Rama ‘ndez fishekzjarret’ për 35-vjetorin e PS, ndërsa Durrësi ‘noton’ mes tenderave, shirave dhe skandaleve

Nga Boldnews

Partia Socialiste e Durrësit festoi sot 35-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni ku morën pjesë drejtues të lartë të kësaj force politike, mbështetës ndër vite dhe vetë kryeministri Edi Rama.

Aktiviteti u zhvillua në qytetin bregdetar mes një atmosfere festive, ndërsa drejtuesit e PS ndanë certifikata mirënjohjeje për 9 prej themeluesve të degës së Partisë Socialiste në Durrës.

 “PS i dha Shqipërisë stabilitetin dhe reformat”

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kontributin e socialistëve ndër vite dhe tha se rrugëtimi i Shqipërisë është lidhur ngushtë me atë të Partisë Socialiste.

 

Sipas tij, PS ka qenë forca që garantoi stabilitetin, ringritjen e vendit dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme.

Kur Shqipëria pati nevojë për stabilitet, ishte PS që e mishëroi dhe e garantoi atë stabilitet. Kur Shqipëria pati nevojë të ringrihej nga dështimet e mëdha, ishte PS që e ringriti”,deklaroi Rama.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se konferenca ndërqeveritare e radhës në Bruksel do të shënojë hapjen e fazës mbyllëse të negociatave.

Rama shikon atë që nuk e shikon askush: Durrësi, shembulli i transformimit socialist

Kryeministri e cilësoi Durrësin si simbol të transformimit të PS-së nga një forcë e vogël politike në një forcë dominuese në qark.

Rama kujtoi rezultatin e zgjedhjeve të fundit, ku socialistët siguruan rezultatin më të mirë historik në qarkun e Durrësit.

“PS në Durrës është shembull organizimi, përkushtimi dhe besimi tek vetja”, u shpreh ai.

Por realiteti në Durrës mbetet mes përmbytjeve, tërmeteve dhe skandaleve

Ndërsa socialistët festonin 35 vite histori politike, rikthejmë në vëmendje problematikat që kanë shoqëruar Durrësin ndër vite, nga përmbytjet e përsëritura sa herë ka reshje intensive, deri tek pasojat e tërmetit dhe debatet për projektet gjigante urbane.

Përmbytjet në Durrës, reagimi i opozitës

Sa herë që bien reshje shiu, Durrësi është qyteti i parë që përmbytet. Partia Demokratike ka ngritur zerin disa here për situatën e përmbytjeve të përsëritura në qytetin e Durrësit, duke i cilësuar ato si rezultat të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në pushtetin vendor.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, në një deklaratë, ka akuzuar Bashkinë e Durrësit dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime për dështim në mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve, duke theksuar se çdo reshje shiu shndërrohet në problem serioz për banorët e disa lagjeve.

Sipas Vangjelit, ndërsa qyteti përmbytet vazhdimisht dhe qytetarët pësojnë dëme materiale, fondet publike shpërndahen përmes tenderëve klientelistë te kompani të lidhura me rrethin familjar dhe politik të pushtetit lokal.

Ajo akuzoi drejtpërdrejt kryebashkiaken Emirjana Sako për mungesë përgjegjësie dhe transparence.

Vangjeli shpjegon se, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sh.a., ku pronare e rëndësishme është edhe Bashkia Durrës, këtë javë ka shpallur fituese në një procedurë prokurimi kompaninë ‘Mektrin Motors’ sh.p.k., një kompani e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryetares së bashkisë. Kjo kompani është krijuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i Emirjana Sako dhe aktualisht rezulton në pronësi të kunatit të saj.

Skandali thellohet nga fakti se në këtë tender është paraqitur një ofertë e vetme, sikur të mos ekzistojnë qindra subjekte që ofrojnë shërbime riparimi automjetesh. Vlera fituese arrin gati 98% të fondit limit, apo 11.6 milionë lekë.

 

Me këtë kontratë 12-mujore, qytetarët e Durrësit detyrohen të paguajnë 10 mijë euro në çdo muaj për një kompani të familjes së kryetares së bashkisë.

Alarm për “Durrës Marina”, denoncime për zhytje të pallateve

Një nga çështjet më të debatueshme mbetet projekti “Durrës Marina”, i prezantuar si investim strategjik me vlerë 3.2 miliardë euro.

Sipas një dëshmie të bërë publike, dy prej godinave të para të ndërtuara në kompleks kanë pësuar ulje të konsiderueshme në terren, me zhytje që pretendohet se arrijnë deri në 74 centimetra.

Burime nga kantieri pretendojnë se problemi lidhet me terrenin ranor pranë detit dhe mungesën e pilotave të thella mbajtëse gjatë ndërtimit.

Po ashtu, raportime të publikuara nga emisioni “Piranjat” pretendojnë se matjet me dron kanë evidentuar diferenca deri në 1 metër mes strukturave.

PD: “Aferë korruptive dhe rrezik për qytetarët”

Deputeti demokrat Igli Cara deklaroi se opozita e ka denoncuar projektin që prej vitit 2023, duke e cilësuar atë një aferë korruptive mbi 3 miliardë euro.

Sipas tij, raportet e Institutit të Ndërtimit kanë konstatuar ulje të objekteve:

  • Objekti 02 – ulje prej 28 cm
  • Objekti 04 – ulje prej 18 cm

PD kërkoi:

  • pezullimin e punimeve;
  • ekspertizë të plotë teknike;
  • publikimin e studimeve gjeologjike dhe sizmike;
  • hetim nga KLSH dhe SPAK.

Debat edhe për pagat në Bashkinë e Durrësit

Një tjetër çështje që ka sjellë reagime ishte vendimi i Këshillit Bashkiak të Durrësit më 29/10/2024 për rritjen e pagave të administratës dhe kryebashkiakes Emiriana Sako.

Opozita denoncoi se paga e kryebashkiakes është rritur me 57%, ndërsa pensionet dhe ndihma ekonomike për qytetarët mbeten minimale.

Këshilltarët e opozitës braktisën mbledhjen në shenjë proteste, ndërsa shumica socialiste miratoi vendimin.

Rritja varionte nga 57 % për kryetaren e bashkisë, deri në 7 % në varësi të pozicionit të punës. Sipas kryetares së bashkisë Emiriana Sako, rritja e pagave do të sjellte një shërbim më cilësor për qytetarët.

Share it :