Ministrja mungon, pacientët vuajnë…’/ Bardh Spahia denoncon neglizhencën dhe kolapsin në shëndetësi

Ministrja mungon, pacientët vuajnë…’/ Bardh Spahia denoncon neglizhencën dhe kolapsin në shëndetësi

Deputeti i PD, Bardh Spahia, në seancën e sotme parlamentare ngriti shqetësimin për injorimin që pushteti ekzekutiv po i bën institucionit ligjvënës përmes mungesës së ministrave në seancat parlamentare. Ai theksoi veçanërisht mungesën e vazhdueshme të Ministres së Shëndetësisë në përballjet me deputetët, pavarësisht kërkesave të përsëritura për interpelanca dhe dëgjesa mbi çështje urgjente që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Spahia iu referua edhe gjetjeve të Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke denoncuar mungesën e dhjetëra barnave në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe në spitalet rajonale, si dhe mungesën e aparaturave jetike, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe transparencë nga qeveria.

Bardh Spahia: Fjalën për procedurë për të shprehur një shqetësim konstant në lidhje me injorimin që pushteti ekzekutiv po i bën parlamentit shqiptar, pra atij legjislativ. Nëpërmjet mungesës së prezencës së shumicës dërrmuese të ministrave, përfaqësues të qeverisë, në pothuaj çdo seancë të këtij parlamenti. Dhe këtu, pa diskutim, spikat mungesa e Ministres së Shëndetësisë, e cila prej muajsh tashmë kërkohet nga ne, përfaqësuesit e opozitës, për të dhënë shpjegime mbi disa problematika ekstremisht të rëndësishme, por edhe urgjente njëkohësisht. Kemi kohë që e kërkojmë Ministren e Shëndetësisë për dëgjesa në komision, për interpelanca, për mocione me debat, dhe për fat të keq, në shumicën absolute të rasteve është refuzuar përballja me deputetët e Parlamentit shqiptar. Duhet t’i kujtoj ministres, por edhe kolegëve, se bëhet fjalë për problematika të cilat prekin direkt atë çka kanë më të shtrenjtë shqiptarët: shëndetin dhe jetën e tyre. Nuk e themi vetëm ne si opozitë, në fakt pyetjet që do kishim për Ministren e Shëndetësisë, sigurisht që i referohen edhe atyre gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ngre shqetësime madhore. Sot që flasim, të paktën 26 preparate, ilaçe, alternativë e parë mungojnë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në qendrën më të specializuar të Shqipërisë. Sot që flasim, të paktën 31 preparate alternativë parë mungojnë në spitalet rajonale të Shqipërisë, përfshirë këtu, zoti kryetar, spitalin e Shkodrës, nga ku vij unë, spitalin e Durrësit, Elbasanit, por edhe të Korçës, nga ku vini ju. Pa folur këtu pastaj për mungesa të theksuara të disa prej aparaturave diagnostikuese dhe trajtuese të cilat janë jetëshpëtuese për pacientët shqiptarë. Siç janë brakiterapia, Pet-Scan-i, apo edhe trombektomia. Janë shtruar vazhdimisht ky shqetësim edhe nga gazetarët, por edhe nga ne, dhe akoma nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë që ne diskutojmë sot këtu për problematika me të cilat Shqipëria përballet dhe janë edhe të drejta, por mos harrojmë, ka njerëz tek onkologjiku që luftojnë për jetën dhe nuk kanë as edhe një minutë kohë për të humbur. Ndaj ju bëj thirrje të garantojmë dëgjesat me Ministren e Shëndetësisë dhe të sugjerojmë rialokim fondesh në kohë, në mënyrë që të zgjidhim në kohë reale.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :