Sekretari i përgjithshëm i PD-së /Ristani: PD po përgatitet për zgjedhje të parakohshme

 

 

 

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, deklaroi dje se PD po përgatitet për zgjedhje të parakohshme. “PD është një parti shtetformuese, është në zhvillim të pandërprerë dhe në një analizë të pandërprerë. Shumë shpejt mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por edhe nëse kemi zgjedhje normale, janë shumë afër. PD duhet të shkojë e përgatitur. Do të kemi një tur të kreut të PD-së nëpër rrethe, ku do të diskutojë me popullin”, – tha ai. Por ndërsa opozita duket se ka një skenar të mundshëm për zgjedhje të parakohshme, as PS nuk është larg shumë këtij varianti. Vetëm dy ditë më parë deklaratës së Ristanit, “Standard”, duke iu referuar burimeve shumë të afërta me mazhorancën, theksoi se ekziston edhe një variant, sipas të cilit Kryeministri Rama të kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Së pari, skandalet e shumta në një kohë të shkurtër si dhe presioni nga procesi i dekriminalizimit duket se kanë vënë kryetarin e PS-së në një pozitë pa zgjidhje të pjesshme. Numri i njerëzve të partisë së tij, si deputetë, por veçanërisht në administratën e lartë dhe të mesme që do të dalin zbuluar nga ky proces, është shumë më shumë, s sa ka pasur dijeni edhe ai vetë. Një problem tjetër i madh për Kryeministrin është edhe situata ekonomike. Në muajin tetor ai ka testin e radhës nga FMN-ja dhe gjasat për një mosnënshkrim të dytë të marrëveshjes janë të mëdha, nëse aksioni fiskal që ka nisur nuk jep rezultatet që ai pret. Nga ana tjetër tashmë nuk është më sekret se një pjesë e madhe e bazës në Partinë Socialiste jo vetëm që janë lodhur me bashkëqeverisjen me LSI, por edhe po bëhet presion nga poshtë-lart që të shpëtojnë prej saj. Ideja se PS, nëse hyn në këto moment e vetme në zgjedhje, me një opozitë të dobët si ajo e PD-së, por edhe me një LSI të konsumuar nga “pazarexhinjtë” që ka emëruar gjithandej, mund të fitojë e vetme një shumicë qeverisëse, gati është zyrtarizuar brenda kësaj force”, – theksohej në artikullin e gazetës.

 

 

 

 

 

Share it :