Tabaku: Kur pushteti godet gazetarët dhe operatorët, tregon se pushteti ka frikë nga kamerat

Tabaku: Kur pushteti godet gazetarët dhe operatorët, tregon se pushteti ka frikë nga kamerat

Nga Jorida Tabaku

Kur një gazetare goditet në fytyrë teksa raporton live

Kur një operator përfundon nën presionin e ujit vetëm sepse po filmonte të vërtetën.

Atëherë problemi nuk është më vetëm një protestë. Problemi është pushteti që fillon të ketë frikë nga kamera.

Pamjet e djeshme ndaj ekipit të Syri TV janë të rënda dhe të papranueshme.

Marsi Korreshi dhe Armando Varfi nuk ishin protestues. Nuk ishin pjesë e përplasjes. Ishin aty për të bërë detyrën e tyre: për të informuar publikun.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kjo ngjarje është kaq shqetësuese.

Sepse demokracia nuk matet nga mënyra si trajton ata që duartrokasin pushtetin. Demokracia matet nga mënyra si trajton ata që raportojnë, kritikojnë dhe dokumentojnë realitetin.

Një shtet që i drejton forcën medias gjatë raportimit live nuk po demonstron forcë. Po demonstron pasiguri. Po demonstron frikë nga e vërteta.

Si Kryetare e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut kërkoj transparencë të plotë mbi këtë incident dhe përgjegjësi institucionale. Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë rendin, por po aq ka detyrimin të mbrojë standardet demokratike dhe sigurinë e gazetarëve në terren.

Prej vitesh Shqipëria po rrëshqet në indeksin e lirisë së medias. Gazetarë të intimiduar. Media nën presion ekonomik e politik. Gjuhë linçuese ndaj reporterëve. Dhe tani, gazetarë të goditur fizikisht gjatë raportimit.

Këto nuk janë episode të shkëputura. Janë simptoma të një klime që po normalizon presionin ndaj medias.

Solidaritet i plotë me Marsi Korreshin, Armando Varfin dhe çdo gazetar që vazhdon të raportojë nën presion.

Sepse e vërteta nuk mbytet me ujë me presion. Dhe demokracia nuk mbrohet duke goditur ata që mbajnë kamerën ndezur.

Share it :