Ngecja e dekriminalizimit / Lu takon Bashën, kreu i PD-së: Vullnet për konsensus, nëse qeveria s’ka, vendosim me qytetarët

 

 

 

Basha ne PENgecja e konsensusit të parë mes palëve për çështjen e dekriminalizimit, pas dorëzimit nga qeveria në Kuvend të projektligjit për këtë proces, ka vënë në lëvizje ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu. Ai zhvilloi dje një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha, në selinë blu, ku shoqërohej nga një prokuror amerikan që do të ndihmojë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe që pritet të japë asistencë edhe për çështjen e dekriminalizimit. Ndërsa pas takimit, Lu nuk foli për mediat, kreu i opozitës shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund dekriminalizimit të politikës dhe administratës. “Ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët dua t’i falënderoj për këtë mbështetje që i japin kësaj kauze jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjithë hapat për ta zgjidhur këtë çështje”, – deklaroi ai. Më parë, kryedemokrati deklaroi se fokusi i demokratëve është zgjidhja institucionale brenda kornizës së marrëveshjes së 24 dhjetorit, në kuadër të komisionit të dekriminalizimit, “për të gjetur rrugën dhe gjuhën e përbashkët në mënyrë që ligji për dekriminalizimin të jetë një ligj efektiv dhe jo një ligj kozmetik, një ligj që me të vërtetë e bën të pamundur për personat me rekorde të tmerrshme kriminale të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike”. Në fund të reagimit të tij, kreu demokrat tha se dekriminalizimi do të bëhet dhe nëse mungon vullneti i mazhorancës, opozita do të vendosë më pas së bashku me qytetarët. “Nëse qeveria ka vullnetin të punojë mbi këto parime, ne kemi vullnetin tonë të plotë dhe sigurisht, përkrahjen e plotë të faktorit ndërkombëtar. Nëse jo, opozita do të marrë vendimet që i takojnë bashkë me qytetarët shqiptarë. Dekriminalizimi do të bëhet. Mirë është të bëhet me vullnetin e të gjitha palëve. Nëse jo, atëherë do të bëhet edhe përkundër mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë e veçanërisht kryeministrit Rama”, – pohoi Basha.

 

 

Share it :