ONM-ja pa mandat kushtetues

ONM-ja pa mandat kushtetues

Nga Bledi J Dervishaj/

Shumë shkurt për vendimmarrjen më të fundit të Gjykatës Kushtetuese për përfshirjen e ONM-së në procedurat rishikuese për vendimmarrjet e KPK-së dhe KPA-së.

Rregullorja e re, e miratuar nga Gjykata Kushtetuese, në vlerësimin tim, është antikushtetuese.

Së pari, Gjykata Kushtetuese e ka të ndaluar të krijojë norma të reja kushtetuese; ajo bën vetëm interpretimin përfundimtar të normave ekzistuese. Në rastin konkret, sa i takon procesit të vettingut, në Kushtetutë parashikohet vetëm roli i Gjykatës Kushtetuese për çështje të papërfunduara nga KPK-ja dhe KPA-ja. Ne nuk jemi në këtë situatë. Çështjet e vettingut kanë përfunduar dhe ato që janë objekt shqyrtimi nga kjo gjykatë lidhen me rishikimin për shkak të vendimmarrjes së GJEDNJ-së. Këtu kemi ometim – vakum – boshllëk ligjor. Ky boshllëk nuk plotësohet dot me rregullore të Gjykatës Kushtetuese dhe pikë.

Së dyti, dhe më themelorja, përfshirja e ekspertëve të ONM-së në procesin e rishikimit është hapur antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk mund të barazojë, përmes një rregulloreje, rishikimin e vendimeve përfundimtare pas një vendimmarrjeje të GJEDNJ-së me shqyrtimin e ankimeve të papërfunduara dhe, mbi këtë barazim, të ringjallë një ekspertizë ndërkombëtare të ONM-së që ka pushuar së ekzistuari automatikisht pas vendimmarrjes së fundit të KPA-së. Sepse nuk mund të ndodhë që mandati i organeve të vettingut, KPK-së dhe KPA-së, të ketë përfunduar, ndërsa ai i organeve ndërkombëtare monitoruese të tyre të vijojë. Vazhdimi i rolit të ONM-së në procesin rishikues kërkon një bazë të posaçme kushtetuese ose ligjore, e cila duhet identifikuar.

Të mos harrojmë se pozita e Gjykatës Kushtetuese në republikën parlamentare është pikërisht për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe për të mos vënë në diskutim sovranitetin e vendimmarrjes së saj.

Nëse lejon që një organizëm ndërkombëtar, pa mandat kushtetues, të futet në derën e shtëpisë, bile deri në tryezën e diskutimit, atëherë ti nuk je më trupë gjyqësore kushtetuese sovrane. Lejimi me rregullore i pranisë së personave të tjerë gjatë bisedimeve dhe votimit, ndërkohë që vetë neni 72, pika 1, i ligjit organik e ndalon këtë prani, është i papranueshëm.

Së treti, kompetenca që Gjykata Kushtetuese ka për rishikim nuk sjell automatikisht vazhdimin e gjithë mekanizmit të jashtëzakonshëm dhe kalimtar të vettingut. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kompetent, ONM-ja, nga ana kushtetuese, nuk e ruan në këtë procedurë rishikuese rolin që kishte më parë, sepse askund nuk është përcaktuar një gjë e tillë: si, sa, deri kur dhe çfarë përfshin ky rol?! Vazhdimësia e kompetencës gjyqësore dhe vazhdimësia e kompetencave të monitorimit nga ONM-ja nuk janë e njëjta gjë.

Në rastin konkret, në vlerësimin tim, Gjykata Kushtetuese, pra shtatë anëtarë të saj në atë vendimmarrje, kanë shkelur hapur nenin 124 të Kushtetutës, i cili parashikon se: Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Unë nuk e di se kujt mund t’i jetë nënshtruar Gjykata Kushtetuese në këtë rast, por fakti është se Kushtetutës nuk i është nënshtruar.
Tani pyetja themelore mbetet:

– Kush do ta gjykojë antikushtetutshmërinë e rregullores së Gjykatës Kushtetuese, të miratuar me vendimin nr. 13, datë 02.11.2026?
Për dreq, edhe numri i vendimit, edhe shuma e dy numrave të parë të datës japin numrin e tersit (13)

Share it :