Investigimi/ ‘Krejt radarët i fik për ty’, Mesazhet kompromentuese të Hysenit me Agasin. Ja si përfshihet Gentian Sala në dosjen SHISH
Deri në shtator të këtij viti, të gjitha denoncimet ishin thashetheme të katundit politik e mediatik shqiptare dhe Vlora Hyseni ishte shoqëruesja kryesore e Edi Ramës në samitet botërore e çdo takim të nivelit të lartë.
Por tashmë do të ishte SPAK që do të konfirmonte se ato çfarë ishin denoncuar ndër vite nuk ishin thashetheme, por ngritja e një rrjete kriminale, që veç abuzimit me fondet e AKSHI-t kishte arritur që të vinte në shërbim të organizatave kriminale edhe SHISH, Institucionin më të rëndësishëm të SigurisëKombëtare.
Dhe Vlora Hyseni nuk ishte një person që kishte ngrënë mollë e dardha pas kurrizit, por siç del edhe nga përgjimet, ajo fliste me siguri në telefona, se Edi Rama mund të porosiste Drejtorin e Policisë për mosarrestimin e Ergys Agasit dhe radarët e Shtetit shqiptar fikeshin përballë Koordinatorit të Krimit dhe aktivitetit të organizatës së drejtuar nga ai.
Në datën 22 shtator, prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar do të njoftonte se ndaj Drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni ishin dhënë masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e dyshuar për konsumimin e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, konkretisht përkrahjes së autorit të krimit në rrethana cilësuese dhe zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete nga funksionarët publikë, me dënime që shkojnë respektivisht deri në 7 vjet dhe deri në 5 vjet burgim.




