Alda Gostima
“I vetmi gjah që unë arrij të zë gjatë ditës është i ngordhur ose i sëmurë, saqë nuk arrin të lëvizë”
Ndotja e mjedisit, ky fenomen kërcënues për natyrën dhe gjallesat në tokë, i ka vënë alarmin të gjithë popullsisë, pasi po çekuilibron dukuritë natyrore dhe po rritet numri i sëmundjeve kancerogjene. Në Shqipëri në shkallë alarmante nuk ka një vendgrumbullim të tyre, i gjejmë kudo në rrugë, lumenj e në dete. Kjo problematikë nuk kurseu as lumin Shkumbin pa e përfshirë. Të gjitha mbetjet urbane të Bashkisë së Elbasanit, Përrenjasit e Librazhdit i gjejmë në të gjithë gjatësinë e këtij lumi. Për të mos lënë mënjanë edhe ujërat e zeza, të cilat jo vetëm kundërmojnë erë të keqe, por janë edhe shkak i sëmundjeve të rënda për shëndetin e njeriut dhe zhdukjes së gjallesave ujore duke shkatërruar ekosistemin. Të gjithë fshatrat që shtrihen përgjatë vijës së lumit janë faktorët kryesorë të cilët investojnë me këto mbetje pa e kuptuar që po shkatërrojnë veten dhe jetën e fëmijëve të tyre. Muriqani është një ndër këto fshatra, i cili shpeshherë bëhet problematik me daljen e lumit nga shtrati, ku arsyeja kryesore sipas specialistëve është bllokimi nga mbetjet urbane, prerja e pemëve edhe gërryerja e shtratit të lumit për të marrë inertet si: zhavorr dhe rërë. “Ky është një shkatërrim që po i bëhet lumit, por edhe ne njerëzve që jetojmë aty pranë tij. Unë çdo ditë dal për të gjuajtur peshk, sepse është e vetmja mundësi për të siguruar bukën e fëmijëve në këtë zonë. Por kjo gjallesë po shkon drejt zhdukjes. I vetmi gjah që unë arrij të zë gjatë ditës është i ngordhur ose i sëmurë, saqë nuk arrin të lëvizë. Ka dhe nga ato ditë fatkeqe kur dal duarbosh e rrjetat e mia nuk kanë zënë asgjë. I bëj thirrje Bashkisë, kryetarit të saj të vijë e të na zgjidhë këtë shqetësim sepse kështu nuk vazhdohet më”, – u shpreh zoti N. B., banor i fshatit Muriqan. Ndërsa një zonjë e këtij fshati na tregoi që shpeshherë ata u kanë dërguar letra edhe organeve përgjegjëse të mjedisit. “Nuk janë vetëm mbetjet urbane dhe ujërat e zeza, ne kemi një problem shumë shqetësues tjetër, që na vjen nga një pulari e fshatit. Çdo shpend i ngordhur, të brendshmet e tyre dhe çdo mbetje e nxjerrë nga kjo pulari hidhen në kanalin kryesor të fshatit, i cili derdhet në Shkumbin. Jo vetëm që aty nuk kalohet më, por ne po na ngordhin kafshët tona, sepse infektohen nga sëmundjet e ndryshme. Askush nuk merr masa,këtu nuk jetohet më”, – tha zonja L. G. Kanali ndodhet buzë rrugës kryesore së fshatit dhe kalimi bëhet edhe më i vështirë. Muriqani, fshati fushor i shtrirë buzë lumit Shkumbin, ku mbijetesa është e vështirë dhe mbështetjen banorët e kanë gjetur në bujqësi dhe blegtori, e ku fshatarët ujisin me ujin e ndotur të lumit. Fshati i cili po tretet dalëngadalë nga mbetjet urbane e ku politikanët ia gjejnë rrugën vetëm në fushatën zgjedhore. Lumi Shkumbin derdhet në plazhin e Divjakës dhe vërehet që gjatë grykëderdhjes së tij në det është i mbushur me mbetje urbane, të cilat bëhen problem për pushuesit që detyrohen të largohen nga vendi. Ky është një tjetër problem shqetësues në turizmin e vendit që sjell ndotja e lumit. Ka reagime të shumta nga ambientalistët edhe organet kompetente, por akoma nuk janë marrë masat e duhura për ndalimin e këtij fenomeni kancerogjen, si për natyrën edhe për vetë shëndetin e njeriut. Gjithashtu premtime janë bërë gjatë fushatave elektorale për zgjidhjen e këtij problemi por ashtu siç ne po e vëzhgojmë këto premtime i gjejmë të shkruara vetëm në letrat e zyrtarëve dhe kandidatëve drejtues të vendit. Derisa qeveria dhe popullsia të ndërgjegjësohen për këtë problem jo të vogël, urojmë dhe shpresojmë që natyra të tregohet akoma e duruar dhe e butë me ne.




