‘Rama dhunon studentët, 1 milion shqiptarë i ka larguar nga vendi’/ Spaho: PD në krah të studentëve…
ftuar në një intervistë në SYRI TV, nënkryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Jurgen Spaho, deklaroi se të rinjtë demokratë dhe strukturat e PD-së nga Tirana dhe rrethet do t’i bashkohen protestës studentore para Kryeministrisë.
Spaho theksoi se Partia Demokratike nuk synon të marrë autorësinë e protestës, por të mbështesë studentët, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe policinë për dhunën ndaj protestuesve.
Ai paralajmëroi gjithashtu për tentativa të mundshme të grupeve ekstremiste për të linçuar opozitën.
Duke renditur problematikat me të cilat përballen të rinjtë dhe qytetarët, Spaho u ndal te mungesa e kampuseve studentore, nepotizmi, degradimi i arsimit dhe mungesa e drejtësisë.
“Dhunë është të largosh 1 milion shqiptarë nga Shqipëria për 10 vite. Dhunë është të paguash 3.4 milionë euro për Kanye West dhe të mos kesh ilaçe te Onkologjiku”, deklaroi Spaho.
Pjesë nga intervista:
Siç dhe kryetari i Partisë Demokratike e ka deklaruar, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe anëtarë të Partisë Demokratike nga rrethet dhe nga Tirana pritet të bashkohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të grumbullohen para Kryeministrisë, për t’iu bashkuar protestës së studentëve.
Tani, kjo është ajo që mund të themi. Se çfarë do të ndodhë më vonë, mbetet për t’u parë. Kemi informacione nga grupe ekstremiste se mund të ketë tentativa për të linçuar opozitën, por do të mundohemi t’i menaxhojmë dhe t’i bëjmë publike të gjitha ato tentativa që do të ndodhin.
Protesta arriti masivitetin e vet në një moment kur ishte protestë studentore. Nuk ishte protesta e askujt, por ishte protesta e të gjithëve.
Nga ana tjetër, ne nuk duam që të gjithë studentët të jenë demokratë, absolutisht që jo. Ne duam që të gjithë demokratët të shkojnë në mbështetje të studentëve, për të pasur numra, sepse çështja e protestës në këtë fazë që jemi ka arritur në një format të ulët, në ndryshim nga ditët e para kur nisi. Ka arritur në atë fazë ku sot nuk ka aq njerëz sa pretendohet dhe kjo është për faj të disa grupimeve ekstremiste që mendojnë se janë pronarë të protestës.
Ne nuk duam të marrim autorësinë e protestës, ne jemi në mbështetje të studentëve.
Ka pasur një dhunë të tmerrshme nga ana e policisë, jo proporcionale, me një skenar shumë të shëmtuar nga Ervin Demo dhe nga Edi Rama. Është sulmuar selia e Partisë Demokratike për çështjen e studentëve. Aty, po, janë futur studentët dhe janë futur për t’u mbrojtur, dhe ajo seli do të jetë në mbrojtje të studentëve gjithmonë.
Partia Demokratike është një parti që ka lindur nga studentët, nga të rinjtë, dhe vazhdon të jetë në mbështetje të të rinjve për çdo kauzë.
Nga ana e policisë po ushtrohet një dhunë së cilës po i bëhet një makijazh, që të duket sikur të dhunshmit janë studentët. Absolutisht që jo! Nuk është dhunë të thyhen 5 semaforë, nuk është dhunë të digjen 5 kazanë. Dhunë është të largosh 1 milion shqiptarë nga Shqipëria për 10 vite.
Dhunë është të paguash 3.4 milionë euro për Kanye West dhe të mos kesh ilaçe te Onkologjiku. Dhunë është që studentët vijnë nga rrethet në Tiranë dhe përballen me nepotizëm. Nuk kemi kampuse studentore, nuk kemi kurrikula, jemi të fundit për sa i përket arsimit. Kemi copëtuar arsimin, shëndetësinë dhe sistemin gjyqësor. Nuk kemi drejtësi. Kemi sjellë të gjitha gjykatat e apelit të Shqipërisë në Tiranë dhe një gjyq në Gjykatën e Apelit zgjat minimalisht 8 vite. Kjo është dhuna që i ushtrohet këtij kombi.




