Para Kolegjit Penal, Armando Prenga nuk ka pranuar akuzat e Prokurorisë. Ai tha para Gjykatës se akuza nuk ka administruar provat në vendngjarje, ku u kërcënua me jetë nga Gjergj Cali. Prenga pranoi se ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje me armën që mbante me leje.
Ndërsa ishte duke pritur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e arrestit, deputeti Armando Prenga ka deklaruar se “pas vendimit përfundimtar të gjykatës do të dorëzojë mandatin e deputetit”. Prenga është shprehur i pakënaqur edhe me trajtimin në qeli. “Nuk jam në qeli VIP, më kanë futur në një bodrum ku nuk ka asgjë”, – u tha gazetarëve të cilët e pyetën nëse e kishte parë ndeshjen Shqipëri – Portugali. Gjykata e Lartë vendosi “Arrest me burg” për deputetin Armando Prenga, i përfshirë në konflikt me familjen Cali, para Komisariatit të Policisë Laç mbrëmjen e 4 shtatorit.
Masa e sigurisë
Para Kolegjit Penal, Prenga nuk ka pranuar akuzat e Prokurorisë. Ai tha para Gjykatës se akuza nuk ka administruar provat në vendngjarje, ku u kërcënua me jetë nga Gjergj Cali. Prenga pranoi se ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje me armën që mbante me leje. Më pas ai shtoi se, armën e ka pastruar. Gjatë seancës me dyer të mbyllura ku u përcaktua masa “Arrest me burg” për Armando Prendën, deputeti ka deklaruar se nuk është përshirë në konfliktin e ndodhur para ambientit të Komisariatit të Policisë Laç. “Nuk jam përfshirë në konfliktin para Komisariatit. Prokuroria s’administroi provat kur më kërcënuan”, është shprehur Prenga. Deputeti thotë se, është përfshirë vetëm në konfliktin me Gjok Calin duke sqaruar: “Qëllova në ajër me armën me leje, më pas e pastrova”. I marrë në cilësinë e të pandehurit, deputeti Prenga mohoi akuzën e prokurorisë së është përfshirë në konfliktin me armë para komisariatit. Ai tha se nuk ka përdorur në asnjë moment armë pa leje. Në dalje të gjykatës, Prenga nuk pranoi të prononcohej për mediet. Ndërsa për përfaqësuesin e tij ligjor, Baftjar Rusi provat e akuzës nuk justifikojnë masën e arrestit me burg.
Avokati i Prengës
Gjykata e Lartë ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për deputetin Armando Prengën. Gjykata e vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e deputetit nga policia me akuzën e plagosjes, kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Prenga u paraqit në mesditë në Gjykatë ndryshe nga paraqitja në Komisionin e Imunitetit. Në dyert e Gjykatës, Prenga ishte i buzëqeshur. I veshur me kostum gri, por pa kravatë, Prenga u përpoq të fshinte pranga duke mbajtur xhaketën të hedhur mbi duar. Avokati i Armando Prengës pas dhënies së vendimit e cilësoi si të padrejtë pasi sipas tij nuk ka asnjë provë. Baftjar Rusi tha se “hetimi nuk është i drejtë nuk është ligjor”. “Provat dhe me hetimet e deritanishme nuk justifikohet qëndrimi në burg dhe në bindjen time duke iu referuar akteve për përcaktim e masës duhet të ishte sot qytetar i lirë dhe jo me pranga”, – tha Rusi. Sipas tij, si kamerat e sigurisë ashtu edhe nga deklarimet e punonjësve të policisë nuk vërtetojnë që Prenga ka qenë pjese përleshjes së ndodhur mes dy familjeve Prenga dhe Cali jashtë ambienteve të komisariatit të policisë në Laç. “Nuk ka as ruajte të vendin të ngjarjes dhe as këqyrje. Realisht nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë qoftë edhe indirekte apo nga kamerat e sigurisë të ambientet të komisariatit. Asnjë punonjës i policisë nuk thotë që deputeti ka qenë pjesë e ngjarjes. Dhe realisht nuk ka akuzë as të kanosjes dhe as të plagosje me dashje”, – u shpreh avokati i Prengës.
Gjergj Cali
Përveç deputetit, në Gjykatë janë paraqitur edhe të akuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë çështje. Seancat gjyqësore për masat e sigurisë zhvillohen me dyer të mbyllura (pa praninë e medies) ndërsa i pari që çeli këtë proces ishte Gjergj Cali, ndaj të cilit Gjykata vendosi të vlerësonte të ligjshëm arrestin dhe të vendoste masën “Arrest me burg”. “Më lanë në burg se kam sulmuar shtetin. Më kanë vrarë në polici brenda”, – ka thënë Gjergj Cali për median. Ky i fundit ka thënë se ka kërkuar ndihmë tek ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u ka thënë: “Të tana punët i ke në rregull”.
Masat e sigurisë:
- Gjergj Cali, arrest me burg
- Anton Leka, arrest me burg 1 muaj
- Armando Prenga, arrest me burg
- Gazmir Jushi, arrest me burg
- Nikoll Cali, arrest me burg
- Gjok Cali, detyrim paraqitje




