I dyshuar për lidhje me krimin, ish-prokurori ‘rikthehet’ tek komisioni i Xhafajt

Ish-prokurori i Elbasanit, Bledar Mustafaraj u largua me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë pas ekspozimit të një udhëtimi të tij me kreun e grupit Çapja në procesin e vetingut. Një vit më vonë, ai rikthehet si drejtor Juridik i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ekspert i nivelit të lartë në komisionin parlamentar të drejtuar nga Xhafaj. 

Pasditen e 31 janarit 2016 në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës në kufi me Maqedoninë e Veriut, katër burra u regjistruan teksa udhëtonin së bashku në të njëjtin automjet në drejtim të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin TIMS, njëri prej tyre ishte Ardian Çapja, një figurë e njohur e krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, ndërsa bashkëudhëtarët e tij ishin Bledar Mustafaj, asokohe prokuror në Prokurorinë e Elbasanit, Skënder Topi, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Elbasan si dhe Ravik Gurra, avokati i ndjerë i Çapjas.

Arsyeja e udhëtimit të përbashkët mes një prokurori dhe një personazhi të krimit të organizuar është e paqartë dhe mbeti për shumë vjet e mbuluar si një evidencë policore e kalimit në kufi.

Por në shtator 2023, ky udhëtim ngriti pikëpyetje për pastërtinë e figurës së prokurorit Bledar Mustafaraj në procesin e tij të vetingut, sipas dokumentit të rezultatit të hetimit administrativ që BIRN e disponon. Gjithsesi, këto të dhëna nuk u ballafaquan në shqyrtim administrativ, pasi Mustarafaj vendosi të largohej nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje.

Heqja dorë nga statusi i magjistratit gjatë procesit të vetingut i penalizon zyrtarët që të punojnë në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Megjithatë, kjo ndalesë nuk e pengoi ish-prokurorin Bledar Mustafaraj që të fitonte pozicionin e kreut të Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të rikthehej në skenën publike si një ekspert i nivelit të lartë në komisionin “antikorrupsion” të drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj.

Ish-prokurori Bledar Mustafaraj i tha BIRN përmes një bisede telefonike se “këto të dhëna nuk iu nënshtruan verifikimit dhe vlerësimit nga ana e KPK-së”, ndërsa pretendoi se rezultati i hetimit ndaj tij nuk duhej të ishte publik dhe kërkoi të mësonte burimin e informacionit.

I pyetur për lidhjet e tij me Çapjan dhe rolin në komisionin “antikorrupsion”, Mustafaraj tha: “nuk kam koment”.

Skënder Topi, ish-dekan dhe ish- rektor për dy mandate në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit pretendoi për BIRN se nuk “kishte lidhje me atë udhëtim”.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu i tha BIRN se Mustafaraj kishte aplikuar dhe ishte shpallur fitues për pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike “pasi ka plotësuar kriteret e vendosura nga institucioni”.

Kreu i Komisionit “antikorrupsion”, Fatmir Xhafaj dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi procesin e rekrutimit të Mustafarajt në pozicionin e ekspertit si dhe procedurën e ndjekur për përzgjedhjen dhe verifikimin e ekspertëve.

Ekspertët “antikorrupsion”

Komisioni i posaçëm parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i njohur gjerësisht si komisioni “antikorrupsion”, është një nismë e kryeministrit Edi Rama, e cila ka sipas tij për qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, kritikët e shohin këtë komision si një lëvizje propagandistike të Ramës për të sfumuar publicitetin negativ mbi rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë të partisë së tij në pushtet. Punimet e komisionit janë gjithashtu të njëanshme, pasi opozita ka refuzuar që të zërë vendet e caktuara në të.

Që prej konstituimit në fillim të qershorit, komisioni i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj ka rekrutuar 91 persona, të ndarë në 53 ekspertë të nivelit të lartë, 23 ekspertë që jetojnë jashtë Shqipërisë si dhe 15 punonjës si pjesë e Sekretariatit Teknik.

Numri i ekspertëve të nivelit të lartë në komisionin “antikorrupsion” të drejtuar nga Xhafaj është më shumë se dyfishi i ekspertëve të nivelit të lartë të angazhuar gjatë procesit të reformës në drejtësi thuajse një dekadë më parë.

Emrat e ekspertëve u bënë publikë përmes një shkrese drejtuar Byrosë së Kuvendit, e rrjedhur në media, sipas së cilës Xhafaj kishte përcaktuar masën e shpërblimit për secilin prej tyre për ekspertizën e ofruar gjatë fazës së parë të punimeve të Komisionit.

Komisioni i posaçëm sqaroi më pas se Kuvendi kishte miratuar një fond tavan prej 35 milionë lekësh, me pagesa që variojnë nga 183 mijë deri në 550 mijë lekë për secilin ekspert.

Mes 91 ekspertëve të komisionit “antikorrupsion” figuron edhe emri i ish-prokurorit të Elbasanit, Bledar Mustafaraj, tashmë në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike të KLSH-së. Sipas këtij dokumenti, Mustafaraj figuron në shtyllën e dytë të veprimtarisë së komisionit, atë të antikorrupsionit.

Pikëpyetjet për figurën

Bledar Mustafaraj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi deri në vitin 2021 në Prokurorinë e Rrethit të Elbasanit. Në periudhën mars 2021- nëntor 2023, ai punoi si magjistrat i komanduar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si përgjegjës i sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Procesi i vetingut për Mustafarajn u përmbyll më 7 nëntor 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin për ndalimin e ushtrimit të funksionit për një periudhë 15-vjeçare pranë institucioneve të drejtësisë.

Në qershor 2024, Mustafaraj u emërua drejtor i Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Sipas dokumentit të rezultateve të hetimit administrativ të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, Bledar Mustafaraj, veç gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, është konstatuar dhe një kontakt i papërshtatshëm i tij me një person të përfshirë në krim të organizuar -rrethanë që nuk është deklaruar nga subjekti në deklaratën e pastërtisë së figurës.

Edhe pse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dorëzoi në KPK dy raporte pozitive për Mustafarajn, ishte një informacion i depozituar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që ndryshoi rrjedhën e hetimit të tij administrativ në kriterin e figurës.

Bazuar në këtë informacion, KPK i kërkoi Policisë së Shtetit të dhënat e sistemit TIMS për Ardian Çapjan dhe dy familjarë të tij.

Ardjan Çapja është një personazh i krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, i dyshuar se është përfshirë në një sërë përplasjesh të rënda përgjatë dy dekadave të fundit. Çapja u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2023 për një vrasje të dyfishtë të vitit 2012 – ku viktimat babë e bir u qëlluan për vdekje brenda shtëpisë së tyre.

Bazuar në të dhënat e rezultuara nga sistemi TIMS për udhëtimin e Mustafarajt në shoqërinë e Çapjas, avokatit të tij të ndjerë Ravik Gurra dhe ish-rektorit të Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, KPK ka konstatuar se ‘ish-prokurori Bledar Mustafaraj ka kontakte me një person të përfshirë në veprimtari kriminale”.

Në përfundim të hetimit administrativ paraprak, Mustafarajt i është kërkuar që të japë shpjegime për kontaktet me Ardian Çapjan si dhe për mosdeklarimin e këtij fakti në deklaratën e kontrollit të figurës sipas përcaktimeve të ligjit për vetingun e magjistratëve.

Po ashtu, atij i është kërkuar qëndrim lidhur me konstatimin se kontaktet me Çapjan mund ta vendosin atë nën presion dhe se cënojnë etikën e magjistratit.

Për arsye të dorëheqjes së Mustafarajt nga detyra e prokurorit, hetimi administrativ i KPK për këtë subjekt rivlerësimi nuk u përmbyll dhe nuk u arrit në konkluzione përfundimtare për gjetjet e konstatuara në të tre kriteret./BIRN

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news