Emisioni investigativ ‘Plug’ u transmetua në Syri Tv, mbrëmjen e 13 majit 2026
Pjesa e dytë
Kjo që ju treguam është vetëm maja e ajsbergut mbi abuzimet dhjetëra milionë euro më koncnensionin e Check Up. Në vijim, do t`ju tregojmë raportet zyrtare të shtetit, që faktojnë jo vetëm shumate financiare të grabitura me check up por edhe skemën e përdorur për të zhvatur në mënyrë shtetërore paratë e shqiptarëve me një shërbim, që u tha se do të ishte falas. KLSH ka audituar ndër vite zbatimin e kontratës së Chek Up duke faktuar sesi Edi Rama, Ilir Beqaj apo Ogerta Manastirliu, kanë firmosur miliona euro për Vilma Nushin, ndonëse kjo e fundit nuk kryente minimalisht as analizat për qytetarët shqiptarë
Ndonëse alarmi për koncensionin e Check Up ishte dhënë që përpara se të firmosej kontrata, abuzimet e para me paratë e qytetarëve shqiptarë, do të dilnin në pah në vitin 2018.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, kreu një auditim në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku zbardhi sesi qeveria po jepte miliona euro çdo vit për një shërbim të cilin nuk e merrte. Në përmbledhje të raportit, KLSH shkruante:
KLSH
Nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë CHECK-UP, rezultoi se, edhe këtë vit nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që, pagesat e marrë tepër nga koncesionari, për punën e pa kryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të arrijnë në 925 milion lekë. Megjithëse KLSH, në auditimet e mëparshme ka kërkuar që, koncesionari të paguhen vetëm për kostot fikse për rastet e pa kryera dhe jo vlera e shpenzimeve variabël, të cilat nuk ndodhin në rastin e një kontrolli bazë të pakryer, konstatohet se edhe këtë vit është vazhduar si vitet e mëparshme, duke sjellë rritje pa të drejtë të kostove buxhetore për këtë shërbim.

Siç shihet në vetëm tre vjet, qeveria i paguan Vilma Nushit rreth 10 milionë euro më shumë sesa duhet t`i paguante realisht. Situata rëndohet edhe më shumë, pasi, siç theksohet në raport, KLSH më herët kishte kërkuar që pagesat të kryheshin për njësi, pra sa analiza do të kryheshin për aq do të paguheshin. Por kjo nuk ka ndodhur. Më tej, KLSH shkruan se institucionet përgjegjëse nuk kanë vepruar, duke lejuar edhe pagesën e TVSH, e cila sipas ligjit për shërbimet shëndetësore nuk paguhet. Por për këtë do të flasim në vijim.
KLSH
Gjithashtu këtë vit, si edhe vitet më parë të implementimit të këtij shërbimi, për shkak të mosveprimit të strukturave shtetërore, vijohet të trajtohet edhe me TVSH, duke i sjellë shtetit një kosto shtesë të konsiderueshme, kështu: Për vitin 2018, kjo kosto shtesë llogaritet për 168 milion lekë (22 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 146 milion lekë TVSHja e faturuar e këtij shërbimi). Për gjithë periudhën e kohëzgjatjes së kontratës (2015-2018), kosto shtesë llogaritet për 801 milion lekë (241 milion lekë për shpenzimet variabël të kontrolleve të pa realizuara dhe 560 milion lekë TVSHja e faturuar e këtij shërbimi). Duhet thënë se në rastin e TVSH ka një mosveprim të unifikuar të disa institucioneve shtetërore të cilat pasojnë përgjegjësitë nga njëri tek tjetri.

Raportet e mëhershme, të auditimit në FSDKSH nuk gjenden në faqen e KLSH. Por Plug zbardhi përmbledhjen e një raporti auditimit të vitit 2016, pra vetëm një vit pasi kishte nisur të zbatohej kontrata koncesionare për check up.
Nga analizimi i të dhënave të këtij raporti, kuptohet qartë se drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer një procedurë tenderuese me fitues të paracaktuar, por këtij të fundit, pra kompanisë 3P Logistic e Vilma Nushit, i kanë ofruar kushte preferenciale në kontratë, duke i shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit.
Sipas KLSH, kontrata ka parashikuar kryerjen e 475 mijë kontrolleve mjekësore për qytetarët nga 35-70 vjeç. Dhe ky ishte vetëm numri dysheme i parashikuar, pra mbi këtë bazë do të kryheshin pagesat, ndërsa numri maksimal ishte rreth 900 mijë analiza në vit. Dhe nëse nuk arrihet ky numër, pra 475 mijë analiza të kryera në vit, qeveria do të subvencionojë diferencën e munguar për kompaninë, pra thënë ndryshe, qeveria do të pagunte çdo vit minimalisht për 475 mijë analiza, pavarësisht se mund të kryheshin shumë më pak, siç ka ndodhur në realitet.
KLSH
Në kontrata është përcaktuar se, pagesa e shërbimit do të bëhet me çmimin për njësi në vlerën 1,537 lekë dhe për sasinë minimale të projektuar në kontratë prej 475,000 kontrolle mjekësore në vit; dhe nëse nuk realizohet ky numër kontrollesh, atëherë koncesionari do të paguhet edhe për diferencat e kontrolleve të pa kryera. Ky kusht i kontratës ka lejuar dhe lejon hapësira për përdorim pa efektivitet dhe pa ekonomicitet të fondeve buxhetore. Konkretisht, zbatimi i kontratës ka filluar në muajin mars 2015 dhe për periudhën mars-nëntor 2015 janë paguar analiza të pa kryera për 104,444 raste, në vlerën 192,636,514 lekë.

Më tej, KLSH zbardh se Vilma Nushi nga koncensioni i Check Up kishte përcaktuar edhe vlerën e fitimit.
Sipas të dhënave të auditit dhe kontratës koncensionare, kompania e Vilma Nushit do të kishte një fitim neto vjetor prej rreth 20 milionë lekësh apo rreth 200 mijë eurosh, nga totali i xhiros prej rreth 7.3 milion eurosh që do të gjeneronte nga pagesat e buxhetit të shtetit.
Pra, në thelb, ky fitim duket i arsyeshëm, ndërsa sipas KLSH, Vilma Nushi në ofertën ekonomike që ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ka parashikuar që çdo vit do të shpenzonte rreth 2 milionë euro materiale konsumi për laboratorët.
KLSH
Në strukturën e shpenzimeve ka parashikuar shpenzime variabile që ndryshojnë në varësi të numrit të analizave të kryera dhe shpenzime fikse, që nuk ndryshojnë gjatë gjithë afatit të zbatimit të kontratës. Konkretisht ka parashikuar 190,000,000 lekë shpenzime variabël në vit për materiale konsumi laboratorike të cilat duhen për të bërë 475,000 analiza ose 400 lekë për analizë. Këto materiale janë material konsumi dhe përdoren në çdo analizë të kryer, pra konsumohen në vartësi të numrit të analizave, siç janë blerja e; betadinës, alkoolit, pambukut, leukoplastit, shiringave, ageve, reagjentëve, etj. Ndërsa, shpenzimet e tjera siç janë shpenzimet për: paga e mjekëve, laboranteve, infermiereve, sanitareve, administratorëve, shpenzime amortizimi, IT, etj, janë shpenzime të detyrueshme për ti kryer nga koncesionari dhe nuk ndryshojnë gjatë gjithë afatit të zbatimit të kontratës së koncesionit, pavarësisht i numrit të analizave te kryera apo të pa kryera.

Pra edhe në këtë pikë, del qartë se, koncesionari duhej paguar vetëm për vlerën e shpenzimeve fikse dhe për vlerën e fitimit të parashikuar dhe nuk duhej të paguhej për vlerën e materialeve të konsumit, sepse nuk i ka harxhuar këto.
Janë përdorur fonde buxhetore pa efektivitet dhe ekonomicitet në vlerën 50,133,120 lekë.
Jo vetëm nga auditimi i kryer nga KLSH, që në krye të herës, por edhe të dhënat e bilanceve në vitet e zbatimit të kontratës koncensionare, tregojnë se Vilma Nushi nuk kreu asnjë investim për laboratorët, pasi analizat u kryen në laboratorë të nënkontraktuar, për të cilët Plug do të flasë në një emision tjetër.
Nga bilancet e dorëzuara në QKB, rezulton se investimi i vetëm i kryer nga Vilma Nushi ka qenë blerja e automjeteve që merrnin analizat nga qendrat shëndetësore dhe i dërgonin në laboratorët e kontraktuar për të kryer analizat.
Kjo ngre dyshime dhe pikëpyetje edhe për sigurinë dhe cilësinë e kryerjes së analizave, ndërsa të dhënat e bilanceve rezulton se Vilma Nushi punësoi rreth 130 persona për këtë koncension dhe nuk hapi asnjë adresë dytësore për laboratorë.
I gjithë koncesioni funksionoi nga zyrat e M&D Distribution në Kashar.
Por le të kthehemi te KLSH, e cila pasi konstatoi vetëm një vit pas dhënies me koncension të shërbimit të Check up se kontrata ishte abusive me premisën e zhvatjes së milionave eurove të qytetarëve shqiptarë, I rekomandoi Ministrisë së Shëndetësisë të rishikonte marrëveshjen.
KLSH
Për sa më sipër rekomandojmë: Për të minimizuar riskun e mosplotësimit të numrit të kontrolleve, të cilat rezultojnë me kosto shtesë për buxhetin e shtetit, si dhe eliminimin e konflikteve administrative që mund të lindin me koncesionarin pikërisht për shkak të pagesës apo mospagesës së kontrolleve të pakryera, FDSKSH-ja ti kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë ndryshimin e kushteve të kontratës si më poshtë: “Shërbimi i kontrollit mjekësor bazë të zgjerohet duke përfshirë në trajtim edhe shtetasit e moshës mbi 35 vjeç.
Në raste se, numri i kontrolleve përsëri nuk plotësohet atëherë për kontrollet e pakryera koncesionari të paguhet vetëm për çmimin e paketës për njësi pasi ti zbriten më parë kosto e materialeve të pa konsumuara”.
“Në vijim të zbatimit të kontratës së koncensionit, nëse numri i kontrolleve do të tejkalohet mbi numrin minimal të projektuar në kontratë, atëherë koncesionari nuk do të paguhet për kontrollet e kryera mbi këtë numër deri sa të barazohet numri i kontrolleve të pakryera dhe të paguara gjatë periudhës mars 2015- prill 2016”.
Nisur nga fakti që me shkresën 4386/1, dt. 5.09.2016 Ministri i Shëndetësisë, ka shprehur dakordësinë e tij për këtë rekomandim dhënë në fazën e projektraportit të auditimit, kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar realizimin e rekomandimit brenda afatit 1-2 mujor, në të kundërt gjithë llogaritjet tona lidhur me realizimin e kësaj kontrate do të konsiderohet si shpenzim jo në përputhje me parimet bazë të menaxhimit financiar në administrimin e fondeve publike.

Në raportin e vitit 2018, KLSH tregon se pas rekomandimit për ndryshimin e kontratës, Ministria e Shëndetësisë, bëri disa ndryshime. Sipas raportit, ndryshimet në kontratë përfshinë zgjerimin e bazës së personave që përfitojnë nga Check Up, duke përfshirë moshën 35-70 vjeç nga 40-65 që ishte në kontratën fillestare.
Dhe gjithashtu, u ndryshua edhe mënyra e pagesës, ku parashikohej që nëse do të kryheshin më shumë se 475 mijë analiza në një vit, për pjesën shtesë të analizave të kryera, koncesionarit do t`i llogariteshin pagesat shtesë që kishte marrë nga shteti për analizat e pakryera.
Mirëpo, pavarësisht këtij ndryshimi kontraktual, edhe në vitin 2018, KLSH raporton se Ministria e Shëndetësisë vijoi të kryente pagesa me kushtet fillestare të kontratës. Madje, edhe pse u bë zgjerimi i grupmoshës së përfituese, përsëri nuk u arrit të plotësohej numri 475 mijë i parashikuar në kontratë.
KLSH
Pra për të gjithë periudhën e këtij shërbimi, kjo kontratë është realizuar për 72.46% e projeksionit, ndërsa është faturuar për 100% të tij, pra janë faturuar 924,711.6 mijë lekë më shumë se rastet e kryera të shërbimit. Me vite ky shërbim është realizuar si më poshtë: -Për vitin 2015, projeksioni është realizuar për 61.7% e projeksionit, ndërsa është faturuar për 279,263.8 mijë lekë më shumë; -Për vitin 2016, projeksioni është realizuar për 69.4% e projeksionit, ndërsa është faturuar për 268,256.5 mijë lekë më shumë; -Për vitin 2017, projeksioni është realizuar për 66.7% e projeksionit, ndërsa është faturuar për 292,147.9 mijë lekë më shumë; -Për vitin 2018, projeksioni është realizuar për 90.3% e projeksionit, ndërsa është faturuar për 85,043.4 mijë lekë më shumë. b.Shpenzimet për këtë shërbim llogariten nga shpenzimet variabël dhe shpenzimet fikse. Të paktën koncesionari për rastet e pa kryera duhej të ishte paguar vetëm për vlerën e shpenzimeve fikse për çdo kontroll bazë, dhe jo për vlerën e shpenzimeve variabël të parashikuara e që llogariten rreth 480 lekë për Check up (me TVSH), pasi koncesionari nuk ka kosto materiale për këto raste. Kështu vlera e shpenzimeve variabël për të gjithë periudhën, zë vlerën 240,656 mijë lekë.

Thënë ndryshe, qeveria bëri sikur ndryshoi kontratën, por vijoi të paguante me kontratën fillestare.
Ndryshoi bazën e përfituesve, por përsëri me dashje apo jo, kjo i mbetet SPAK ta vërtetojë, numri i analizave të kryera nga viti 2015 deri në 2018, ishte rreth 30% më pak se ai i parashikuari. Por pavarësisht kësaj, koncesionari, Vilma Nushi, mori pagesën e plotë, apo rreth 10 milionë euro më shumë sesa duhet të merrte në të vërtet.
Ndërkohë, edhe në raportet e viteve në vijim, deri në vitin 2025, rezulton se Ministria e Shëndetësisë i ka paguar Vilma Nushit miliona euro për analiza të pakryera.
Në vitin 2022, KLSH dorëzoi në Gjykatën e Tiranës një padi ndaj zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë, pas një raporti auditi të kryer në vitin 2021, ku ishin raportuar një seri shkeljesh, ku ndër ishin edhe abuzimet me pagesat për kontratat koncesionare.
KLSH
Nga auditimi i kryer janë evidentuar veprime të Drejtorit të Kabinetit pranë MSHMS, në cilësinë e Koordinatorit të Përgjithshëm të Projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor”, si edhe ish Drejtorit të FDSKSH-së lidhur me mos funksionalitetin e sistemit të menaxhimit finanicar në 420 QSH-ve, të kryera në kundërshtim flagrant me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë detyrën e tyre funksionale, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë konsumim të elementeve të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ky kallëzim, duket se krijoi presion te Ministria e Shëndetësisë, e cila në vend që të ndryshonte kushtet e kontratave koncesionare dhe pagesat për Vilma Nushin, rriti presionin ndaj punonjësve të sistemit shëndetësor që të detyronin qytetarët që të kryenin analiza, me qëllim që të kryheshin pagesat e plota kër koncensionarin.
Që në vitin 2018, pra periudhë në të cilën KLSH auditonte koncesionin, mediat denoncuan me zë dhe figurë presionin që ministria e Shëndetësisë nisi të kryente ndaj mjekëve për të rritur numrin e analizave për koncesionin e Check up.
Më vonë edhe Syri television, denoncoi me prova, gjobat që ministria e Shëndetësisë u vendoste mjekëve për mos plotësim të numrit të analizave të Check Up.
Dhe të dhënat, të cilat do t`i analizojmë në vijim, tregojnë se pas vitit 2021, edhe nëpërmjet mekanizmave të presionit dhe gjobave, nuk u arrit kurrë numri prej 475 mijë analizash të kryera për një vit. Nga të dhënat e fondit, ky numër deklarohet pranë këtij kufiri, por kurrë nuk u tejkalua.
NR I ANALIZAVE TE KRYERA SIPAS FDSKSH
PROJEKSIONI FAKT
2015 475 MIJË 244 420 PERSONA
2016 475 MIJË 329,555 PERSONA
2017 475 MIJË 316,601 PERSONA
2018 475 MIJË 428,891 PERSONA
2019 475 MIJË 482,716 PERSONA
2020 475 MIJË 101,426 PERSONA
2021 475 MIJË 164,982 PERSONA
2022 475 MIJË 454,828 PERSONA
2023 475 MIJË 467,663 PERSONA
2024 475 MIJË 461,376 PERSONA
TOTALI 4 750 000 3,452,458 PERSONA




