Dhune dhe veprime arbitrare ndaj protesuesve/ Adriana Kalaja kallëzon në SPAK drejtuesit e Policisë dhe kryeministrin

Dhune dhe veprime arbitrare ndaj protesuesve/ Adriana Kalaja kallëzon në SPAK drejtuesit e Policisë dhe kryeministrin

Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorit të Policisë së Tiranës, drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe drejtuesve të disa komisariateve në kryeqytet, lidhur me dhunën e pretenduar ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe gazetarëve gjatë protestave të ditëve të fundit.

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, deklaroi se kallëzimi përfshin edhe persona të paidentifikuar, që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve gjatë tubimeve, shoqërimeve në polici dhe qëndrimit në komisariate.

Në deklaratën e saj, Kalaja thotë se, pavarësisht pamjeve dhe raportimeve mediatike për dhunën ndaj të rinjve, institucionet përgjegjëse nuk kanë nisur hetime kryesisht dhe nuk kanë ndërmarrë veprime hetimore për kallëzimin e depozituar nga PD më 14 tetor.

Deklarata për media e kryetares së Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja:

Në mbështetje të rinisë studentore dhe gjimnazistëve, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, kundër – Ministrit të Brëndshëm; Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Drejtorit të Policisë Tiranë; – Drejtuesit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore; – dhe Drejtuesve të Komisiariateve Nr.1, Nr.2, Nr.3, Nr.4 dhe Nr.6 të Tiranës, dhe cdo personi të pa identifikuar deri më tani, që ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe gazetarëve, në protestë apo gjatë shoqërimit dhe brenda Komisiariateve, si dhe çdo person tjetër që, me veprimet apo mosveprimet, rezulton që ka përgjegjësi penale për dhunën brutale të ushtruar ndaj protestuesve.
Kallëzimi ka si objekt veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarja e masave për të ndërprerë veprimet e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengimi në të drejtën për t`u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, dhe “Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve”, të gjitha veprimet të kryera “në bashkëpunim”, sipas parashikimit të nenit 25 te Kodit Penal dhe “në rrethana rënduese” sipas parashikimit të nenit 50 të Kodit penal, si dhe çuarjen e tyre para GJKKO.
Përveçse nuk kemi ende asnjë rast të nisjes ‘kryesisht’ të hetimeve, pavarësisht se dhuna barbare dhe çnjerëzore kundër të rinjve shihet në çdo raportim mediatik, nuk është bërë ende asnjë veprim hetimor lidhur me kallëzimin tonë të 14 tetorit.

Ndërkohë, dhuna policore pas datës 14 tetor, është intensifikuar dhe në ndihmë të kësaj dhune, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, Edi Rama ofroi 2500 euro për çdo polic.

Veprimet arbitrare të kryeministrit, si dhe ushtrimi i ndikimit të tij të paligjshëm për të rritur forcën e dhunës ndaj protestës, për të prekur fondin e emergjencës, vërtetojnë konsumimin flagrant të disa veprave penale, në bashkëpunim, për të cilin PD sot ka depozituar një kallëzimin shtesë penal kundër kryeministrit Rama dhe të njëjtëve persona të përmendur më lart, me vepra penale shtesë “genocide” ndaj popullatës dhe “ ushtrim I ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që kryejnë një funksion publik”

GJKKO i është kërkuar marrja e masës ‘pezullimi nga detyra’ për të kallëzuarit për shkak të pozicionit të tyre, dhe rrezikut potencial për Prishjen dhe manipulimin e provave dhe Intimidimin e dëshmitarëve.

Presim nga SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm që të kenë kurajon dhe të fillojnë hetimet ‘kryesisht’ për dhunën barbare ndaj të rinjve protestues, dhe të hetojnë referuar kallëzimeve tona penale.
PD jo vetëm do të jetë në krah të protestës, por edhe në përballjen ligjore të protestuesve dhe do të denoncojë e kallëzojë çdo rast dhune ndaj tyre dhe ushtruesit e kësaj dhune.

Share it :