Hetimet e SPAK, Perit Malaj ‘fundosi’ Belindën dhe Anilën: Doganat të mbledhin akcizën nga Bankers Petroleum
Pra të dashur shikues nëse keni ndonjë dyshim se çmimi i naftës është i lartë sepse ne duhet të paguajmë taksat, që na i propagandon qeveria dhe kryeministri Edi Rama, rishikojeni edhe njëherë pjesën e sapotransmetuar, për të kuptuar se nëse nuk do të kishte pazare në kurrizin tuaj, ca qindra milionë euro do të ishin më shumë në buxhet, e këto para do të përktheheshin në ndihmë për ju, këtë periudhë krize, siç ndodh në çdo vend tjetër rreth nesh. Por historia nuk përfundon këtu, tashmë do të merrte një tjetër kthesë, që do të nxirrte edhe më zbuluar si Belinda Ballukun ashtu dhe Anila Denaj, e në këtë rast, me ministra që duket se nuk kanë pasur guximin që si paraardhësit e tyre të hapin llogari në SPAK.
Ndoqëm se si që nga viti 2012 mes Administratës Doganore, Tatimore dhe Bankers fillon një kalvar i gjatë kontrollesh, për ta detyruar kompaninë private që të paguante taksat për pasurinë që u kishte marrë shqiptarëve. Janë dhjetra e qindra milion euro të vjedhura, mbledhja e të cilave u bllokua me urdhër direkt të Belinda Ballukut dhe me vendim të Anila Denaj. Përfundimisht në vitin 2022 kemi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, që me rregull duhet të kishte rrëzuar të gjitha artificat e përdorura nga dyshja Balluku-Denaj, dhe Doganat filluan të kërkonin pagesën e detyrimeve. Por JO, duket se as dy vendimet e gjykatave më të larta të vendit nuk e zhbënë dot situatën e krijuar nga Belinda Balluku, pasi ishte ende në fuqi urdhri i Anila Denaj për pezullimin e procedurave.
Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive që po ju publikojmë sot, Dega e Doganës Fier u pengua deri në shtator të vitit 2025 që të zbatonte vendimin e gjykatës. Dogana e Fierit prej dhjetorit të vitit 2019 i është drejtuar disa herë Drejtorëve të Përgjithshëm Gjon Bardhi dhe Gent Gazhelit ku kanë kërkuar udhëzime si do të vazhdohej me procedurën pasi ishte ende e pezulluar në zbatim të vendimit të Anila Denaj.
Në datën 24.12.2019 Dogana Fier i drejtohet Drejtorit të Përgjithshëm.
DRJETORIA E DOGANAVE FIER
Në lidhje me operatorin Bankers Petroleum vijojmë të jemi në fazën e pezullimit të procedurës administrative, për të cilën kemi informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me shkresën nr3769/4 datë 17.07.2019.
Komunikimet mes Doganës Fier dhe Drejtorisë së Përgjithshme vazhdojnë dhe në janar të vitit 2020 ku kjo e fundit shprehet se nuk është në kompetencën e saj kjo çështje. Ndodhur në këto kushte në shkurt të vitit 2020 Dogana Fier i drejtohet sërish Drejtorisë së Përgjithshme:
DRJETORIA E DOGANAVE FIER
Në vijim të shkresës së lartpërmendur, nr.31847/1 Prot, datë 20.01.2020 me lëndë “Kthim përgjigje mbi çështjen Bankers Petroleum Albania”, ju risqarojmë se Dega e Doganës Fier, ka proceduar sipas urdhërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave i cili ka kërkuar zbatimin e urdhrit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Për sa më lart, në kushtet kur Dega e Doganës Fier në zbatim të parimit të hierarkisë, e ka të pamundur komunikimin zyrtar drejtpërdrejt me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, marr shkas nga rëndësia tepër e madhe e kësaj çështjeje si dhe afateve procedurale të parashikuara në ligj, kërkojmë nga ana juaj, asistencën tuaj teknike të menjëhershme për trajtimin shterues të çështjes.
Vitet kaluan dhe Dogana Fier nuk mori asnjë përgjigje derisa në datën 03.09.2025 i drejtohet drejtpërdrejt Ministrit të Financave, tashmë ushtarit të Belindës, Petrit Malaj. Sigurisht të gjithë do prisnim që Petriti të bëhej trim e ta mbronte shefen por JO. Duket se plasja e skandalit, e ka stepur Ministrin e Financave që të bëjë shkeljen ligjore të radhës, e me përgjigjen e tij i vë vulën përfundimtare shkeljes së rëndë ligjore nga paraardhësja e tij Anila Denaj dhe Belinda Balluku, duke krijuar kështu precedentin dhe provën që do t’i mjaftonte SPAK, për të vënë para përgjegjësisë dy ministret që i shkaktuan një dëm qindra milionë euro xhepave të varfër të shqiptarëve. Në shkresën që mban datën 29.09.2025, Petrit Malaj shprehet:
PETRIT MALAJ
“Në përgjigje të shkresën nr.3001 prot, datë 3.9.2025, të Degës së Doganës Fier, me anë të së cilës është përcjellë “kërkesa për fillimin e procedurës për çështjen paraprake të operatorit ekonomik “Bankers Petroleum”, sjellim në vëmendjen tuaj se referuar bazës ligjore, përkatësisht në nenet 97 e vijues të ligjit 61/2012 për akcizat në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, për verifikimin e shkeljeve në fushën e akcizës, konstatojmë se është në tagrin tuaj ligjor dhe institucional si autoritete doganore të kryeni vlerësim administrativ të rrethanave, të verifikoni apo mbikëqyrni dhe të ndiqni rastin sipas procedurave dhe afateve përkatëse që parashikon ligji i sipërcituar dhe legjislacioni në fuqi.
Në këtë kuadër, për sa kohë ligji ngarkon autoritetet doganore kompetente për kryerjen e verifikimeve e procedurave për shkeljet në fushën e akcizës dhe JO Ministrinë e Financave, për çdo rast nga ana juaj duhet të ndërmerren të gjitha masat, procedurat dhe veprimet ligjore në mbrojtje të interesit shtetëror në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pra Petrit Malaj jo vetëm i thotë Doganës Fier që është në tagrin e saj ligjor që të kryejë kontrollin të vendosë detyrimin dhe të mbledhë pagesat por për të fundosur përfundimisht Anila Denaj dhe shefen Belën, saktëson se ligji ngarkon doganat për të kontrolluar akcizën dhe JO Ministrin e Financave. E për ta kuptuar se cila është kostoja në buxhet e urdhrit të Belinda Ballukut na vjen në ndihmë një shkresë e shkurtit 2026, ku Dega e Doganës Fier i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme për ta informuar.
Bankers Petroleum Albania është shpallur debitor për detyrimin e akcizës në shumën 3.095 miliardë lekë bazuar në ligjin 61/2012 Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë si dhe është penalizuar në masën e trefishtë të detyrimit fiskal të papaguar në shumën 9.286 miliardë.
Me një matematikë të thjeshtë këto veprimet e kundërligjshme të ministreshave të Edi Ramës i kanë kushtuar xhepave të shqiptarëve minimalisht 12.3 miliard lekë ose 123 milion euro, sepse kanë kaluar edhe afatet për ta kontrolluar që prej vitit 2014.
Tashmë kjo dosje është në SPAK, dhe nëse këto prova prokurorëve ju kanë humbur diku nëpër sirtar, jemi të gatshëm t’ua vendosim sërish në dispozicion. Por mbetet për t’u parë nëse Enkelejda Millonaj prokurorja e katapultuar nga Elbasani drejt SPAK, e që së fundmi u shfaq në sallën e gjyqit duke mbrojtur Taulant Ballën do të veprojë po me të njëjtën shpejtësi që veproi dyshja Balluku–Denaj, apo do të pluhurosë në sirtar provat që i kushtuan shqiptarëve të paktën 123 milionë euro. Por deri sa të dalë një prokuror që t’u dhimbsen paratë e shqiptarëve, ju të dashur qytetarë do të vijoni ta paguani naftën më shtrenjtë, sepse ata që duhet të paguanin realisht këto taksa refuzojnë, e kjo me bekimin e qeverisë dhe ministrave që tashmë janë faktuar të zhytur në llumin e korrupsionit.




