Policia ndërhyn brenda lokalit te Tajvani! Efektivët e maskuar shoqërojnë 3 të rinj: Nuk kemi bërë asgjë! Po na shkelen të drejtat
Forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë edhe brenda ambienteve të bizneseve private përgjatë zonës qendrore të kryeqytetit me qëllim ndalimin e të rinjve. Efektivët kanë mësyrë së fundmi në ambientet e një lokali pranë kompleksit të “Tajvanit” te Parku “Rinia”, ku kanë shoqëruar forcërisht tre të rinj që ndodheshin brenda.
Gjatë momenteve të shoqërimit, të rinjtë kanë reaguar publikisht para medieve të pranishme, duke denoncuar se ndalimi i tyre po bëhet plotësisht pa asnjë shkak apo arsye ligjore.
Një prej të rinjve të ndaluar sqaroi para kamerave se policia e ka marrë vetëm sepse kishte me vete mjetet e tij personale sportive: “Po më shoqërojnë vetëm sepse kisha me vete kaskën e biçikletës dhe një antidjersë, më nevojiten për aktivitetin tim sportiv.”
Pavarësisht pretendimeve të të rinjve se po u shkelen të drejtat kushtetuese dhe se nuk ishin pjesë e akteve të dhunshme, efektivët e policisë kanë vijuar procedurën, duke i futura ata në furgonin e policisë për t’i dërguar drejt komisariatit për verifikim.




