‘Po mbështet diktatorin shqiptar’/ Andi Bushati debat me Preç Zogajn për lëvdatat e Blinken ndaj Ramës

Andi Bushati dhe Preç Zogaj debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për lavdërimet që sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken bëri sot në Tiranë për kryeministrin Edi Rama duke e quajtur ndër të tjera “udhëheqës të shquar”.

Bushati tha se deklaratat janë mbështetje për diktatorin shqiptar, siç e quajti Ramën, ndërsa Zogaj tha se Rama është një kryeministër me shumë probleme, por SHBA dhe politika amerikane është përtej qeverisë sonë dhe emrave.

Pjesë nga debati

Andi Bushati: Ato që thotë Blinkeni janë një politikë e sendërzuar për mbështetjen e diktatorit shqiptar. Prandaj unë them se duhet të jesh idiot sot që t’i thuash vetes që jam edhe me politikën amerikane dhe jam kundër Edi Ramës. Këto të dyja si dy kunguj në një sqetull nuk mbahen.

Preç Zogaj: Kjo është një insinuatë thjeshtëzuese e Bushatit. Ti mund të jesh kundër vizitës së Blinken. Edhe unë jam kundër shumë gjërave që nuk ndodhën. Politika amerikane është shumë më tepër në raport me politikën me një qeveri. Nëse ti e quan Shqipërinë diktaturë dhe Amerika po mbështet një diktaturë, kjo është plotësisht spekulative.

Andi Bushati: Kjo është e vërteta e hidhur.

Preç Zogaj: Ai mund të mbështesë një kryeministër për një pjesë prej nesh se ai votohet këtu. Rama është një kryeministër me shumë probleme, por SHBA, politika amerikane është përtej qeverisë sonë dhe emrave.

Neritan Sejamini: Ata një autokrat po mbështesin.

Preç Zogaj: Autokrat apo diktator, se tani na keni ngatërruar edhe me termat? Diktator që të gjithë flasin kundër tij! Nuk të lejon diktatori ashtu. Ky (tregon Andi Bushatin) ka 10 vjet që flet kundër Edi Ramës.

Andi Bushati: Gjithë e majta franceze i ka thënë De Golit diktator. Mos u merr me termin. Një antidemokrat, që të biem dakord mbi termin.

Share it :