Protesta kombëtare më 24 tetor/ Shoqata e Policëve të Liruar apel efektivëve: Mos iu nënshtroni presioneve politike! Të shtunën, le të jemi pranë rinisë
Shoqata e Policëve të Liruar (SHPPL-2013) ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në vend, duke shprehur shqetësimin për përdorimin joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit ndaj të rinjve, gjimnazistëve dhe të miturve.
Përmes një deklarate publike, Shoqata u ka bërë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe efektivëve të respektojnë ligjin, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të garantojnë të drejtat e qytetarëve gjatë tubimeve.
Reagimi vjen në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar për të shtunën, më 24 tetor, ku Shoqata u bën thirrje anëtarëve të saj dhe qytetarëve të bashkohen në mbështetje të studentëve dhe të rinjve.
“Asnjë urdhër, presion apo interes politik nuk mund të qëndrojë mbi ligjin! Çdo veprim jashtë kornizës ligjore cenon të drejtat e qytetarëve dhe dëmton besimin e publikut te Policia e Shtetit”, thuhet në deklaratë.
Shoqata i është drejtuar veçanërisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke i kujtuar përgjegjësinë për të garantuar zhvillimin paqësor të protestës së së shtunës.
“Të shtunën, më 24 tetor, është njoftuar një protestë kombëtare. Detyra juaj është të garantoni ushtrimin e së drejtës për tubim dhe protestë paqësore, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin”, thekson Shoqata
Në deklaratë nënvizohet se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, ndërsa Policia ka detyrimin të mbrojë këtë të drejtë dhe jo ta pengojë në mënyrë të kundërligjshme.
Një mesazh i drejtpërdrejtë u është përcjellë edhe punonjësve të Policisë, të cilëve u kërkohet të mos e identifikojnë autoritetin e uniformës me përdorimin e forcës.
“Mos harroni se uniforma që mbani përfaqëson ligjin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Autoriteti juaj nuk qëndron te forca që përdorni, por te profesionalizmi, vetëkontrolli dhe respektimi i ligjit”, thuhet më tej.
Shoqata thekson se çdo shkelje e mundshme duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësitë ligjore të përcaktohen sipas procedurave përkatëse.
Në përfundim, SHPPL-2013 u bën thirrje anëtarëve të saj dhe qytetarëve të marrin pjesë në mënyrë paqësore në protestën e 24 tetorit, në mbështetje të studentëve dhe rinisë.
“Të shtunën, le të jemi pranë studentëve dhe rinisë, në mbështetje të së drejtës për të protestuar, të dinjitetit qytetar dhe të shtetit të së drejtës. Të bashkohemi me vendosmëri, përgjegjësi dhe në mënyrë paqësore, për një shoqëri ku ligji është i barabartë për të gjithë”, përfundon deklarata.
“Policia në shërbim të qytetarit, jo mbi qytetarin!”, është mesazhi përmbyllës i Shoqatës së Policëve të Liruar.
Reagimi i plotë:
SHPPL – 2013
📢 THIRRJE PËR PJESËMARRJE QYTETARE DHE APEL PËR POLICINË E SHTETIT
Shoqata e Policëve të Liruar (SHPPL-2013) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend dhe shpreh kundërshtimin e saj ndaj çdo përdorimi joproporcional të forcës nga uniformat e shtetit ndaj të rinjve, gjimnazistëve, vajzave dhe të miturve.
Policia e Shtetit ka ligje, rregullore dhe protokolle që detyrohet t’i zbatojë me profesionalizëm dhe paanshmëri. Janë pikërisht këto norma që garantojnë sigurinë publike, mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe sigurojnë që Policia të jetë në shërbim të ligjit dhe të shoqërisë.
Asnjë urdhër, presion apo interes politik nuk mund të qëndrojë mbi ligjin!
Çdo veprim jashtë kornizës ligjore cenon të drejtat e qytetarëve dhe dëmton besimin e publikut te Policia e Shtetit.
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të garantojnë që çdo efektiv të veprojë me vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe respekt të plotë për të drejtat e njeriut.
📢 NJË MESAZH I VEÇANTË PËR DREJTORIN E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT!
Të shtunën, më 24 tetor, është njoftuar një protestë kombëtare. Detyra juaj është të garantoni ushtrimin e së drejtës për tubim dhe protestë paqësore, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimet dhe pakënaqësitë e tyre. Policia ka detyrimin ta mbrojë këtë të drejtë, jo ta pengojë atë në mënyrë të kundërligjshme.
Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit!
Mos harroni se uniforma që mbani përfaqëson ligjin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Autoriteti juaj nuk qëndron te forca që përdorni, por te profesionalizmi, vetëkontrolli dhe respektimi i ligjit.
Çdo shkelje duhet të trajtohet me seriozitet dhe çdo përgjegjësi ligjore duhet të përcaktohet sipas procedurave përkatëse.
✊ THIRRJE PËR TË GJITHË ANËTARËT E SHPPL-2013 DHE QYTETARËT!
Të shtunën, le të jemi pranë studentëve dhe rinisë, në mbështetje të së drejtës për të protestuar, të dinjitetit qytetar dhe të shtetit të së drejtës.
Të bashkohemi me vendosmëri, përgjegjësi dhe në mënyrë paqësore, për një shoqëri ku ligji është i barabartë për të gjithë.
POLICIA NË SHËRBIM TË QYTETARIT, JO MBI QYTETARIN!
🇦🇱 SHPPL – 2013
Për ligjin, për qytetarin, për dinjitetin!




