Rritje çmimesh dhe kosto shtesë për profesionet e lira, APL analizon efektet e paketës së re
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) mbështetur në të dhënat e çmimeve dhe fuqisë blerëse sipas Eurostat dhe INSTAT, evidenton hendekun mes kostos së jetesës dhe nivelit të pagave në Shqipëri krahasuar me Ballkanin Perëndimor, duke analizuar edhe efektivitetin e secilës prej masave fiskale të propozuara nga qeveria.
Sipas analizës të APL, ulja e TVSH-së për produktet bazë dhe heqja e taksës së qarkullimit nga nafta janë masa pozitive, por rritja e TVSH të përgjithshme me 1%, pritet të rrisë çmimet e produkteve të tjera përfshirë mobiliet, veshjet, pajisjet për telefoninë celulare etj që janë më shtrenjtë sesa rajoni.
Rritje e normës mbi dividendin mund të frenojë investimet dhe rritjen e pagave. Ulja e pragut të patatueshëm, sipas APL do të prekë profesionet e lira, pasi iu shtohet një kosto e re shtesë përmes deklarimeve dhe faturimeve.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka analizuar në shembuj konkret efektet për secilën masë fiskale.
-Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore, me çmim neto të pandryshuar, sipas APL do të zbresë çmimin përfundimtar me rreth 11,7%.
-Heqja e taksës së qarkullimit nga nafta mund ta ulë çmimin me rreth 30 lekë për litër. “Këto janë masat e duhura, sepse prekin ushqimin dhe karburantin, ku Shqipëria është më e shtrenjta sesa rajoni”, argumentohet në analizë. Nafta kushton 2,46 euro për litër në shtator 2026, ku mbi 50% e çmimit janë taksa, kundrejt 35–38% në vendet e tjera të rajonit të përmendura në analizë. “Por duhet llogaritur edhe zhvendosja e taksës te detyrimi vjetor i automjetit, i cili parashikohet të rritet deri në dyfish. Për dikë që e përdor pak makinën, pagesa shtesë vjetore mund të jetë më e madhe se kursimi në karburant”, rekomandon APL.
-Rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% e rrit çmimin bruto me rreth 0,83% për çmim neto të pandryshuar. “Efekti për çdo produkt është i vogël, por prek veshjet, mobiljet, pajisjet dhe telefoninë, domethënë kategoritë ku çmimet janë tashmë më të larta se kudo në rajon dhe që janë edhe mjetet e punës së profesionistëve”.
-Për profesionistët e lirë vjen edhe një kosto tjetër. Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë përfshin rreth 17.500 tatimpagues të rinj, me detyrime faturimi, deklarimi dhe kosto administrative.
-Rritja e dividendit nga 8% në 15% e rrit barrën mbi fitimin e shpërndarë nga rreth 21,8% në 29,45%. Ky është pikërisht kapitali që një biznes ose një profesionist i lirë do të përdorte për të investuar, punësuar dhe paguar më mirë.
Për APL-në, ulja e qëndrueshme e kostos së jetesës duhet të shoqërohet jo vetëm me masa që ndikojnë drejtpërdrejt te çmimet, por edhe me politika që nxisin produktivitetin, investimet, zgjerimin e bizneseve dhe rritjen e pagave.
KOSTOJA E JETESËS NË SHQIPËRI KRAHASUAR ME BALLKANIN PERËNDIMOR
Mjafton një e shtunë në market për ta kuptuar sa kushton sot jeta. Merr bukë, qumësht, vaj, pak oriz dhe fruta. Asgjë luksoze. Por kur shkon te arka, sheh se edhe blerjet më të zakonshme të marrin një pjesë të mirë të rrogës.
Sipas të dhënave të Eurostat të përdorura në këtë analizë, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arrin 104% të mesatares së Bashkimit Europian, pra rreth 4% mbi të. Ndërkohë, paga mesatare bruto në vitin 2025 ishte 860 euro në muaj. Në Gjermani, paga është më shumë se pesë herë më e lartë. Për familjet shqiptare, problemi është pikërisht ky: çmime të larta përballë të ardhurave të ulëta.
Krahasimi me fqinjët e bën më të qartë vështirësinë. Paga mesatare bruto është rreth 1.290 euro në Serbi, 1.200 euro në Mal të Zi dhe 1.100 euro në Maqedoninë e Veriut. Ushqimet në këto vende kushtojnë më pak se në Shqipëri. Në Maqedoninë e Veriut, niveli i tyre është rreth tre të katërtat e mesatares europiane. Duke marrë parasysh pagën dhe çmimet, paga mesatare shqiptare ka rreth 44% më pak fuqi blerëse për ushqime se ajo në Maqedoninë e Veriut.
Sipas krahasimeve të paraqitura në material, Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon edhe për veshjet, mobiljet, pajisjet shtëpiake, telefoninë dhe internetin. Në shtator 2026, nafta kushtonte 2,46 euro për litër dhe më shumë se gjysma e çmimit përbëhej nga taksat. Në tërësi, niveli i çmimeve në Shqipëri arrin 73% të mesatares së BE-së, më i larti ndër vendet e rajonit të përfshira në krahasim.
Ka edhe kategori që kushtojnë më pak se mesatarja europiane, si restorantet, energjia elektrike dhe shërbimet e transportit. Megjithatë, një familje shpenzon afro 40 lekë nga çdo 100 për ushqim. Prandaj, shtrenjtimi i produkteve bazë ndihet menjëherë në buxhetin e saj.
Këtë kosto e ndiejnë edhe profesionistët e lirë, si arkitektët, kontabilistët, programuesit, përkthyesit dhe grafistët. Krahas shpenzimeve të familjes, ata mbulojnë vetë kontributet, deklarimet dhe mjetet e punës. Kompjuteri, telefoni, interneti dhe karburanti janë shpenzime të përditshme të aktivitetit. Tarifat që mund t’u kërkojnë klientëve varen nga të ardhurat në Shqipëri, ndërsa shumë prej kostove janë në nivele europiane.
Kur një pagë mbulon gjithnjë e më pak nevoja, shumë të rinj e kërkojnë zgjidhjen jashtë vendit. Për ta, largimi lidhet edhe me një llogari të thjeshtë: sa fitojnë dhe çfarë jete mund të përballojnë me ato të ardhura.
Kjo analizë kërkon të tregojë ku rëndon më shumë kostoja dhe çfarë mund të bëhet për ta lehtësuar. Disa masa kërkojnë më shumë mbikëqyrje dhe rregulla më të qarta, pa pasur domosdoshmërisht kosto të lartë për buxhetin.
Paketa fiskale e propozuar për vitin 2027 parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës. Familjet përfitojnë vetëm nëse këto ulje pasqyrohen në çmimin përfundimtar. Njëkohësisht, propozohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së në 21%, e cila prek edhe veshjet, mobiljet, pajisjet dhe telefoninë. Taksa e qarkullimit zhvendoset te taksa vjetore e automjetit, ndaj përfitimi duhet parë bashkë me detyrimin e ri. Nevojitet edhe mbikëqyrje më e afërt e tregut të ushqimeve. Për profesionistët e lirë, një kërkesë kryesore mbetet që rregullat tatimore të mos ndryshojnë për të paktën katër vjet.
Secila masë ka përfitime dhe vështirësi që duhen peshuar përpara zbatimit. Por edhe vonesa ka pasoja. Familjet vazhdojnë të kufizojnë blerjet, ndërsa të rinjtë e kanë më të vështirë të ndërtojnë jetën këtu.
Pse shporta shqiptare kushton si në Europë
Të dhënat e Eurostat për vitin 2025, të përdorura në këtë analizë, e vendosin Shqipërinë në nivelin 73% të mesatares së çmimeve të BE-së. Serbia është në 68%, Mali i Zi në 66%, Bosnja e Hercegovina në 59% dhe Maqedonia e Veriut në 55%. Në të njëjtin vit, paga mesatare bruto në Shqipëri ishte 860 euro në muaj, e dyta më e ulët në rajon pas Kosovës. Në katër vendet e tjera të krahasimit, pagat ishin rreth 28% deri në 50% më të larta.
Diferenca shihet më qartë te ushqimet. Niveli i çmimeve në Shqipëri arrin 104% të mesatares së BE-së, i vetmi mbi këtë mesatare ndër vendet me të dhëna në tabelë. Kur paga përshtatet me çmimet e ushqimeve, 860 euro në Shqipëri kanë fuqinë blerëse të rreth 827 eurove me çmimet mesatare të BE-së. Për Maqedoninë e Veriut, kjo vlerë është rreth 1.467 euro. Ky krahasim tregon rreth 44% më pak fuqi blerëse për ushqime nga paga mesatare shqiptare; nuk është krahasim i pagave për të njëjtin profesion.
Image
Ushqimet zënë 34,5% të shportës së përdorur për matjen e çmimeve në Shqipëri, më shumë se dyfishi i peshës së tyre në BE. Një tregues tjetër, anketa e INSTAT për buxhetin e familjeve në vitin 2025, jep shpenzime mesatare mujore prej 95.227 lekësh, nga të cilat 39,8% shkojnë për ushqim. Këto dy përqindje vijnë nga matje të ndryshme. Të dyja tregojnë sa peshë të madhe kanë ushqimet në buxhetin familjar.
Krahasimi mbështetet te pagat mesatare mujore të vitit 2025, për të përdorur të njëjtën periudhë me të dhënat e çmimeve. Të dhënat e cituara për vitin 2026 tregojnë rritje pagash si në Shqipëri, ashtu edhe te fqinjët. Në tremujorin e parë, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti 90.119 lekë, ose rreth 920 euro. Në Serbi, ajo arriti rreth 1.430 euro në mars, rreth 55% më shumë. Ky është një krahasim orientues, pasi për Shqipërinë përdoret mesatarja tremujore, ndërsa për Serbinë një muaj i vetëm.
Çmime të larta shfaqen edhe te blerjet që familjet i bëjnë më rrallë. Kundrejt mesatares së BE-së, niveli i çmimeve është 105% për veshjet, 112% për mobiljet dhe pajisjet shtëpiake, si dhe 108% për telefoninë dhe internetin.
Image
Karburanti e rëndon më tej buxhetin. Në shtator 2026, nafta kushtonte 2,46 euro për litër në Shqipëri, kundrejt 1,64 eurove në Maqedoninë e Veriut. Me 100 euro bliheshin përkatësisht 40,7 dhe 61 litra. Duke krahasuar këto çmime me pagat mesatare të vitit 2025, paga shqiptare mbulonte rreth 350 litra, ndërsa ajo në Bosnjë e Hercegovinë rreth 707 litra. Llogaritja shërben si ilustrim, pasi pagat dhe çmimet i përkasin periudhave të ndryshme.
Në disa kategori, çmimet në Shqipëri mbeten dukshëm nën mesataren e BE-së.
Image
Në këto kategori, kostot më të ulëta të punës dhe, në disa raste, çmimet e rregulluara ndikojnë në nivelin e çmimeve. Megjithatë, këto diferenca nuk e heqin peshën që kanë ushqimet e shtrenjta në shpenzimet e përjavshme të familjes.
Taksat mbi produktet bazë. Materiali merr si pikënisje TVSH-në 20% mbi bukën, qumështin dhe vajin në Shqipëri, kundrejt normës 7% për këto produkte në Mal të Zi. Për naftën, pesha e taksave në çmim jepet rreth 53% në Shqipëri dhe 35% deri në 38% në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Kostoja e karburantit ndikon edhe te transporti i mallrave. Prandaj, taksat mbi të ndihen si në shpenzimin për automjetin, ashtu edhe në çmimet e produkteve që blejmë.
Një treg i vogël që importon shumë. Shqipëria mbështetet në importe për një pjesë të madhe të mallrave dhe për një pjesë të rëndësishme të ushqimeve. Kur konkurrenca në import dhe shpërndarje është e kufizuar, rritja e kostove mund të kalojë shpejt te blerësi, ndërsa ulja e tyre të pasqyrohet me vonesë.
Turizmi. Rritja e kërkesës gjatë sezonit mund të shtrenjtojë ushqimet, shërbimet dhe qiratë edhe për banorët. Në material, pesha e restoranteve në shportën shqiptare jepet 14,5% dhe lidhet me shpenzimet e turistëve. Ky ndikim duhet dalluar nga shpenzimet e zakonshme të familjeve vendase.
Pagat përballë çmimeve. Rritja e pagës ka vlerë për familjen kur i lejon të blejë më shumë. Sipas shifrave të cituara në material, inflacioni i ushqimeve në Shqipëri ishte 3,2% në korrik 2026, kundrejt 0,6% në BE. Shtrenjtimi më i shpejtë i ushqimeve e vështirëson përmirësimin e fuqisë blerëse.
Çfarë do të thotë për profesionistët e lirë
Profesionistët e lirë e përballojnë këtë kosto si familjarë dhe si drejtues të aktivitetit të tyre. Krahas ushqimeve dhe faturave të shtëpisë, paguajnë edhe mjetet e punës. Telefonia dhe interneti kanë indeks çmimesh 108, ndërsa kompjuterët dhe pajisjet elektronike 106, ku mesatarja e BE-së është 100. Këtyre u shtohet karburanti. Për shumë prej tyre, rritja e tarifave është e vështirë, sepse klientët përballen me të njëjtat kufizime të të ardhurave.
Mbrojtja sociale ka rëndësi sidomos kur puna ndërpritet. Për profesionistet e lira të siguruara, përfitimi i barrëlindjes lidhet me kushtet ligjore dhe bazën mbi të cilën janë paguar kontributet. Kur kontributet paguhen mbi pagën minimale, edhe përfitimi mbetet i ulët, pikërisht në periudhën kur të ardhurat nga aktiviteti mund të pakësohen ose të ndalen.
Paketa fiskale e propozuar për vitin 2027 parashikon uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Sipas relacionit të cituar në material, kjo do të përfshinte rreth 17.500 tatimpagues të rinj në skemë. Për profesionistët që preken, do të shtohen detyrimet për faturim dhe deklarim të TVSH-së, bashkë me kostot përkatëse administrative. Propozohet gjithashtu rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
Paketa fiskale 2027 dhe kushtet për të sjellë lehtësim
Sipas propozimeve të paraqitura në material, nga 1 janari 2027 TVSH-ja për 54 produkte bazë ushqimore do të ulej nga 20% në 6% dhe taksa e qarkullimit do të hiqej nga çmimi i naftës. Këto masa mund të lehtësojnë shpenzimet nëse ulja kalon e plotë te blerësi. Me çmimin pa TVSH të pandryshuar, ulja nga 20% në 6% e zvogëlon çmimin përfundimtar me rreth 11,7%, pra afërsisht 12%.
Për naftën, materiali vlerëson një ulje të mundshme rreth 30 lekë për litër. Por duhet llogaritur edhe zhvendosja e taksës te detyrimi vjetor i automjetit, i cili parashikohet të rritet deri në dyfish. Për dikë që e përdor pak makinën, pagesa shtesë vjetore mund të jetë më e madhe se kursimi në karburant.
Njëkohësisht, propozohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së në 21%. Kjo mund të shtojë koston e veshjeve, mobiljeve, pajisjeve dhe telefonisë, kategori ku çmimet janë tashmë të larta në krahasim me rajonin. Për një profesionist të lirë, kursimi te ushqimet duhet parë bashkë me rritjen e mundshme të kostove të punës.
Kostoja e jetesës është problem sepse çmimet janë të larta në raport me pagat. Ndërsa TVSH-ja prek anën e çmimeve, pagat rriten përmes investimeve, produktivitetit dhe zgjerimit të biznesit. Këtu paketa shkon në drejtim të kundërt me objektivin e vet. Rritja e dividendit nga 8% në 15% e rrit barrën mbi fitimin e shpërndarë nga rreth 21,8% në 29,45%.
Ky është pikërisht kapitali që një biznes ose një profesionist i lirë do të përdorte për të investuar, punësuar dhe paguar më mirë. Për profesionistët e lirë vjen edhe një kosto tjetër. Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë përfshin rreth 17.500 tatimpagues të rinj, me detyrime faturimi, deklarimi dhe kosto administrative.
Meqë paketa paraqitet si projektligj, masat dhe efektet përfundimtare varen nga teksti që do të miratohet në Kuvend. APL është e gatshme të kontribuojë me të dhëna dhe propozime konkrete./Monitor




