Ofensiva e Ramës ndaj drejtësisë ngre alarmin për pengim të luftës anti-korrupsion

Ofensiva e Ramës ndaj drejtësisë ngre alarmin për pengim të luftës anti-korrupsion

Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për ndryshime ligjore që do të mundësojnë mbrojtjen e kabinetit të tij nga masa e pezullimit nga detyra shihen me shqetësim nga shoqëria civile për efektin që do të kenë në luftën kundër korrupsionit dhe në procesin e integrimit europian.

Kryeministri Edi Rama kaloi nga fjalët tek veprat në raport me drejtësinë të hënën, kur paralajmëroi një ofensive ligjore për të penguar Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme që të ndërmarrë masën e pezullimit nga detyra për ministrat e kabinetit të tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Deklaratat publike të Ramës erdhën si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që la në fuqi pezullimin nga detyra për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku duke rrëzuar pretendimin e Ramës se kjo përbënte cënim të kompetencave kryeministrore.

“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër i përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton,” shkroi Rama në platformën X, duke e justfikuar këtë me nevojën për garantim të pavarësisë së pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

Por paralajmërimet e tij u lexuan nga opozita dhe nga shoqëria civile si presion i hapur ndaj drejtësisë dhe kthim pas nga narrativa e luftës antikorrupsion, dhe për pasojë, si rrezik për ecurinë e procesit të integrimit europian.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se ky ishte një “presion i organizuar kundër drejtësisë”.

“Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh,” tha Bardhi në reagim publik pas deklaratave të kryeministrit.

Edhe për organizatat e shoqërisë civile, ky është një moment kritik për pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe një ndryshim kursi politik i mazhorancës, që nëse bëhet realitet, do të pengojë punën e tyre duke veshur me një imunitet shtesë ministrat dhe funksionarët para ligjit.

“Qëndrimi i kryeministrit është një akt kundër retorikës antikorrupsion dhe standardeve që duhet të plotësojë Shqipëria për të arritur objektimin e anëtarësimit në BE,” tha Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit.

Krasniqi sheh me shqetësim edhe anashkalimin e Kushtetutës dhe vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetutuese, si shkelje të standardeve demokratike.

Kjo, sipas tij, “tregon se Shqipëria rrezikon të devijojë në një vend ku Kushtetuta dhe institucionet nuk kanë vlerë dhe ku liderit politikë dhe mazhorancat e radhës mund ta inteprerojnë atë sipas qëllimeve të tyre politike”.

Krasniqi shton se nisma që paralajmron kryeministri u jep ministrave të tij një pushtet dhe imunitet që nuk e kanë, nuk ua njeh Kushtetuta dhe as praktika e vendeve të Bashkimit Europian.

“Po ashtu pengon hetimet e SPAK, duke refuzuar heqjen e imunitetit dhe krijon një hendek të thellë midis ekzekutivit e mazhorancës nga njëra anë dhe drejtësisë nga ana tjetër,” shton ai.

Edhe për Erida Skëndajn, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, nisma e kryeministrit lidhet me interesat e tij personale dhe cënon parimet themelore të shtetit të së drejtës.

“Të gjitha vonesat që janë krijuar nga mosekzekutimi i vendimit të GJKKO-së, shtyrja e paprecedentë e procesit vendimmarrës të Kuvendit për kërkesën për autorizimin nga SPAK për kufizimin e lirisë ndaj zv.kryeministres dhe tanimë edhe qëndrimi i Kryeministrit për të ndryshuar legjislacionin për të mos patur masa ndaluese të pezullimit të ekzekutimit të funksionit (për disa prej tyre), përbëjnë një qëndrim që pengon sistemin e drejtësisë për të zhvilluar një hetim efektiv, të plotë e të gjithëanshëm ndaj zyrtares në fjalë,” tha Skëndaj.

Sipas Skëndajt, Rama po synon ndryshime Kushtetuese, edhe pse shtoi se : “Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në interes të njërës apo tjetrës palë që ka mazhorancën qeverisëse, por vetëm në interes të publikut, konform parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe me një debat gjithëpërfshirës”.

Referuar ndarjes 4 me 4 të qëndrimeve të trupës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konfliktin e kompetencës, Skëndaj tha se kjo e “bën këtë çështje të debatueshme midis profesionistëve”.

“Në vlerësimin tim, ligjvënësi kushtetues shqiptar duhet të zgjedhë midis nevojës për ta patur një masë të tillë pezulluese në Kushtetutë ose jo. Në kushtet e Shqipërisë, kjo masë përbën në parim një kufizim të domosdoshëm dhe proporcional me nevojën që e dikton, që është lufta kundër korrupsionit shumë shqetësues në vendin tonë si dhe barazia para ligjit,” tha Skëndaj.

Ndërsa për Krasniqin, nuk ka asnjë paqartësi ligjore në këtë drejtim, pasi legjislacioni shqiptar lejon pezullimin deri shkarkimin edhe të Presidentit, edhe të Kryeministrit për raste kur ata rezultojnë me probleme me dekriminalizimin, që lidhet me deklarimin ose jo të rregullt, kurse për raste flagrante korrupsioni, abuzimi dhe keqpërdorimi të detyrës dhe buxhetit publik refuzohet apriori hetimi.

Sipas tij, synimet e mazhorancës janë të nxitura nga interesa personale dhe bien ndesh me standardet demokratike.

Në vendet e BE ka pasur e ka kryeministra dhe zyrtarë të lartë nën hetim, në çdo rast është dhënë dorëheqje ose është mundësuar hetimi pa pengesë imuniteti,” tha Krasniqi.

“Nëse tek ne ndodh e kundërta… ne humbim edhe konceptin formal të demokracisë, kthehemi në një regjim dhe japim shembull sesi nuk duhet të jetë demokracia dhe shteti i së drejtës,” përfundoi ai./ BIRN

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.