Me thirrjet ‘ti nuk je vetëm’ apo ‘përdhunimi është krim’, dhjetëra persona janë ngritur në protestë ditën e sotme në Mirditë, në mbështetje të 15-vjeçares që u përdhunua nga 5 persona.
Ngjarja e rëndë bëri bashkë shumë persona, të cilët akuzojnë shtetin që nuk bën sa duhet për të mbrojtur gratë e vajzat, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe marrje masash nga institucionet shtetërore.
“Vajzat në rrezik gjithkund, shteti askund”, shkruhet nëpër pankartat që protestuesit mbajnë në duar, ndërsa i pranishëm në protestë është edhe Dom Gjergj Meta, Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit.
Po ashtu ka reaguar edhe Delegacioni i BE në Shqipëri, duke i bërë thirrje institucioneve për mbrojtjen e vajzave në Shqipëri dhe duke theksuar se ‘indiferenca vret’.
E mitura nga Rrësheni u përdhunua nga 5 persona për disa javë me radhë, të cilët e shantazhuan atë me video intime.
Artan Kaçorrin 31 vjeç, Albert Mollën 27 vjeç, Ermal Tarazhin 30 vjeç, Nikë Lleshin 44 vjeç dhe 17-vjeçari me inicialet A.Xh u lanë dje në masën e sigurisë arrest me burg.
Delegacioni i BE në Shqipëri ka reaguar në lidhje me rastet e abuzimit seksual të vajzave në vendin tonë. Me një postim në Facebook, ndërsa në Mirditë protestohej në mbështetje të 15-vjeçares që u përdhunua nga 5 persona, Delegacioni i BE i bën thirrje institucioneve për mbrojtjen e vajzave në Shqipëri duke theksuar se ‘indiferenca vret’.
“Delegacioni i BE-së dënon me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri. Nuk ka asnjë justifikim për përdhunimin ose ndonjë formë të abuzimit seksual. JO do të thotë JO. Mbroni vajzat në Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret”, shkruhet në postim.




