Reforma territoriale/ Reagon qeveria, Çuçi: Himara s’do të trajtohet si bashki minoritare

cuci Deputeti i PS-së, Andrea Marto: Himara për bukuri do të ishte një njësi më vete

 Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi, sqaroi dje se pse Himarës do t’i bashkëngjiten disa komuna të Vlorës dhe se ajo nuk do të trajtohet si bashki minoritare më vete. Deklarata e ministrit Çuçi vjen pas disa qëndrimeve të përfaqësuesve politikë kryesisht nga zona minoritare, të cilët kanë kërkuar që Himara të trajtohet si zonat e tjera të minoritetit. Deputeti socialist Andrea Marto ka thënë se Himara duhet të jetë njësi më vete, qendër e një bashkie të re. Sipas tij himarjotët dhe vlonjatët ndahen në këndvështrimin historik, ekonomik e gjeografik.

 

Çuçi

“Ne kemi gjetur zgjedhjen më të mirë të mundshme, për sa i përket krijimit të një zone funksionale, me qendër Himarën, që përfshin zonën që lidhet me lumin e Vlorës, me komunën e Vranishtit, dhe me komunën e Lukovës, me të cilën ka të njëjtën specifikë gjeografike. Himara më vete as që nuk diskutohet se mund të rrijë si një zonë funksionale. Këtu s’ka absolutisht asgjë për të debatuar në lidhje më këtë çështje”, – u shpreh Çuçi. Pas këtij qëndrimi, ministri argumentoi edhe shkresën që i ka dërguar pak ditë më parë përfaqësuesve vendor lidhur me mendimet apo propozimet për reformën e ndërmarrë nga mazhoranca për ndarjen e re administrativo-territoriale.

“Unë u kam nisur që të premten letër kryetarëve të gjithë njësive vendore si dhe të gjithë këshillave vendorë në gjithë Shqipërinë. Detyrim ky që vjen nga ligji. I kam çuar letër dhe projektin dhe kam kërkuar që secili nga këto organe, kryetarë apo këshillë të japë një mendim”, – shtoj më tej Çuçi.

Gjithashtu, ministri nuk nguroi që t’i bënte edhe njëherë thirrje opozitës që ti bashkohet kësaj nisme, edhe pse gjasat që kjo të ndodhë janë të pakta dhe kjo për faktin se mes pozitës dhe opozitës nuk ka një konsensus politike për reformën administrativo-territoriale.

“Deri në korrik, opozita prapë ka mundësi që t’i bashkohet, në njëfarë mënyre, dhe mendoj se sjellja e saj pas miratimit të ligjit do të jetë një vendim trashanik sepse Shqipëria udhëhiqet nga kushtetuta dhe ligjet, dhe ne çdo hap kemi zbatuar kushtetutën dhe ligjin”, – deklaroi ministri Çuçi. Pak ditë më parë Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale miratoi dy variante të hartës me 39 dhe 47 njësi, apo bashki, dhe pas konsultave pritet që të vendoset një variant i vetëm që sipas deputetëve të majtë, shkon afërsisht me 44 njësi, përfshi këtu edhe bashkitë minoritare. Sipas qeverisë kjo reformë pritet ti kushtojë rreth 60 milionë dollarë më pak buxhetit të shtetit, ndërkohë që nga ana tjetër, priten shumë shkurtime nga vendet e punës. Kjo reformë pritet të miratohet në fund të muajit korrik, ndërkohë që debatet mes pozitës dhe opozitës mbeten të hapura për shkak se pakica parlamentare e ka kundërshtuar ashpër nisjen e njëanshme të punimeve për këtë reformë. Sipas opozitës, vendi ka nevojë për një reformë më të gjerë e më konsensuale. Për të djathtën shqiptare, reforma e ndërmarrë nga mazhoranca ka si synim interesa politike në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

 

Share it :