Takimi në Ministrinë e Drejtësisë/ Ministri Naço: Administrata publike, e dëmtuar nga ndryshimet politike

Sonja Caka

 

Prezantohen ndryshimet e propozuara në projektligjin për “Kodin e Procedurave Administrative” dhe risitë e tij, nisin konsultimet mes ekspertëve dhe konsultimi publik

 

prezantimiNë një kohë kur çdo ditë flitet për largimet masive nga puna për shkak të rotacionit politik, në Ministrinë e Drejtësisë është prezantuar dje projektligji për administratën publike, ndryshimet e të cilit janë hedhur në tavolinë për një konsultim mes ekspertëve dhe në webfaqen e institucionit për një konsultim publik. “Administrata publike është dëmtuar nga inercitë politike, pasi çdo ndryshim i qeverisë ka nënkuptuar gjithashtu një ndryshim të stafit administrativ, duke përfshirë pozicionet teknike. Si e tillë, administrata shtetërore është reduktuar në një staf të politizuar me pak përvojë, merita profesionale dhe me burokraci të tepruar”, – ka deklaruar në fillim të takimit kreu i Ministrisë së Drejtësisë, z. Nasip Naço, duke renditur për të pranishmit edhe ndryshimet që parashikohen në Kodin e Procedurave Administrative dhe risitë që gjenden në këto ndryshime. Sipas ministrit Naço, ajo që konsiderohet si kolona vertebrale për ndërtimin e një administratë eficiente dhe të përgjegjshme, është miratimi i procedurave administrative të qarta. “Kodi aktual i Procedurës Administrative parashikon disa rregulla procedurale shumë të ndërlikuara dhe të detajuara të cilat mund të pengojnë zhvillimin dhe modernizimin e nevojshëm të administratës publike. Disa nga dispozitat e Kodit nuk janë në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës si p.sh përkufizimi i kufijve të pushtetit diskrecional të autoriteteve të administratës shtetërore që mund të cenojnë parimin e sigurisë ligjore. Gjithashtu, për sa i përket parimit të ligjshmërisë nuk parashikohet qartë se në çfarë kufijsh organet e Administratës Publike mund të veprojnë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”, – sqaroi ministri arsyet pse ndërmorën një nismë të tillë për ndryshme në Kodin Administrativ aktual.

 

Ndryshimet

 Gjashtë ndryshimet e propozuara synojnë krijimin e instituteve të reja ligjore nëpërmjet rihartimit të tij në përputhje me standardet evropiane. Më konkretisht, sipas ministrit, risitë që paraqet ky projektligj janë së pari qartësimi i strukturës së Kodit të Procedurave Administrative, duke lehtësuar leximin dhe interpretimin e tij. Në tërësi, struktura e Kodit të ri ndjek një rrjedhë logjike, që do të jetë një plus për mirëzbatimin e tij. Së dyti, parashikohet përqasja e Kodit të Procedurave Administrative me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile lidhur me komunikimin elektronik, si dhe qendrat e shërbimit me një ndalesë (one stop shop),të cilat janë trajtuar gjerësisht në kodin e ri. Pikat e shërbimit me një ndalesë përbëjnë një lehtësi për qytetarin, i cili shërbimet administrative mund t`i përfitojë drejtpërdrejt në pikën e shërbimit me një ndalesë, si dhe nëpërmjet postës apo mjeteve elektronike. Së treti, është synuar përmirësimi i transparencës së procedurave administrative. Parimi i informimit dhe i ndihmës është ai që do të udhëheqë administratën publike në vazhdimësi. Kodi sanksionon se organi publik gjatë procedimit administrativ, ndihmon që palët të mbrojnë dhe realizojnë lehtësisht të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, por pa cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të tjerë dhe interesin publik. Gjithashtu, organi publik, vë në dijeni palën, për të drejtat dhe detyrimet e saj në procedimin administrativ, si dhe për pasojat ligjore të veprimeve a mosveprimeve të saj gjatë këtij procedimi. Nga ana tjetër rregullon gjithë procedurën për të garantuar të drejtën e palës për njohje me dosjen, marrjen e kopjeve të dokumenteve, qoftë kur këto administrohen në formë elektronike, gjatë procedimit administrativ. Pjesa e pestë e Kodit rregullon posaçërisht njoftimin, sanksionon parimet për një njoftim të përshtatshëm, si dhe format e njoftimit. Së katërti, një risi është edhe përmirësimi i efikasitetit të vendimmarrjes administrative. Parimi i deburokratizimit dhe parimi eficencës sanksionohen që në hyrje të Kodit. Kjo dispozitë sanksionon se procedimi administrativ zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë sesa afati kohor i parashikuar me ligj për atë lloj procedimi, me sa më pak kosto për organin publik dhe për palët, në mënyrë që të arrije çfarë është e nevojshme për një rezultat të ligjshëm. Së pesti, është parë si e rëndësishme promovimi i një praktike administrative të orientuar drejt shërbimit dhe një administratë publike profesionale, që siguron një administratë të paanshme dhe profesionale, ku qoftë ekzistenca e dyshimit për një nga rastet e konfliktit të interesit, çon në përjashtimin e nëpunësit nga procedimi, në funksion të sigurimit të paanësisë së administratës gjatë procedimit. Dhe së gjashti, përdorimi i teknologjive moderne të informacionit dhe të komunikimit për ofrimin e shërbimeve administrative cilësore, etj. Kodi i ri lejon administrimin e dokumenteve gjatë një procedimi administrativ edhe në formë elektronike, duke u garantuar njëkohësisht sigurinë e të dhënave, të mbrojtura sipas ligjit.

 

 

Masa

Vrau babain se nuk i dha para për drogën, Gjykata lë në burg Ardian Thaçin

 Dita-ditës po shtohen rastet e dhunës brenda familjes, ku fëmijët dhunojnë prindërit e tyre, duke shkuar deri në raste ekstreme si ai i Ardian Thaçit, i cili vrau babain se nuk i dha para për drogën. I riu është lënë në burg nga gjyqtarja Manjola Bejleri, pas kërkesës së Prokurorisë që kërkonte lënien në burg të tij. Ndërkohë që, avokatja e tij, Antoneta Lala, kërkoi një masë më të butë për Thaçin, i cili në momentet që ngriti dorë ndaj të atit ishte nën efektin e mungesës së drogës. Sipas akuzës, 22-vjeçari është konfrontuar ditën e ngjarjes me të atin, viktimën Fatos Thaçi dhe refuzimi i këtij të fundit për t’i dhënë para, ka bërë që të ketë një konfrontim fizik, pasi i riu ka qëlluar me grusht babain e tij, duke i shkaktuar vdekjen pak ditë pas ngjarjes. Fatos Thaçi ka humbur jetën për shkak të përplasjes së kokës në dysheme tri ditë pas zënkës, konkretisht më 15 shkurt. Gjatë seancës binte në sy fakti që asnjë nga familjarët e të riut nuk ka ardhur në gjykatë, si në ambientet brenda saj, ashtu dhe jashtë rrethimit. Akuza që rëndon ndaj 22-vjeçarit është “Plagosje e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen e shtetasit Fatos Thaçi. Ardian Thaçi është 22 vjeç, ka kartelë si përdorues droge dhe për të gjykata ka vendosur më herët detyrimin qe t’i nënshtrohej trajtimit kundër narkotikëve. Sipas avokates që mbrojti të riun para gjykatës, Antoneta Lala, institucionet kanë dijeni për gjendjen e klientit të saj. “Kanë qenë një grindje dhe në gjaknxehtësi e sipër ka ndodhur kjo që ka ndodhur. Më duket më shumë se aksident, sesa plagosje e rëndë me dashje. Duket më shumë ngjarje aksidentale nën efektin e drogës. Mungesa e drogës ka bërë që të shkojë në këtë gjendje që është”, – ka reaguar pas seancës së masës së arrestit avokatja mbrojtëse. Më herët, Thaçi ishte dënuar 4 muaj nga Gjykata pasi u kap me 17 gramë kanabis, ndërsa Gjykata i ka pezulluar dënimin me burg, duke e lënë nën monitorim të Shërbimit të Provës për 2 vjet, si dhe iu kërkua t’i nënshtrohej trajtimit kundër narkotikëve.

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :