Nga Behar Jacaj
E para ishte fjala. Veshi duket të ketë qënë I krijuar me kohë. Domosdo. Fjala gjithë pushtetin dhe fuqinë që ka e merr nga dëgjimi. Nga dëgjimi I mirëfilltë. Nga ai lloj dëgjimi për të cilin shkruante Carl Rogers. Paaftësia për të komunikuar është rezultat I dështimit në të dëgjuar. Kështu shkruante ai dhe ishte I bindur se aftësia për të dëgjuar me vemendje, me dëshirën për të kuptuar dhe me empati është leva më e fuqishme që vë në levizje ingranazhet e ndryshimit. Kush ka studiuar psikologji dhe ka marrë përsipër të punojnë me strapacimet e shpirtit njerëzor e kupton mësëmiri ç’dua të them. Në takimet dhe bisedat e atyre që kanë studiuar psikologji ka përherë një ankesë se në Shqipëri, psikologu si profesion nuk ka peshën që meriton dhe duhet të ketë. Fatkeqësisht kanë të drejtë. Për këtë nënvlerësim që u bëhet, psikologët e drejtojnë gishtin nga kultura, kanuni, mentaliteti, mungesa e informaciont, nga dreqi e nga I biri. Por çfarë ofrojnë psikologët, të pakten ata që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë këtë profesion në publik?! Çfarë urtie japin? Sa ndjellës janë? Që në nisje ka një paradoks, një kontraditë. Mediat massive merren me fenomene, psikologjia merret me individin në menyrë specifike. Për hir të nevojës për të përndritur shumë mendje njëkohësisht le të bëjmë një sy qorr, një vesh shurdh dhe të anashkalojmë këtë mospërputhje. Kthehemi ku ishin. Pra, çfarë urtie transmetojnë përfaqësuesit/et e psikologjisë që kanë marrë përsipër t’I flasin masës dhe që kryesisht e çuditërisht e janë gra të reja, të pispillosura?! Dhe, tek e fundit, a kjo është detyra e tyre, të japin opinione?? Kryesisht japin mendime siperfaqësore, të përgjithshme dhe të ditura. Ndoshta jo edhe aq për faj të tyre. Diskutimi I fenomenit nuk lejon të jesh specifik. Rëndom mund të dëgjosh një psikolog/e të thotë që varfëria ndikon tek dhuna në familje apo mentaliteti ndikon tek diferencat gjinore. Pa dyshuar aspak në vertetësinë e këtyre frazave të pergjithshme, lind një pyetje: vertet duhet të besh një universitet të terë për të arritur në një urti të tillë? Ose, tek e fundit , po sociologët ku dreqin janë? Ç’duan psikologet ne fushën e tyre?.. Jo rrallë shikon që e njëjta fytyrë që merr përsipër të quhet psikolog/e, merr gjithashtu përsipër të flasë edhe për problemet e zhvillimit, edhe për konfliket në çift, edhe për festen e karnavaleve, edhe për krizën ekonomike. Vertet mund të jetë psikologu gjitholog kur I gjithë boshti I profesionit të tij është të qënit specifik? Normalisht dhe logjikisht jo, por me rëndësi është promovimi personal, mbushja e cv-së dhe fotot në rrjet. Paçka se psikologët janë gjithnjë e më shumë të përfshirë për numer dhe si hudhër, në diskutime televizive, në ojf, në institucione publike, përsëri pesha e ketij profesioni ngjan me një fantazëm, të gjithë dëgjojnë të flitet për të, pak kush e kupton dhe aq më pak besojnë në rendësinë dhe ekzistecën e saj. Nese ke pak njohuri mbi psikologjinë dhe ke durim të dëgjosh në televizor dikë që merr përsipër të flasë si profesionist\e, mund të degjosh “perla” të tipit: “instinkte të mesuar”, “semundja e autizmit”, apo “psikologjia e njeriut” Kjo e fundit është gafa më e shpeshtë, më e zakonshmja. Që të jemi të qartë: Njeriu nuk ka psikologji! Njeriu ka psikik. Psikologjia studion psikiken. Të ngatërrosh piskologjinë me psikikën është njëlloj si të ngatërrosh mjeksinë më shëndetin. Pra, të mos thuash shendeti i njeriut, por mjeksia e njeriut! Për t’a mbyllur le të kthehemi ku e nisëm. Detyra e psikologut është të jetë dëgjues i mirë ,si kushti primar për të kuptuar. Kur nuk mjafton vetem dëgjimi për të kuptuar një të vertetë të mjegulluar, psikologët bëjnë kerkimet e tyre. Kerkime në literature, por edhe studime të mirfillta në terren,matje, teste, eksperimente etj. Rezultatet e këtyre kerkimeve mund të ndajnë psikologët me publikun, jo opinione dhe mufka për të mbushur kohën televizive dhe Curriculum-n Vital. Për këto rezultate ka nevojë masa, jo per opinione të ngjashme me ato që degjon tëk berberi, tek dygjani I bukës, në kafe dhe sidomos në rrjet. Ndaj lavdi Zotit që nuk degjohen psikologët. Tek ta duhet të drejtohemi, jo për t’u degjuar urtinë (në kuptimin fisnik të fjalës urti), por për të kuptuar veten tonë. Për të kuptuar forcat që na shkatrrojnë, apo forcën që kemi dhe e shkatërrojmë. P.s. Me rendësi të theksoj:Gjithë çka lexuat më lart është përshtypje. Përshtypje personale. Po të merrja përsipër të flisja si psikolog(për çka jam diplomuar, në fakt) patjeter që ky shkrim do të kishte, të paktën disa referenca.




