Raporti: Bashkitë dështojnë me mbetjet, kostot janë rritur, shëndeti i popullatës në rrezik

Për të tretin vit radhazi, mbetjeve në qytetin e Vlorës iu vihet flaka në mes të sezonit turistik, duke prishur jo vetëm imazhin e një qyteti turistik por mbi të gjitha duke rrezikuar jetën e popullatës në këtë rajon.

Problemi i mbetjeve, pavarësisht qindra milionë eurove të shpenzuara për inceneratorët apo projekte e fushata të ndarjes në burim, mbetet i pazgjidhur.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit me objekt “Respektimi i standardeve në menaxhimin e mbetjeve urbane, sfidë e qëndrueshme në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullsisë” del në konkluzionin se bashkitë nuk kanë arritur të përmirësojnë, situatën pavarësisht se kostot e tyre janë rritur në këtë drejtim.

Katër janë bashkitë që janë marrë në analizë: Durrës, Vlora, Shkodra dhe Korça ku më problematike situata shfaqet në dy të parat.

Sipas raportit, Bashkia e Durrësit, gjatë menaxhimit të mbetjeve urbane, nuk garanton qëndrueshmëri financiare të këtij procesi, pasi të ardhurat e krijuara për këtë qëllim nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.

Kjo situatë vjen si rrjedhojë e faktit se, Bashkia e Durrësit nuk ka arritur të mbledhë të gjitha të ardhurat e planifikuara nga tarifa e pastrimit. Megjithatë edhe nëse do të arrihej mbledhja e tyre në nivelin 100%, përsëri nuk do të mund të mbuloheshin shpenzimet totale për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë bashki.

Arsyeja kryesore e mosmbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i vend-depozitimit të tyre në landifillin e Sharrës. Kjo gjë ka rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë. Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %” thuhet në raport.

Lidhur me Bashkinë e Vlorës, raporti sjell në vëmendje pasojat shëndetësore të dështimit në menaxhimin e mbetjeve.

“Menaxhimi i mbetjeve urbane në Bashkinë e Vlorës paraqet problematika të tjera edhe më të rënda. Në këtë bashki, mbetjet urbane depozitohen në një fushë të depozitimi, e cila nuk respekton asnjë kriter mjedisor.

Mbetjet urbane digjen në mjedis të hapur duke shkaktuar problematika të rëndësishme në shëndet dhe mjedis,që vijnë nga çlirimi i dioksinave dhe furaneve në mjedis.

Ekspozimi ndaj dioksinave, furaneve etj., shkakton lloje të ndryshme të kancerit, probleme të mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese, si dhe efekte negative në zhvillimin e sistemit nervor” thuhet në raportin e KLSH.

Raporti vlerëson se një situatë e tillë me mbetjet në Vlorë ka sjellë edhe pasoja ekonomike duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave në afërsi të fushës së vend-depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës.

KLSH vlerëson se edhe sa i takon përllogaritjes së tarifës së pastrimit  bashkitë subjekt auditimi, nuk marrin në konsideratë madhësinë e familjes dhe sipërfaqen në të cilën familja jeton. Edhe për tarifat e vendosura për biznesin, ato nuk marrin në konsideratë sipërfaqen në të cilin biznesi ushtron aktivitetin e tij.

Marrja në konsideratë e madhësisë së familjes, si dhe sipërfaqes së banimit dhe ushtrimit të aktivitetit (në rastin e bizneseve) do ta bënte më të drejtë tarifën që çdo abonent do të duhet të paguajë.

“Sa i përket zbatimit të politikave dhe kuadrit ligjor në fuqi, bashkitë Durrës, Shkodër, Vlorë e Korçë nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore lidhur me procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor duke qenë se nuk i kanë shoqëruar Planet Vendore të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane me VSM.

Gjithashtu, ato nuk kanë raportuar periodikisht në Këshillat e Qarqeve mbi zbatimin e planeve vendore, nuk kanë arritur objektivat mbi grumbullimin e diferencuar të mbetjeve bio për qëllime kompostimi si dhe riciklimin e letrës, kartonit, qelqit dhe plastikës.

Për të gjitha çështjet e mësipërme, janë dhënë rekomandime në drejtim të përmirësimit të shkaqeve që çojnë në këto mangësi me qëllim eliminimin dhe zbutjen e ndikimeve negative që këto problematika kanë në ekonomi, mjedis dhe shëndetin e popullatës” vlerëson KLSH./Monitor

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.