E hijshmja
V.Murati
Hesiodi tregon se në dasmën e Kadmit me Harmoninë në qytetin e Tebës muzat kënduan për nder të çiftit të ri këto vargje, të cilat fill pas tyre, nisën t’i këndonin edhe të pranishmit: “Kush është i bukur, është i dashur, e kush nuk është i bukur, nuk është i dashur”. Këto vargje proverbiale, semiotiku Umberto Eco i sjell si përmendja më e dendur prej poetëve, në një farë mënyre shprehje e kuptimit të përgjithshëm që kishin grekët e vjetër mbi Bukurinë. Në librin “Historia e bukurisë”, përkthyer në shqip nga Shpëtim Çuçka, Eco në kreun e parë të saj, “Ideali estetik në Greqinë e vjetër”, i rikthehet perceptimit të bukurisë në Greqinë e vjetër, e cila nuk kishte në të vërtetë një status të mëvetësishëm. Madje, Eco pohon se grekët, së paku deri në kohën e Perikliut, nuk kishin një estetikë të mirëfilltë dhe në teori të bukurisë.
Prandaj sipas Ecos bukuria gjendej pothuaj kurdoherë e shoqëruar me vlerësime të tjera. Shembulli vjen nga orakulli i Delfit, që i përgjigjet pyetjes se cili ishte kriteri për vlerësimin e Bukurisë: “Kush është më i drejtë, ai është edhe më i bukur”. Eco kalon edhe në periudhën e artë të artit grek, ku bukuria është shoqëruar gjithnjë me veti të tjera, si “masa” dhe “përshtatshmëria”. Këtu historiani i bukurisë përmend një farë mosbesimi të fshehtë që kishin grekët ndaj poezisë dhe që do të shfaqej hapur te Platoni: Arti dhe poezia (pra, edhe bukuria) mund të kënaqin syrin ose mendjen, por nuk janë të lidhura drejtpërsëdrejti me të vërtetën. Prandaj vëren Eco nuk është e rastit që tema e Bukurisë shoqërohet kaq dendur me luftën e Trojës. Bukuria nuk del e përkufizuar as te Homeri. Megjithatë, thotë Eco, autori mitik i “Iliadës” i bën një përligjje të heshtur luftës së Trojës, duke i paraprirë shkrimit të bujshëm “Lavdërim i Helenës”, të sofistit Gorgia: bukuria e papërballueshme e Helenës që e shfajëson praktikisht vetë Helenën për të gjitha të këqijat e shkaktuara prej saj. Prej përcaktimeve që vijnë nga veprat e Homerit, për bukurinë e trupave mashkullore dhe femërore, Eco arrin në përfundimin se shfaqet një kuptim i vetëdijshëm i bukurisë.
E njëjta gjë thuhet edhe për poetët lirikë të mëvonshëm, duke përjashtuar Safon, ku tema e bukurisë konstatohet se nuk zë ndonjë vend të madh. Megjithatë, thotë Eco, kjo panoramë fillestare nuk përcaktohet plotësisht, nëse do ta shohim bukurinë në sytë e kohës sonë, ashtu si ka ndodhur shpesh në epoka të ndryshme ku paraqitja e bukurisë në të vërtetë ishte ose e rreme ose rezultat i projektimit në të kaluarën të një vegimi të kohës sonë. Eco arrin në një konkluzion se “e bukura është ajo që pëlqehet, që ngjall admirim, që tërheq vështrimin”. Kur një objekt i bukur është një objekt i cili nga trajta e tij kënaq shqisat dhe ndër to, në mënyrë të veçantë, syrin dhe veshin. Por kjo vlen për rastin e objektit thotë Eco, në rastin e trupit të njeriut një rol të madh marrin dhe vetitë shpirtërore dhe të karakterit, të cilat rroken më shumë nga sytë e mendjes sesa ata të trupit. Nisur vetëm nga kjo, sipas Ecos, mund të flitet për një kuptim fillestar të bukurisë, i cili lidhet me artet e ndryshme që e shprehin dhe nuk ka një tërësi të vetme rregullash; “nëpër himne bukuria shprehet në harmoninë e gjithësisë, në poezi shprehet te ajo gjë e magjishme që u fal gëzim njerëzve, në skulpturë shprehet me masën dhe simetrinë e duhur të pjesëve, në gojëtari shprehet me ritmin e saktë.




