Gazetarja: Brenda institucioneve ka persona që paguhen me taksat tona për të dhunuar protestuesit

Gazetarja: Brenda institucioneve ka persona që paguhen me taksat tona për të dhunuar protestuesit

Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po sigurohen selia e Partisë Socialiste dhe institucionet shtetërore gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë.

E ftuar në emisionin “Prime News24”, ajo deklaroi se, krahas forcave të Policisë, në disa prej godinave ka zyrtarë të pajisur me shkopinj dhe mjete të forta, të cilët, sipas informacioneve që ajo disponon, mund të përfshihen në përplasje fizike me protestuesit.

Në qendër të deklaratave të saj ishte edhe një episod i ndodhur dy ditë më parë pranë selisë së PS-së. Sipas Lalës, persona që ajo i identifikoi si zyrtarë vendorë kanë dalë nga ambientet e selisë me shkopinj në duar, në një moment kur protestuesit ishin afruar pranë godinës.

“Një qeveri që nuk ka besim te organet e zbatimit të ligjit dhe te policia e saj, e ruan selinë e vet me forcë paralele”, u shpreh gazetarja, duke vënë në diskutim përfshirjen e punonjësve të administratës në përballjen me demonstruesit.

Lala pretendoi se situata nuk kufizohet vetëm te selia e partisë në pushtet, por shtrihet edhe në institucione të tjera, përfshirë Ministrinë e Brendshme. Sipas saj, ka informacione për persona të pajisur me mjete të forta brenda godinave shtetërore, të cilët mund të dalin në përballje në rast se protestuesit tentojnë të hyjnë në to.

Gazetarja kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, qeveria po i paraqet protestat dhe pjesëmarrësit e tyre në publik. Ajo argumentoi se krijimi i një imazhi negativ për protestuesit mund të përdoret për të justifikuar reagimin e forcave të rendit.

Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte angazhimi i repartit special RENEA në terren gjatë protestave. Lala e cilësoi shqetësuese praninë e kësaj force elitare në përballjen me demonstruesit, duke theksuar se bëhet fjalë për një njësi të specializuar për ndërhyrje në situata të rënda kriminale.

Share it :