Meta: Shqipëria nën kërcënimin e ‘uzurpatorëve modernë’ dhe politikave të shkombëtarizimit
Presidenti i PL-së, Ilir Meta, në një postim në rrjetin e tij social Facebook u shpreh se 5 Maji nuk është vetëm një ditë përkujtimi për Dëshmorët e Atdheut, por edhe një thirrje për reagim ndaj asaj që ai e cilëson si kërcënim të lirisë nga “kuislingët dhe uzurpatorët modernë”.
Meta thekson se sakrifica e Qemal Stafës dhe mijëra të rinjve që dhanë jetën për vendin duhet të shërbejë si frymëzim për të mbrojtur interesin kombëtar, të cilin, sipas tij, qeverisja aktuale po e dëmton përmes politikave të shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Ai apelon për më shumë angazhim në ruajtjen e vlerave kombëtare, familjes dhe identitetit shqiptar, si rrugë për të garantuar lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Postimi:
LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
5 Maji është jo vetëm një ditë kujtese dhe nderimi, por edhe mirënjohje e reflektimi për sakrificën më sublime të Qemal Stafës dhe mijëra Dëshmorëve, të rinj e të reja, që dhanë jetën për Lirinë e Atdheut.
Vepra e tyre mbetet dritë udhërrëfyese, një thirrje e përhershme për të qëndruar gjithmonë vigjilentë dhe të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të Lirisë, të kërcënuar sot nga kuislingët dhe uzurpatorët “modernë”, që interesin kombëtar e trajtojnë si gjë pa vlerë, që i kanë shpallur luftë familjes dhe kombit, me politikat e tyre të shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Kujtimi i Dëshmorëve është një kushtrim për të shumëfishuar përpjekjet tona për mbrojtjen e Lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërise përmes mbrojtjes së vlerave tona më të mirat kombëtare, shoqërore dhe të familjes.




