Masat e propozuara nga Rama/ Gazeta belge: Rikthim në komunizëm, megjithatë të rinjtë nuk tërhiqen

Masat e propozuara nga Rama/ Gazeta belge: Rikthim në komunizëm, megjithatë të rinjtë nuk tërhiqen

Disa qindra persona marshuan sërish të dielën në rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, i cili, përballë akteve të dhunës dhe dëmtimeve të pronës, synon të ashpërsojë në ditët në vijim legjislacionin për protestat.

LA LIBRE

Duke thënë se frymëzohet nga “modeli francez, kush dëmton paguan”, Edi Rama prezantoi një paketë masash gjatë një fjalimi me video, të transmetuar drejtpërdrejt të dielën në mëngjes në rrjetet sociale

Kushdo që zgjedh të qëndrojë në një turmë” që kryen akte dhune ose grabitje në hapësirat publike, apo “fsheh identitetin e tij”, rrezikon gjoba deri në 5.000 euro, deklaroi ai.

Kjo do të zbatohej për çdo lloj grumbullimi, “kur ai shkakton dëme materiale”.

Sipas këtij projektligji, policia do të autorizohet gjithashtu të “kufizojë grumbullimet deri në 72 orë” në zona të caktuara, “në rast të rrezikut të menjëhershëm për dhunë”, shtoi kreu i socialistëve, i cili është në pushtet që prej vitit 2013.

Teksti, i cili pritet të paraqitet javën e ardhshme, parashikon gjithashtu “kompensimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla” dhe “pezullimin” ose shkarkimin e personave që “nxisin, organizojnë ose koordinojnë pjesëmarrjen e nxënësve të mitur në grumbullime”.

Mësuesit kanë shprehur mbështetje për kërkesat e gjimnazistëve.

Që prej 13 tetorit, kryeqyteti Tiranë është bërë skenë e episodeve të dhunshme gjatë protestave, duke shënuar një përshkallëzim të lëvizjes së protestës që nisi në maj kundër një projekti ndërtimi në një rezervat natyror, i lidhur me dhëndrin e Donald Trump-it.

Mijëra persona, veçanërisht të rinj, kanë marrë pjesë në protesta për të denoncuar kushtet e këqija të studimit në universitete, korrupsionin dhe për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Kthim në komunizëm

Nga ana e tij, Edi Rama denoncon ndërhyrje nga jashtë. “Kushdo që kërkon dorëheqjen time gabon nëse mendon se ajo mund të imponohet me forcë”, deklaroi ai të dielën.

Megjithatë, këto njoftime nuk i penguan disa qindra protestues të marshonin pasdite në zemër të kryeqytetit.

Dy pensioniste shprehën, duke ruajtur anonimitetin, “shqetësimin” e tyre për këto “shkelje” të dukshme të të drejtave të njeriut, sipas tyre.

“Pse duhet të paguajnë prindërit për veprimet e fëmijëve të tyre, ndërkohë që kryeministri nuk mban përgjegjësi për anëtarët e qeverisë së tij ndaj të cilëve po zhvillohen hetime?”, pyet njëra prej tyre, e cila thotë se merr një pension prej 180 eurosh.

“Të censurosh llogaritë në internet që bëjnë thirrje për protesta, të arrestosh njerëz… kjo është si një kthim” në vitet e komunizmit para vitit 1990, vlerësoi nga ana e saj Frida, 29 vjeçe.

Edhe opozita e ka kritikuar ashpërsimin e planifikuar nga kryeministri socialist.

Paketa e propozimeve të tij “synon të mbytë protestat dhe të kontrollojë rrjetet sociale”, deklaroi për AFP-në nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

Këto manovra për të “cenuar” liritë e shprehjes dhe të tubimit “shkelin të drejtat themelore dhe bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian”, anëtarësimin në të cilin synon Shqipëria, tha ai.

Të dielën, në orët e para të mbrëmjes, shpërthyen disa përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit pranë selisë së qeverisë.

Një ditë më parë, sipas policisë, u arrestuan 23 persona. Trembëdhjetë të tjerë janë nën ndjekje penale dhe 30 persona janë “në kërkim”.

Në total, që nga mesi i tetorit, autoritetet raportojnë më shumë se 300 të plagosur dhe po aq persona të ndaluar.

Share it :