Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, i kërkoi Policisë përmes medias të mos e provokojë protestën përpara Kuvendit, si në rastet e tjera, duke hedhur gaz lotsjellës, pasi protesta ishte mëse paqesore dhe shembullore.
“Ne jemi në krah të qytetarëve, – tha Spahia – dhe po mundohemi t’i qetësojmë, por revolta ndaj kësaj bande kriminale është e jashtëzakonshme ndaj dhe reagimi është i justifikuar.
Janë disa mijëra qytetarë shkodranë në krye të protestës dhe askush më mirë se Shkodra nuk e njeh modelin e këtyre pasardhësve të Byrosë Politike. Shkodra e ka provuar në kurriz diktaturën 50-vjeçare dhe po e provon edhe këtë neodiktaturë.
Siç e shikoni, protesta e qytetarëve është dinjitozë, mëse paqesore. Bëj thirrje të mos ketë provokime nga ana e Policisë, provokime të panevojshme me gazin lotsjellës si në protestat e tjera; është protestë paqesore dhe shembullore dhe mjafton të mos provokohet nga Policia.”




