Ngjarja në Lazarat, vrasja  e efektivit të RENEA-s/ Rama: Ditë zie për Shqipërinë, turp e faqe e zezë për PD-në që i kërkon llogari policisë

Gëzim Saliu

Ditë zie për ShqipërinëTahiri: Ata që guxuan dhe qëlluan me armë ndaj policisë, do të marrin përgjigjen më të pashembullt

Vrasja e efektivit të RENEA-s në Lazarat u cilësua si një ditë zie nga Kryeministri Edi Rama pas vizitës që zhvilloi tek Spitali Ushtarak ku vizitoi dy efektivët e plagosur nga aksioni. Pasi i shprehu ngushëllimet familjarëve të Ibrahim Bashës, kreu i qeverisë nuk ngurroi të akuzonte PD-në lidhur me deklaratën e saj për ngjarjen në Lazarat. “Ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, punonjësit dhe familjen e Policisë së Shtetit, por besoj se çdo shqiptar dhe çdo familje që vlerëson ndershmërinë kurajon, shërbimin e policisë së shtetit dhe këtyre djemve sot ka zi. Duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së atij që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur dhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua të nënvizoj se duhet të ndihen vërtet keq ata që për faqen e tyre të zezë, edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, jo dhe aq në mënyrë direkte, paçin faqen e zezë”, – theksoi Rama.

 

Ministri i Brendshëm

Ndërkaq Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga Gjirokastra deklaroi dje se ata që qëlluan mbi policinë do të marrin përgjigjen e pashembullt. Duke kërkuar nga përfaqësuesit e politikës të dënonin këtë akt terrorist, Tahiri pohoi se policia është e gatshme të bëjë gjithçka për të garantuar që shteti ligjor të jetë i vlefshëm në çdo cm2 të Republikës së Shqipërisë. “Më lejoni ta shfrytëzoj këtë rast për t’i dhënë ngushëllimet më të sinqerta efektivit të RENEA-s që humbi jetën në mënyrë të padrejtë nga një akt terrorist dhe banditesk dhe uroj shërim të shpejtë për dy efektivët e tjerë që ndodhen në spital në gjendje, fatmirësisht, të mirë. Këto janë momente të vështira për Policinë e Shtetit, por unë kam besim që solidariteti i çdo shqiptari shkon për punonjësit e policisë që dhe në këto momente po vënë jetën në rrezik. Për ata që kanë guxuar dhe qëlluar me armë ndaj policie në këtë akt terrorist do të marrin përgjigjen më të pashembullt ndonjëherë. Në jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të garantuar që shteti ligjor vlen çdo cm2 i Republikës së Shqipërisë”, – deklaroi Tahiri. Në këtë kontekst, ministri i Brendshëm theksoi se qeveria dhe policia është e vendosur që të mos lejojë kriminelë dhe terroristë si ata që shtinë mbi efektivët e RENEA-s të shkaktojnë më tej situata të tilla. “I kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit për tu solidarizuar me policinë e shtetit dhe të ndihmojnë policinë. Në besojmë se banorët e ndershëm të Lazaratit janë krah me policinë kundër atyre që terrorizojnë banorët. U bëj thirrje përfaqësuesve të politikës në Gjirokastër dhe në Tiranë që të mos përdorin gjuhë me dy kuptime, por të dënojnë këtë akt terrorist dhe të rreshtohen me Policinë e Shtetit”, – deklaroi Tahiri.

 

Kryeparlamentari/ Meta: Policia e Shtetit u godit pabesisht, para drejtësisë shkaktarët e aktit kriminal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu dje solidaritetin e tij për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat, sipas tij, dje u goditën pabesisht nga dora kriminale, duke shkaktuar humbjen e jetës së efektivit të FNSH-së, Ibrahim Basha, dhe plagosjen e dy efektivëve të tjerë, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, Meta bëri të ditur solidaritetin me familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejt të dy efektivëve të tjerë që mbetën të plagosur në këtë aksion. Ndërkaq, Kryeparlamentari kërkoi nga të gjitha strukturat ligjzbatuese të nxjerrin para drejtësisë të gjithë shkaktarët e këtij akti kriminal dhe terrorist. Meta u bën thirrje gjithë qytetarëve të ndershëm të Lazaratit të distancohen nga akte dhe grupime të tilla kriminale dhe të mbështesin Policinë e Shtetit në goditjen e këtij grupi kriminal.

 

Lazarati, BE: Mbështesim policinë që po çon para luftën kundër drogës

Delegacioni i BE-së reagoi dje për ngjarjet në Lazarat, duke i shprehur ngushëllime familjes së efektivit të RENEA-s, i cili mbeti i vrarë si edhe shprehu keqardhje për dy oficerët e plagosur. Ndërkaq BE përshëndeti kurajën e oficerëve të policisë. “Oficerët e Policisë së Shtetit po i shërbejnë vendit të tyre. Ata po e çojnë para luftën kundër trafikut të drogës. Mbështesim ata që punojnë për zbatimin shtetit ligjor”, – thuhej në reagimin e delegacionit të BE-së. Po ashtu edhe Ambasada e Republikës Italiane në Tiranë iu bashkua dje përfaqësive të tjera diplomatike të akredituara në kryeqytet duke i shprehur ngushëllimet familjes së oficerit të policisë, i cili mbeti i vrarë dje ne Lazarat. “Ambasada e Italisë njëkohësisht konfirmon mbështetjen e saj ndaj Autoriteteve shqiptare në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, – thuhej në njoftim.

 

Ministrja e Mbrojtjes/ Kodheli: Basha nuk e kurseu kontributin për atdheun, valëviti krenarisht flamurin tonë në botë

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shprehu dje keqardhje për humbjen e jetës së Ibrahim Bashës, efektivit të RENEA-s që mbeti i vrarë në Lazarat. Përmes një mesazhi në “FB” Kodheli vlerësoi figurën e Bashës, si një person që ka dhënë kontribut të madh për atdheun. “Ngushëllimet më të thella për familjen e Ibrahim Bashës, oficer i Policisë së Shtetit, që humbi jetën në Lazarat në krye të detyrës. Basha, ish-oficeri i Forcave të Armatosura deri para pak muajsh, njeriu i cili nuk kurseu kontributin e tij për atdheun, sot nuk gjendet me mes nesh. Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes i janë mirënjohëse pa fund për kontributin e dhënë për valëvitjen krenar të flamurit shqiptar në botë dhe tanimë edhe për kontributin e tij në vendosjen e shtetit ligjor”, – shkruante Kodheli në “FB”.

Share it :