Midis propagandës për integrim dhe pushtetit që refuzon të hetohet nga parlamenti
Nga Ndricim Kulla
Në rastin si demokracia jonë e kthyer në regjim institucionet pushojnë së qeni hapësira ku përfaqësimi dhe kontrolli ndërthuren për të prodhuar përgjegjësi, dhe kthehen në mekanizma të mbyllura që funksionojnë vetëm për të ruajtur vetveten, ndërsa gjithçka përreth tyre – fjala, dyshimi, kërkesa për sqarim , trajtohet si kërcënim dhe jo si pjesë e natyrshme e jetës demokratike. Dhe pikërisht ky çast duket se është bërë i përhershëm sot në regjimin e Edi Ramës, ku parlamenti, i konceptuar si tempulli i debatit dhe i transparencës, shfaqet gjithnjë e më shumë si një strukturë e blinduar, ku zhurma e seancave nuk arrin të fshehë boshllëkun e përmbajtjes dhe ku vendimmarrja duket e paracaktuar nga një vullnet që nuk pranon të sfidohet.
Në këtë realitet, refuzimi i përsëritur i komisioneve parlamentare hetimore të kërkuara nga opozita nuk është më një episod procedural apo një grindje e zakonshme politike, por një tregues i një deformimi më të thellë të vetë konceptit të pushtetit, i cili, në vend që të pranojë kontrollin si pjesë të legjitimitetit të tij, e sheh atë si rrezik për ekzistencën e vet. Dhe kur një pushtet fillon të mbrohet nga transparenca, ai në fakt pranon në mënyrë qartë dhe jo të tërthortë se ka shumë për të fshehur, sepse vetëm errësira kërkon të mbrohet nga drita, ndërsa e vërteta nuk ka nevojë për mure, për bunkerë, apo për procedura që e shtyjnë pafundësisht përgjigjen.
Kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore mbi çështje që kanë tronditur opinionin publik , nga marrëdhëniet e dyshimta me aktorë ndërkombëtarë të përfshirë në skandale, si rasti i përmendur i një ish-zyrtari të lartë të sigurisë në SHBA që u bë simbol i ndërthurjes së interesave politike me ato të lobimit dhe ndikimit të jashtëm, e deri te vendimmarrje të mëdha ekonomike si transformimi i portit të Durrësit, që prek jo vetëm ekonominë, por edhe sovranitetin ekonomik të vendit , janë refuzuar në mënyrë të njëtrajtshme, pa një argumentim të plotë dhe bindës, duke u mbështetur herë në arsyetime procedurale, herë në interpretime të ngushta të rregullores, dhe herë thjesht në fuqinë e numrave që një shumicë e konsideron të mjaftueshme për të mbyllur çdo diskutim.
Kjo sjellje krijon atë paradoks që nuk mund të anashkalohet, ndërsa në debatin publik flitet për integrim evropian, për standarde demokratike, për shtet të së drejtës, në praktikë refuzohet një nga instrumentet më themelore të parlamentarizmit modern, që është hetimi parlamentar si formë kontrolli ndaj ekzekutivit; dhe ky hendek midis fjalës dhe veprimit nuk është thjesht hipokrizi politike, por një mekanizëm që prodhon mosbesim, sepse qytetarët nuk gjykojnë mbi premtimet, por mbi faktet, dhe faktet tregojnë një tendencë të vazhdueshme për të bllokuar çdo proces që mund të ekspozojë vendimmarrjen ndaj një analize të pavarur.
Në një demokraci funksionale, komisionet hetimore nuk janë armë të opozitës kundër mazhorancës, por mjete të parlamentit kundër abuzimit të pushtetit, dhe refuzimi i tyre sistematik e zhvendos balancën institucionale në një mënyrë që e dobëson vetë shtetin, sepse heq një nga mekanizmat e pakët që mund të frenojnë përqendrimin e pushtetit; dhe kur kjo ndodh në mënyrë të përsëritur, krijohet një kulturë ku mosdhënia e llogarisë bëhet normë, ndërsa kërkesa për llogari paraqitet si destabilizuese, një përmbysje e rrezikshme e logjikës demokratike.
Argumenti se gjoja shumica parlamentare paska ka të drejtën të vendosë mbi çdo nismë, përfshirë edhe ato hetimore, është padrejtësi e fortë demokratike , sepse demokracia nuk është sundimi i shumicës, por mbrojtja e të drejtave të pakicës për të ushtruar kontroll dhe për të kërkuar transparencë; dhe kur shumica përdor numrat për të bllokuar çdo iniciativë që mund të vërë në diskutim veprimtarinë e saj, ajo nuk po ushtron thjesht një të drejtë procedurale, por po ndryshon natyrën e sistemit, duke e afruar atë me një formë të qeverisjes ku kontrolli bëhet i pamundur dhe përgjegjësia shpërndahet në mënyrë të paqartë.
Në këtë kontekst, rasti i refuzimeve të njëpasnjëshme të komisioneve për çështje me interes të lartë publik , për marrëveshje ekonomike strategjike, për përdorimin e fondeve publike, për marrëdhënie me aktorë të jashtëm që kanë pasur ndikim në politikën e brendshme , nuk është thjesht një listë episodike, por një model sjelljeje që tregon se regjimi ka zgjedhur të mbyllet edhe më tej , duke e konsideruar transparencën si armike dhe jo si detyrim; dhe kjo zgjedhje ka pasoja që shkojnë përtej politikës së ditës, sepse prek rëndë besimin në institucione, një element pa të cilin çdo sistem demokratik mbetet formal dhe i zbrazët.
Ndërkohë, retorika për integrimin evropian vazhdon të përdoret si një mbulesë në tym, sikur procesi i integrimit të ishte një çështje e deklaratave dhe jo e standardeve konkrete që duhen përmbushur në praktikë; por integrimi nuk matet me fjalë, matet me funksionimin e institucioneve, me aftësinë e tyre për të garantuar kontroll, transparencë dhe llogaridhënie, dhe në këtë kuptim refuzimi i komisioneve hetimore nuk është një detaj, por një tregues i qartë i një problemi më të madh që lidhet me mënyrën se si kuptohet dhe ushtrohet pushteti.
Kjo situatë ngre një pyetje të madhe që nuk mund të shmanget: a mund të vazhdojë një shoqëri të funksionojë normalisht kur mekanizmat e kontrollit bllokohen sistematikisht dhe kur çdo përpjekje për të hedhur dritë mbi vendimmarrjen refuzohet? Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por historia e sistemeve politike tregon se mungesa e transparencës nuk sjell stabilitet afatgjatë, por vetëm një qetësi të rreme, e cila shpesh prishet në mënyrë të papritur dhe të pakontrolluar, pikërisht sepse problemet e grumbulluara në errësirë nuk zhduken, por vetëm shtyhen.
Çështja nuk është vetëm politike, por edhe morale, sepse lidhet me raportin midis pushtetit dhe së vërtetës, dhe me gatishmërinë e atyre që qeverisin për t’u përballur me pyetjet që u drejtohen; dhe kur përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është heshtja ose refuzimi procedural, atëherë problemi nuk është më vetëm tek opozita që kërkon hetim, por tek vetë sistemi që nuk arrin të prodhojë transparencë, duke u mbyllur gjithnjë e më shumë në një logjikë vetëmbrojtjeje që e largon nga parimet mbi të cilat pretendon të ndërtohet.
Kështu, parlamenti nën diktatin direkt të Edi Ramës , në vend që të jetë vendi ku errësira shpërbëhet nga drita e debatit dhe e hetimit, rrezikon të mbetet një hapësirë ku errësira ruhet me kujdes, ndërsa drita konsiderohet e tepërt; dhe ky është ndoshta treguesi më i qartë se problemi nuk është më tek një vendim apo një refuzim i vetëm, por tek një mënyrë e të menduarit që e sheh pushtetin si diçka që duhet mbrojtur me çdo kusht nga qytetarët, dhe jo si diçka që duhet t’u shërbejë atyre.




