksit mbulojnë këto forma të korrupsionit në sektorin publik: ryshfeti, keqpërdorimi i fondeve publike, përdorimi i funksioneve publike nga zyrtarët për përfitime personale pa u përballur me pasoja, aftësia e qeverive për të frenuar korrupsionin në sektorin publik, burokracia e tepruar që mund të rrisë mundësitë për korrupsion në sektorin publik, emërimet politike në shërbimin civile, ligje që u mundësojnë zyrtarëve publikë të mos e deklarojnë pasurinë apo konfliktet e mundshme të interesit, mbrojtja ligjore për personat që raportojnë rastet e ryshfetit dhe korrupsionit, kapja e shtetit dhe qasja në informacione mbi çështje publike dhe aktivitete të Qeverisë.

Ndërkaq, ky indeks nuk mbulon perceptimin e qytetarëve për korrupsionin apo përvojën e tyre me këtë dukuri, mashtrimet me tatime, rrjedhjet e paligjshme të financimeve, personat që mund të ndihmojnë në kryerjen e veprave korruptive, pastrimin e parave, korrupsionin në sektorin privat dhe ekonomitë dhe tregjet joformale./REL

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.