Farsa e buxhetit/ Manipulimi me strehimin e të rinjve, si simbol i shtetit të të pasurve

Farsa e buxhetit/ Manipulimi me strehimin e të rinjve, si simbol i shtetit të të pasurve

Rama shpalli në kuvend se:“filozofia e këtij buxheti të ri, është që të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi që ta shpërndajmë atë më drejtë”. Po si qëndron e vërteta e shifrave

Edi Rama ashtu siç e kishte premtuar në përgjigje të protestave masive ka mbajtur sot në kuvend një fjalim ku ka prezantuar një buxhet dhe paketë fiskale që synojnë të ulin pabarazitë dhe të rishpërndajnë më mirë përfitimet e një ekonomie që sipas tij ka arritur këtë vit tavanin rekord të 10 miliardë eurove.

Pikërishtë për të bërë të mundur këtë qëllim kryeministri ka treguar se ka ardhur koha që të pasurit duhet të paguajnë më shumë, duke dyfishuar taksën për dividentin e ndarë në kompani, për të taksuar shtëpitë e dyta, makinat e luksit apo ujin e pishinave. Ky rikthim tek vlerat që përbëjnë thelbin e së majtës, një refren të cilin Rama e rimer sa herë është në nevojë, parasheh edhe masa për të pambrojturit e më pak të privilegjuarit, si zbritjen në 6% të TVSH për ushqimet e shportës, të ardhura plus për lindjen e fëmijëve dhe lehtësimin e strehimit për çiftet e reja. Pikërisht në këtë pikë është ndalur edhe Lapsi.al, për të zbërthyer farsën propagandistike të buxhetit që kryeministri prezantoi sot.

Pyetja themelore është: sa qëndron ajo që Rama e shkprehu këtë mërkurë si kredon e tij: “filozofia e këtij buxheti të ri, është që të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi që ta shpërndajmë atë më drejtë”.

Duke marrë si shembull strehimin dhe shpallur lehtësi për 10 mijë familje që sipas tij pritet të përfitojnë nga kjo qasje e re Rama deklaroi: “Parlamenti do të kalojë edhe një ligj, atë të strehimit, një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër, por edhe për ata që janë të rinj. Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë. Ne nuk mund ta pranojmë që kryeqyteti ynë bëhet gjithmonë e më i pasur, por ndërkohë një pjesë e të rinjve, që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe atyre qyteteve dhe që kontribuajnë me punën e tyre, ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur”.

Po për të kuptuar se ç’do të bëjë në të ardhmen është mirë të shikojmë se ç’kanë bërë qeveritë socialiste në 13 vite në krye të vendit. Duke ndjekur politikat e kullëzimit, të futjes së parave të zeza në ndërtim, ato kanë bërë të pamundur jo vetëm strehimin për të rinjtë, por në përgjithsi për këdo që do të jetojë me një pagë të ndershme.

Sot banimi, mbi të gjitha në Tiranë, është i pa aksesueshëm jo vetëm për të varfeit por edhe për shtresën e mesme që do të jetojë me pagë të ndershme. Pak ditë më parë revista ekonomike Monitor, publikoi një studim ku rezultonte se mundësia për të blerë një banesë në Tiranë ishte zvogëluar në krahasim me vitin 2013 kur Rama erdhi në pushtet. Aty dilte qartë në pah pabarazia midis ritmit të rritjes së çmimeve të banesave dhe rritjes së pagave.

Sipas këtij studimi për të siguruar një strehë duhej që të shpenzohej paga e 19 viteve ndërkohë që një dekadë më parë, kur Rilindja ishte në fillimet e pushtetit, mjaftonte paga e 13 viteve. Pra saktësisht në vitin 2014, mjaftonte paga e 13.1 viteve për tu bërë më banesë në kryeqytet.

Se sa i paaksesueshëm është strehimi në vendin ku qeveris Rama mund të bëhet edhe një krahasim me kryeqytetet e Evropës. Më i vështirën për banim në këtë klasifikim renditet Amsterdami, ku banorëve u nevojiten 15.4 paga mesatare bruto vjetore për të blerë një apartament 70 m². Pas tij renditet Athina, me 15.3 paga vjetore, ndërsa në vendin e tretë është Praga, ku duhen 15 paga vjetore për një banesë të ngjashme.

Kaq mjafton pasi ndryshe nga sa thotë Rama, se puna e qeverisë të tij ka qenë zgjidhja e problemeve të trashëguara, problemet si strehimi apo ato të keqshpërndarjes së pasurisë i ka krijuar një qeveri që ka punuar në favor të të pasurve dhe në dëm të të paprivilegjuarve.

E pavarësisht propogandës me taksimin e shtëpive të dyta apo të treta, apo ujit të pishinave kjo politikë do të vijojë edhe me buxhetin e ri, përsakohë mbahen në fuqi përjashtimi nga taksat i investitorëve strategjikë dhe i atyre që ndërtojnë kulla por nuk paguajnë taksën e ndikimit në mjedis se i regjistrojnë si hotele me 5 yje. Prandaj pavarësisht propogandës as strehimi për të rinjtë nuk ka shpresë të zgjidhet dhe as pabarazitë nuk do të zbuten me këtë qeverisje.

LAPSI.AL

Share it :