Nga Petrit Vasili
Analizat e kryera nga emisioni investigativ “Piranjat” për qumeshtin e prodhuar nga kompanitë shqiptare, që tregtohet gjerësisht, kanë treguar se ky qumësht ka ujë me bollëk në tejkalim të normave.
Analizat e kryera në laboratorin italian Neotes kanë treguar se Indice crioscopico apo treguesi i sasisë së ujit në qumësht ka dalë tepër i lartë.
Pra thuhet se shitet qumësht, por realisht shitet ujë me qumësht.
Ky qumësht me ujë përdoret jo vetëm në familje, por edhe në kopshte e çerdhe si ushqim bazë për mijëra e mijëra fëmijë.
Shteti, i cili duhet dhe mund t’i bënte me shumë lehtësi këto analiza, nuk bën asgjë dhe lejon që me këtë qumësht pa vlerë të ushqehen fëmijët që e kanë ushqimin kryesor.
Shteti i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të kontrolluar, por korrupsioni dhe pazaret ia mbyllin sytë.
Të ushqesh fëmijët me një qumësht të tillë me ujë dhe pa asnjë vlerë është një kequshqyerje e vërtetë dhe kriminale, që ndikon në të gjithë të ardhmen e zhvillimit dhe rritjes së tyre.
Është një faj dhe përgjegjësi shumë e rëndë e qeverisë, që mbush zyrat e shtetit me patronazhistë rilindas gjithfarësh duke e lënë shtetin për faqe të zeze.
Tani po presim Edi Ramën të fillojë të mbrohet e justifikohet me ulërimat idiote të tij, por fakti është aty, i qartë dhe i padiskutueshëm: fëmijët pinë ujë me qumësht, sepse gërmadha e qeverisë së këtij ka vdekur dhe është e aftë vetëm për të vjedhur dhe për të rrëmbyer çfarë t’i dalë përpara.




