Sa mirë”, kur shteti e ka pushim!

Editorial MONITOR / Administrata publike është një fushë në të cilën liderët u shërbejnë komuniteteve për të çuar përpara të mirën e përbashkët dhe për të realizuar ndryshime pozitive.

Profesionistët e administratës publike duhet të jenë të pajisur me aftësi për të menaxhuar në të gjitha nivelet e qeverisjes (lokale, shtetërore), si dhe organizatat jofitimprurëse.

Vlerat kryesore më të rëndësishme të administratës publike janë transparenca, llogaridhënia, etika, profesionalizmi dhe lidershipi.

Jo rastësisht, nga filozofia greke është përshtatur në konceptet e sotme shprehja që në administratë duhet të punojnë ata që kanë vokacion, njësoj si një person që bëhet klerik nga vokacioni që ka për fenë.

Në Shqipëri, këto vlera pak i gjejmë. Përkundrazi mund të thuhet se administrata shqiptare është antivokacion. Në shtet, shpesh motivi kryesor për t’u punësuar është se shpreson të bëhesh i pasur brenda një periudhe të shkurtër.

Hetimet e fundit të SPAK po nxjerrin fakte se si shumë individë kanë vënë pasuri që nuk arrijnë t’i justifikojnë me pagat e tyre “modeste” që marrin në shtet.

Kriteret e vëna në vite për deklarimin e pasurive nuk kanë arritur të filtrojnë mekanizmat që përdoren për të fshehur të ardhurat, apo dhe për t’i pastruar ato. Këto të ardhura në fakt janë para të taksapaguesve që përndryshe do të ishin përdorur për më shumë rrugë, shërbime, shkolla, spitale e me radhë.

Motivi tjetër është rehatia. Administrata gëzon ditët më të shumta që mund të rrijë pa punuar. Sa herë që ka një festë zyrtare afër fundjavës, dita më e afërt bëhet me ligj pushim, duke mos u shërbyer qindra qytetarëve që kanë halle të ndryshme, apo bizneseve që varen nga produktiviteti për të gjeneruar pagat e punonjësve dhe fitimet e tyre.

Administrata përfitoi dhe nga zelli i kryeministrit për të barazuar pagat e rajonit, duke shkaktuar me vetëdashje presion në tregun privat të punës, me sipërmarrjet që sot kanë hyrë në një rreth vicioz, pasi u detyruan të rrisnin pagat, pa e shoqëruar me produktivitetin e punës.

Lidershipi, nga ana e tij, e shfrytëzon administratën si një mekanizëm për të fituar vota. Sa herë që afrohen zgjedhjet, numri i të punësuarve në institucionet shtetërore fryhet si me magji.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në dy tremujorët përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2021, në sektorin shtetëror u shtuan gati 12 mijë të punësuar të rinj, që është rritja më e lartë historike që nga viti 2000 kur raportohen të dhënat.

Ndonëse çdo shërbim po kalon online, administrata mbetet e ngarkuar. Në aparatin shtetëror në fund të 2023 kishte rreth 182 mijë punonjës, apo 18 mijë më shumë sesa një dekadë më parë.

Ironikisht, as numri më i lartë i tyre dhe as kalimi i shërbimeve online në shumë raste nuk i kanë ndihmuar qytetarët e bizneset që vazhdojnë të sorollaten edhe sot për të marrë një hipotekë, apo subjektet që u ngec aktiviteti sa herë që sistemi i e-Albania bie dhe nuk kanë se ku të ankohen.

Përvoja e këtyre dekadave na ka mësuar që të mos presim shumë nga administrata dhe vlerat e pretenduara të saj. Pakkush pret që të fitojë ndershmërisht një tender, apo të zgjidhë shpejt një hall pa dhënë një ryshfet, edhe pse reforma në drejtësi po ushtron presionin e vet.

Ndaj dhe ne “gëzohemi” kur institucionet kanë një ditë më shumë pushim. Imagjinoni se sa para kursehen nga vjedhjet në tendera, apo ryshfetet e munguara.

Një vrojtim periodik global i Bankës Botërore me sipërmarrjet, të cilat pyeten për çështje që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi dhe ambienti rregullator, ka gjetur se 36% e biznesit shqiptar ka pranuar se i është kërkuar ryshfet nga ana e zyrtarëve të paktën një herë.

Kjo shifër është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe dy herë më e madhe se mesatarja botërore. Janë para që do të ishin kursyer, nëse profesionistët e administratës publike dhe lidershipi do të kishin minimumin e vokacionit për të formësuar një administratë që në fokus do të kishte të mirën publike dhe jo atë personale.

Ndaj le të rrinë më mirë pushim! Në maj, p.sh., data 1 Maj është e mërkurë, le të jetë e gjithë java pa punë, së bashku me 6 majin (që është pushimi i Pashkëve).

Ama gjithsesi kemi edhe një të mirë nga pushimet e shkurtra e të papritura të administratës. Jo të gjithë ikin jashtë, dhe një pjesë e madhe të parave të fituara jo nga puna i shpenzojnë edhe te bizneset private, që jo të gjitha janë të lidhura me qeverinë.
Monitor

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.